Shqiperia e udhekryqeve

Edhe pse jam larg Shqipërisë, fëmijërinë dhe një pjesë të rinisë e kam kaluar atje dhe sado që botën e quaj atdheun tim të madh, është kurdoherë një atdhe i vogël, një qytet, një fshat, një mal,një lumë apo një perëndim dielli ku na shkon mendja herë pas here. Pse Shqipëria e udhëkryqeve? Sepse mbeti udhëkryqeve në tërë historinë e saj, se lanë kurrë të zgjedhë rrugë po e tërhoqën me hir a me pahir në rrugë pa krye.

My Photo
Name:
Location: Berkeley, California, United States

Jam ai që nuk kam qenë Do të jem ai që nuk jam.

Thursday, July 19, 2007

Fjalë për Sagitën

Shpesh herë kur mendoj e shkruaj për hallet e problemet e vendit tim të lindjes e mendoj se kur do të jetë ai një ditë pa këto halle e probleme, më shkon mendja te Sagita e brezi i saj dhe them se është ajo me shokë e shoqe që do ta bëjnë më të mirë një ditë jetën në Shqipëri.

Unë nuk e njoh Sagitën. Apo më mirë, e njoh vetëm virtualisht. Flasim ndonjëherë me e-maila e këmbejmë mendime për gjërat. Kam parë vetëm fotografitë e saj në internet, me buzëqeshjen e saj të mençur e të matur. Në Berkli, ku unë jetoj tani, ka ende mjaft që e njohin atë. Ajo ka studjuar këtu, në Universitetin e Berklit pak vite më parë në degën e ekonomiks dhe me natyrën e saj të dashur e të çiltër bëri plot miq, shokë e shoqe me të cilët nuk harrohet kurrë.

Në vitin 1999 kur nga grup shtetasish amerikanë të interesuar dhe mjaft të motivuar, së bashku me një grup studentësh nga rajoni i Ballkanit që studjonin në Shtetet e Bashkuara, krijuan Lidhjen Rinore të Ballkanit (BYL), Sagita bashkë me Erionin e Kujtesën qenë bërthama e këtij projekti. Në numrin e 29 tetorit 2001 të "Rregjistrit të Kongresit", anëtari i Kongresit të SHBA, Tom Lantosh, anëtar i Komitetit për Marrëdhëniet Ndërkombëtare në Kongres, përgëzoi Institutin e Drejtuesve të Lidhjes së të Rinjve (YLLI) 2001 të zhvilluar në Kosovë, duke përmendur aftësitë dhe arritjet e jashtëzakonshme të udhëheqësve të këtij projekti rinor.

Që atëherë, BYL u është përgjigjur nevojave të fëmijëve dhe të të rinjve në rajonin e Ballkanit të shkatërruar nga lufta nëpërmjet ekipeve të shërimit prej traumave, iniciativave artistike ndër-etnike e kampeve për drejtuësit e rinj dhe gëzon një reputacion të respektueshëm e me përvojë të qëndrueshme në çështjet e të rinjve në rajon. Në veprimtaritë e zhvilluara vite me rradhë në Tiranë, Kosovë e mbarë Ballkanin, Sagita Muço u shqua për punën e saj të devotshme e me pasion.

Edhe kur mbaroi studimet dhe me reputacionin e universitetit të kryer mund të punësohej fare lehtë në SHBA, Sagita rendi drejt Shqipërisë. Punoi atje e gjallë dhe e palodhur si një nga aktivistet e para të lëvizjes MJAFT. I ra anembanë vendit dhe organizoi bashkë me shokët e shoqet e saj mjaft veprimtari që synonin bërjen aktive të të rinjve në problemet sociale, ngritjen dhe trainimin e drejtuesve të rinj qytetarë dhe ndërgjegjësimin e publikut për të ngritur zërin për probleme e halle të ndryshme që politika në vend t’i zgjidhte i zvarriste e i komplikonte.

Sagita studjon tani për mastër të mardhënieve ndërkombëtare në shkollën Kenedi të Universitetit të Harvardit në SHBA. Dëshira e saj është të udhëtojë e të shohë vende e njerëz dhe të marrë pjesë në zgjidhjen e halleve e problemeve të tyre. Tani së fundmi, ajo më shkruante se është me një internship në Afrikë. Me kompletimin e masterit, ajo ka në edukimin e saj atë që rrallëkush e ka, çiftin e dy universiteteve nga më të mirët në botë.

A bën pjesë Sagita në dukurinë e “rrjedhjes së trurit”? I ka ikur ajo vallë Shqipërisë? Nuk e besoj. Ajo u shkollua jashtë vendit në shkollat më të mira të botës dhe kontributin e saj e solli edhe në vendin e vet e do ta sjellë me siguri edhe në të ardhmen. Vajzat e djemtë si Sagita Muço, janë njerëzit e rinj të Shqipërisë së re. Konceptet e tyre të patriotizmit nuk kanë të bëjnë shumë me kufijtë shtetërorë. Ata janë qytetarë të Shqipërisë sa ç’janë të botës mbarë. Janë bartës e mbarështrues të kulturave e dijeve që transformojnë për mirë opinionet e shoqëritë. Shpesh herë ndodh që ata mërziten nga që u duket se u shkon dëm ajo që bëjnë, pasi vendi i tyre hiqet osh e zvarrë në bisht të proceseve të përparimit, se ka përsëri shumë fjalë e pak punë, se ka korrupsion e demagogji, egoizëm e mungesë profesionalizmi, politizim të paskajshëm e përfitime nga politika. Por kjo mërzitje është vetëm një çast apo pak çaste. Ata e dinë që lufta për kulturën e re që sjellin nuk është e lehtë. Dhe i futen përsëri asaj. Sepse dinë më kryesoren: që ata do të fitojnë.

(Botuar në gazetën Albania, 28 korrik 2007)


A është turp të jesh ateist?

Diskutimi lidhur me përkatësitë fetare të shqiptarëve është i zhurmshëm e i kokolepsur. Ka që thonë se shqiptarët janë popull me aq e kaq përqindje muslimane, katolike e ortodokse. Ka që thonë se feja e parë e shqiptarëve ka qenë feja e Krishtit, ka që thonë që shqiptarët thellë në histori kanë qenë politeistë. Ka që thonë se shqiptarët e sotëm duhet të kthehen në fenë paramuslimane, pra atë të krishterë se kështu na do më mirë bota. Të tjerë këmbëngulin se feja islame, sado mbishtresë më e re, është baza fetare e këtij vendi. Dhe ka që me të drejtë theksojnë tolerancën fetare të shqiptarit si një tipar karakteristik.

Megjithatë, rrallëkush flet për ateizmin. Dikujt i duket se është më mirë të struket në origjinën e vet fetare familjare se sa të thotë se është ateist apo nuk beson në zot. Pra, a është turp të mos besosh në zot?

Komunizmi shqiptar u bë precedenti famëkeq në botë që prishi tempujt fetarë dhe e ndaloi me ligj e kushtetutë fenë. Një ideologji mashtruese e gënjeshtare si ajo komuniste-enveriste nuk mund të duronte që njerëzit të kishin fenë për ngushëllim e prehje. Në të gjithë botën komuniste, feja u denigrua e roli i saj u minimizua, por edhe në vendet ku sunduan kasapë të vërtetë komunistë, ajo nuk u ndalua me ligj, priftërinjtë, hoxhallarët e baballarët nuk u vranë e besimtarët nuk u futën në burgje se i faleshin zotit, ashtu siç ndodhi në Shqipëri.

Me rrëzimin e komunizmit, feja pati një gjallërim të natyrshëm. Të tre degët kryesore të saj, ato islamike, katolike e ortodokse vërshuan në garë me njera tjetrën të mbushin vakumin komunist. Nuanca të tjera fesh të papara në Shqipëri rendën gjithashtu me misionarët e tyre. U ndërtuan tempuj fetarë edhe atje ku më parë nuk kishte të tillë. Fetë hynë në domenet e njëra tjetrës duke ndërtuar për shembull kisha atje ku më parë kishte vetëm xhami e teqe apo xhami e teqe atje ku më parë kishte vetëm kisha. Të dalë nga kthetrat mundonjëse të diktaturës komuniste, shqiptarët u hodhën, në krye me devocion e dëshirë në prehërin e feve. Më pas ishte politika ajo që kapërtheu e pushtoi shpirtin shqiptar dhe zuri kryet e oxhakut në vatrat shqiptare.

Vetëm kur ndizen debatet se kujt bote fetare i takojmë ne shqiptarët, atëhere flakërojnë gjakrat e luftës, ngrihen e ulen njëra fe apo tjetra, njëra quhet reaksionare e tjetra e përparuar, rrëmohet nëpër origjina, sulmohen dinjitarët fetarë të njërës palë apo tjetrës e të tjera e të tjera.

Pa lënë mënjanë rolin e madh që ka patur feja në zbutjen e disiplinimin e shpirtrave njerëzorë, nuk duhen harruar gjithashtu periudhat e saj të errta e reaksionare. Ashtu si ideologjia komuniste që në zanafillat e veta ishte idealiste e humane sepse kërkonte mbrojtjen e të drejtave të të shtypurve në botë por që më pas u mishërua e transformua në ideologji të egra vrastare e luftë për zotërim e pushtet, ashtu dhe fetë në periudha të ndryshme devijuan mjaft nga predikimi e mësimet e pretenduesve si të dërguar prej zotit. A nuk thoshte vallë Krishti se po të ra dikush në njërën faqe duhet t’i kthesh tjetrën dhe se pasuria e tepërt e prish dhe e rrënon shpirtin e njeriut? Mos vallë Muhameti predikonte që idhtarët e tij të hedhin në erë njerëz paqësorë e të pafajshëm nëpër metropolet e botës apo kudo gjetkë?

Gjithsesi feja ka ekzistuar e do të ekzistojë si një alternativë kulture e sistemi perceptimi të botës nga qëniet njerëzore. Por megjithatë, feja nuk përfaqëson kulmin e kulturës e të forcës së mendjes që njerëzimi ka arritur në udhën e tij të gjatë e të vështirë në këtë planet ku nga kafsha prehistorike u shndrrua në këtë Homo Sapiens që është sot. Me predikatet e saj të gatëshme e standarde dhe besimin në botën tjetër, feja përvetësohet kollaj e është lehtësisht e pranueshme nga mendje që s’e vrasin mendjen e i lodh arsyetimi i thellë njerëzor. Të besosh në fe nuk ka nevojë të jesh bartës i kulturës së thellë njerëzore e përçues i inteligjencës më supreme të planetit, asaj të njeriut. Nuk ka nevojë pra të mrekullohesh nga Dante e Shekspiri, nga Rafaeli e Pikaso, nga Khajami e Abu Nuvasi, nga Njutoni e Ajnshtajni, nga Ibn Sina e Al-Kvarizmi.

Të ngatërruar me martesa mikste, në të gjitha kombinacionet e mundëshme të feve katolike, ortodokse, islamike e bektashiane dhe me një përbërje të konsiderueshme ateiste, ç’duhet të jenë sot shqiptarët? Dihet që feja është çështje personale. Nuk është turp të besosh në atë apo këtë zot dhe të pretendosh se ky zot është i vetmi, por ama nuk është as turp të përpiqesh ta spjegosh botën me armën më të përsosur që natyra i dha një qënieje të gjallë, logjikën njerëzore e cila u përsos e u përfeksionua edhe më gjatë historisë së njeriut mbi dhe. Ateizmi nuk është pjellë e komunizmit. Komunistët besonin në një zot më barbar e absurd se sa ai që predikonte Krishti e Muhameti. Ata e përkrahnin ateizmin si aleat vetëm për të luftuar fenë. Por le të guxonte një ateist i asaj kohe të thoshte se nuk besonte në Marks apo Enver dhe të shihte se ç’e gjente. Njerëzit e mëdhej të feve të sotme në botë, një nga të cilët ishte padyshim Papa Gjon Pali II janë përpjekur të theksojnë e lartësojnë anët humane të fesë e të hedhin ura midis besimeve fetare e vetë fesë me shkencën.

Në një botë të lirë e demokratike nuk është pra as turp as marre të jesh atesit apo të mos besosh në zot. Turp e marre është të mos respektosh besimin apo botkuptimin e tjetrit dhe të zëvëndësosh debatin logjik me mjete të dhunëshme e deklarata lufte. Ndaj shqiptarët që ndjehen për ateistë nuk ka pse të druhen nga deklarimi se janë të tillë. Dhe të tillë janë padyshim gjysma e shqiptarëve. A nuk është vallë krenare të besosh në forcën e artit e shkencës, të besosh ata artistë e mjeshtra të shpirtrave njerëzorë, ata filosofë e savantë, ata shkencëtarë e shpikësa që kanë dhënë tablo e spjegime e analiza të vërteta të botës së madhe të njeriut dhe të botës së stërmadhe që rrethon atë.

Thonë se kur Napoleon Bonaparti atë kohë perandor, pranoi në audiencë Pierr-Simon Laplasin i cili dikur e kishte marrë në provim matematike perandorin e ardhëshëm në shkollën e artilerisë, matematicieni i shquar i dhuroi atij librin e tij të fundit “Mekanika qiellore”. Napoleoni që kishte dëgjuar për librin i tha atij: “Zoti Laplas, thonë se ju keni shkruar tërë këtë libër të madh mbi sistemin e gjithësisë dhe nuk keni përdorur gjëkundi emrin e Krijuesit të tij.” Dhe Laplasi ju përgjegj: “ Nuk kam patur nevojë për atë hipotezë, madhëri.” A nuk është kjo përgjigje një e tillë që të bëjë krenar cilindo qënie njerëzore që e vë në punë sadopak mjetin e tij të mrekullueshëm të mendjes?

(Botuar në Gazeta Sot, 24 korrik 2007)

Wednesday, July 04, 2007

Personaliteti i papersonalitet i politikanëve shqiptarë

Në këtë shkrim më shtyu fushata e fazës së parë për president në SHBA. Rreth njëzet kandidatë, demokratë, republikanë apo të pavarur zhvillojnë këto muaj fazën e parë të garës për president që shpie në përcaktimin e një kandidati të vetëm nga secila parti. Gara është e hapur, transparente: dihet se sa fonde ka mbledhur Klinton e Obama apo sa Xhuliani e Mekkejn. Vënë në optikën dhe analizën e kujdesëshme të publikut e medias, ata janë të detyruar të shfaqin të gjithë përmbajtjen e tyre prej njeriu e shtetari. Në debatet televizive, shkrimet e tyre apo të stafit të tyre, në takimet me publikun e gjerë kudo që nga kishat e gjer tek universitetet e fermat anembanë vendit-kontinent, del açik personaliteti i tyre, merren vesh të gjitha pikpamjet që ata kanë që nga familja e deri tek arti i drejtimit të shtetit.

Kushdo mund t’i pyesë ata se ç’mendojnë për fenë, besojnë apo jo në zot, kujt feje i përkasin, ç’mendojnë për të drejtat e njeriut, për homoseksualizmin, rolin e grave në shoqëri, arsimin, shëndetësinë, pensionet, politikën e jashtme, organizimin e gjërave konkrete, si do ta bëjnë këtë apo atë tjetrën. Ndjekësi i zakonshëm i politikës mund të marrë vesh lehtë se kë kanë ata model të tyre nga paraardhësit, a lexojnë letërsi dhe cilin kanë autor të dashur, cili është sporti që kanë qejf e muzika që i relakson. Ata mund të dinë për familjet e tyre me të cilat ata dalin shpesh në takimet me publikun. Që të mos e zfjasim, u bëhet pra një tomografi e hollësishme e asaj që përmbajnë në bagazhin e tyre etik, kulturor, intelektual si edhe në rrafshin praktik të drejtimit të ekonomisë, politkës, çështjeve shtetërore.

Po kjo nuk ndodh kurrsesi me politikanët shqiptarë. Ata hyjnë e dalin në politikë si ca somnabul që s’merret vesh se ç’kanë në skutat e mendjes së tyre. Ajo që publiku shqiptar di për ta janë thashethemet e shumta. Dihen më së miri ato që ata kanë në bark: mish, peshk, karkaleca deti, verë të mirë, raki të veçantë, xhin, uiski e konjak francez, dihet ku i kalojnë darkat e drekat, batutat që kanë thënë nëpër resorte e kazino, ndonjë shaka me bodigardë, shofera e sekretare, dihet si janë shprehur për njerin apo për tjetrin, bizneset e lidhjet me bizneset që kanë, por nuk dihen kurrsesi se nga kanë ardhur në këtë fushë ku kanë marrë kordhën e kanë dalë të bëjnë emër, me ç’mendje kanë ardhur e çfar synojnë veç atyre të mirave që u sjell pushteti.

Çdo fushatë zgjedhjesh në Shqipëri kalon si një tajfun shpartallues plot zhurmë, rrëmujë e batërdi dhe me gjithë policët ndërkombëtarë të trafikut që këshillojnë politikanët-shoferë të vënë rripin e sigurisë, të respektojnë këmbësorët e shenjat e trafikut, të mos ngasin makinat mbi shpejtësinë e lejuar apo të dehur dhe që ndonjëherë u vënë edhe gjoba për këto, shoferët-politikanë që zënë për ditë e për natë ekranet e televizioneve, hapësirat e radiove a të gazetave dhe kakofoninë e restauraneve apo kafeve, nuk duan t’ja dinë fare. Populli voton për ta dhe nuk e di si e ke mendjen njeri e tjetri. Por e di mirë ama se i cilës parti është njeri apo tjetri. Ky i gjori popull u mësua pesëdhjetë vjet me një parti dhe s’ka zot t’ja shkulë nga mendja se në një shoqëri të lirë e demokratike partitë janë grupime shoqërore pikpamjesh madhore për drejtimin e shtetit e shoqërisë, për këtë apo atë kurs zhvillimi dhe nuk të gjejnë punë apo shtëpi. Po a ka faj populli kur vetë mendësia e partive në Shqipëri është ajo e partimadhes famëkeqe të Hoxhës? Hiquni emrat në krye programeve të tyre dhe do t’i ngatërrojnë vetë kryetarët e tyre se kush është i njerit e kush i tjetrit. Aman, a më thotë kush se ku dallohet ta zëmë partia e Gjinushit nga ajo e Milos? Amerikanët kanë një fjalë të bukur për këtë: Bullshit!

E pra, duhet hequr dorë nga partitë dhe të përpiqemi të njohim më shumë e të vlerësojmë kur është për të vlerësuar, individin. Por si ta njohim këtë individ kur ai vetë shpesh herë i përvidhet njohjes? Vini re se si shpesh herë politikanët shqiptarë flasin me fraza të përgjithëshme, përmendin terma si mirëqënie, rritje ekonomike, të ardhura për frymë, mjekësi, arsim, ujë, drita por pa u futur në hollësira. Të gjithë përpiqen të fshehin të kaluarën dhe kurrë nuk e shfaqin atë hapur e të pandryshuar e zbukuruar. Një ish ministër kulture 40 vjeç kishte tre diploma universitetesh dhe disa specializime. Në CV-të e shpallura të politikanëve vihen vetëm gjërat e bukura dhe kurrë një fjalë për ato që atyre s’do t’u vinte mirë t’ua dinin të tjerët. Kjo sepse ata nuk mbështeten në personalitetin e tyre që në përgjithësi është as mish as peshk, por në një mit të madh që një publik mitoman e ha me qejf gjithashtu të madh. Ky personalitet mbështetet te partia, thashethemet, muhabetet e kafeneve. Ai nuk ka të bëjë fare me analizën e hollësishme të ideve, pikpamjeve që do të përbënin boshtin e çdo politikani.

Cila është arsyeja që Barak Obamës, nuk i vjen turp e bezdi të thotë se gjyshi i tij ishte shërbëtor në familjet angleze në Kenia dhe i ati i tij kulloste atje dhitë? Atij nuk i vjen turp e droje sepse ai ka një personalitet të tillë që e bëri atë një nga senatorët më popullorë në SHBA, një nga kandidatët kryesorë demokratë për president dhe një figurë politike që pavarësisht nga gara presidenciale frymëzon miliona njerëz me fjalët dhe idetë e tij. Bindesh për këtë mjafton të shohësh uebsajtin e tij në internet, ku çdo gjë është e pastër, e qartë, transparente.

E kundërta ndodh me politikantë tanë. Bëhen lista e propozime plot me lloj lloj emrash të cilat shqiptarët i njohin vetëm nga ca fjalë apo bëma standarde e që përcillen të transformuara vesh më vesh e gojë më gojë. Dhe mund të gdhihesh papritur me një president, ta zëmë, një Omar, apo Godo, apo Xhuf, apo Laço apo ku e di unë kush tjetër dhe të mos dish për ta asgjë të rëndësishme. Ndërkohë që jo vetëm atyre por të gjithëve ç’janë në politikë duhet t’u ishte bërë me kohë një tomografi e thellë dhe t’u kërkohej të shpreheshin, për të shkuarën, për historinë, për diktaturën, për Enver Hoxhën, për firmat piramidale, larjet e parave, emigracionin, ndërtimet pa leje, skafet e Vlorës, Azem Hajdarin, kishat, xhamitë e teqetë, organizimin e vogël të pushtetit, privatizimin e pronave shtetërore e shërbimeve, qëndrimin ndaj ish të burgosurve, ushtrinë, pensionistët, shkollat, spitalet, zhvillimin e bujqësisë e turizmit, teatrin, letërsinë dhe mediat, politikën me fqinjët, organizmin e madh të shtetit dhe politikën e jashtme.

Asnjëherë këto nuk bëhen të qarta edhe në ato të pakta organizime të medias, ballafaqime apo intervista në TV kryer nga mediatorët ustallarë të medias shqiptare si Fevziu apo Xhunga. Këto ndodhi fokusohen shpesh herë në ngjarjen më të fundit të ditës, në ngërçin e fundit politik të vendit, biseda shpesh acarohet dhe po të jenë dy apo tre të intervistuar, nuk mbaron kurrë pa sherr e pa fytyrën e shqetësuar deri në ekstrem të mediatorit. Të vetmet gjëra që partitë dinë të organizojnë mirë janë mitingjet. Për këto, po, i çahet zemra popullit të shkretë se i kujton ato parakalimet zulmëmadhe të atij kllounit diktator që tundte kapelen në tribunë.

Dhe në mitingje dihet se ato që thuhen janë ca gjëra të përgjithëshme e entuziaste dhe ca sharje denigruese për kundërshtarët. Me mitingje nuk zbulohet personaliteti e dijet e vërteta shtetare të politikanit. As me pesë postera me fytyra fotogjenike. Ata vetë nuk duan që t’u dihen pikpamjet e opinionet. Sepse trëmben se mos zëmërojnë njërin apo tjetrin grupim të publikut. Po të ishte kështu, Abraham Linkolni nuk do t’ja kishte dalë kurrë me dhënien fund të skllavopronarisë në shtetet e jugut të Amerikës.

Një politikan mbahet mend nga integriteti e personaliteti i tij. Mund të mos jesh dakord me të, mund të mos të pëlqejnë ato që thotë apo bën, mund të përpiqesh që ta rrëzosh nga pushteti me votën tënde të lirë, por integriteti e personaliteti në një shoqëri demokratike meriton kurdoherë respekt. Po nga cili integritet e personalitet t’i kapësh këta politikanët shqiptarë? Shumica e tyre janë VIP-a e personalitete pa personalitet. Ata ç’thonë sot e mohojnë nesër, ndonjëherë janë të heshtur si peshku e shpesh janë papagallë të njëshit të partisë, kurse vetë njëshat janë konfuzë e ambiguitivë të pashoq. Që të mos përmendim pastaj aferat korruptive ku bëjnë pjesë e pazaret e allishverishet ku përzjehen sepse kjo do të ishte tjetër histori.

Ja pse ata hyjnë e dalin si anonimë nga jeta politike pa lënë pas as emër e as trashëgimi të qëndrueshme e të vyer mbi të cilën do të ngriheshin brezat e politikanëve më të rinj. Dhe populli rri e vështron.

(botuar në gazetën Sot, 7 korrik 2007, gazetën Shqip, 9 korrik 2007)