Shqiperia e udhekryqeve

Edhe pse jam larg Shqipërisë, fëmijërinë dhe një pjesë të rinisë e kam kaluar atje dhe sado që botën e quaj atdheun tim të madh, është kurdoherë një atdhe i vogël, një qytet, një fshat, një mal,një lumë apo një perëndim dielli ku na shkon mendja herë pas here. Pse Shqipëria e udhëkryqeve? Sepse mbeti udhëkryqeve në tërë historinë e saj, se lanë kurrë të zgjedhë rrugë po e tërhoqën me hir a me pahir në rrugë pa krye.

My Photo
Name:
Location: Berkeley, California, United States

Jam ai që nuk kam qenë Do të jem ai që nuk jam.

Friday, November 30, 2007

Amnezia shqiptare

Shumë popuj vuajnë nga amnezia. Shqiptarët janë një nga më të shquarit këtu. Nuk është fjala për amnezinë si sëmundje individuale me shkaqet spjeguar nëpër fjalorët mjekësorë, por për amnezinë kolektive që i bën popujt të harrojnë ato që kanë përjetuar dhe nga kjo të mos marrin vendimet e duhura në kohën e duhur lidhur me jetën e tyre të përditëshme dhe të ardhmen.

Shqiptarët jetuan gati një gjysëm shekulli të izoluar, të ndrydhur e të shpersonalizuar nga diktatura e egër hoxhisto-ramiziste. Shumë shpejt pasi kjo periudhë kaloi, shumë prej tyre i harruan të gjitha ç’kishin hequr. Kohë të reja dukeshin në horizont. Në tribuna dolën udhëheqës të rinj me premtime të reja. Ku ishte e kaluara? Mediat audiovizive e të shtypit u mbushën me kujtime nga nomeklatura e kohës komuniste: ish udhëheqës, familjarë të tyre, ish funksionarë të lartë partie e pushteti. Dhe populli shihte me kërshëri ato që s’i kishte ditur: fjalët që qenë thënë, punët që qenë bërë atje ku nuk e qasnin të hynte. Shihte si festonte diktatori vitin e ri, si fliste me nipër e mbesa apo si mallëngjehej për gjëra të ndryshme. Dhe erdhi shpejt një kohë, kur të preokupuar e të munduar nga hallet e së përditëshmes, e kaluara zuri t’i shbëhet nga kujtesa.

I ikën nga mendja rradhët e gjata kur votonte në pesë të mëngjezit e kur priste për qumësht, gjalpë a mish në tre të natës. I ikën nga mendja pompoziteti fallc i paradave e kongreseve ku brohoritej madhështia e jetës socialiste. I ikën nga mendja të burgosit, të vrarët, të torturuarit e të internuarit vetëm për faktin e thjeshtë se nuk ishin dakord me plojën makabre që hiqej si komedi gazmore. I ikën nga mendja trillet barbare të udhëheqjes komuniste për të zhveshur deri në eshtër individin nga prona, për të xhveshur mendjen dhe shpirtin e tij nga feja, dituria e kultura e botës. I ikën nga mendja jetët gri në provincat e humbura, me ëndrra që shuheshin që në lindje, me ato gëzime të pakta njerëzore të privuara aq shumë nga hapësirat e vërteta të jetës. Shumë njerëz u kapluan nga kjo amnezi përgjumëse. Ohu, të shkuara të kaluara! Dhe kaq.

Demokracia nuk kishte kohë për analiza e gjykime të shumta. Duhej të shkonim në Evropë dhe ta bënim Shqipërinë si e gjithë bota. Filluan grindjet e luftrat e egra për pushtet, vjedhjet e shpërdorimet e ndihmave, fondeve, kredive. Pushtetarët i lanë shqiptarët të rrëmbejnë pronat e njeri tjetrit, e bënë fshatin të rrethojë qytetin, e shpunë jugun e veriun në luftë me njeri tjetrin, bënë krimin barbar të hapjes së depove të armëve, ja dhanë pronën kujt deshën e si deshën dhe vazhdojnë ende të diskutojnë se si do ta ndajnë atë që s’është më, pra pronën. Jetët e njerëzve kaluan nëpër të gjitha këto.

Dhe prapë amnezia ra si një kapak çudibërës mbi mendjen shqiptare. U votuan prapë nga të dyja anët e politikës po ata njerëz që sollën aq trazira e telashe, aq të vrarë e të plaçkitur. U harruan paratë e vjedhura në firmat piramidale me vetë shtetin që i ngriti e instaloi ato. U harruan krismat e kallashëve nëpër rrugët e qyteteve dhe të ikurit me gomone që ja linin detit amanetet. U harruan gjeneralët trimoshë që u kthyen nga arratia dhe zunë të kërkojnë gradat e ofiqet. U harruan të gjitha dhe përditë harrohen ato që jetohen qoftë edhe një ditë më parë. Harrohen premtimet e gënjeshtërta të fushatave zgjodhore, harrohen hallet, zvarritjet, korrupsioni, tendarat e pista, privacionet e mungesat, pasiguria, imoraliteti. Harrohet mungesa e përvitëshme e dritave dhe ujit dhe bërja fajtor e motit dhe qeverive të mëparëshme. Harrohen si aferat e pandershme të biznesmenëve të vegjël dhe ato të biznesmenit të madh shtet. Harrohet vaniteti i paskrupullt i pushtetarëve, pasurimi i tyre si me katapultë, perversiteti e injoranca.

Mjafton kaq e nuk ja vlen të futesh më thellë në histori për të ilustruar amnezinë shqiptare. Vallë me këtë amnezi do të vazhdojmë ne shqiptarët ta ndërtojmë jetën? Le të mos harrojmë atë që na mëson mjekësia se një nga efektet e amnezisë është se ata që e kanë atë nuk mund të imagjinojnë të ardhmen. Dhe merrni me mend se sa fatale është për një popull që të mos mundë të imagjinojë të ardhmen. Atëhere atë mund ta heqësh osh sa të duash si një gomar të urtë e t’i rrëfesh lloj lloj gjepurash e dokrash për t’i besuar. Ashtu i urtë e i butë, qeifpaprishur e babaxhan, ai e kalon jetën nga votimi në votim duke zgjedhur ata që premtojnë më shumë (se ato që s’kanë bërë nga premtimet e para janë harruar tashmë) apo ata që kanë postera më të bukur. Filosofi Xhorxh Santajana ka një thënie: “Kush e harron të shkuarën është i dënuar ta përsëritë atë.” Po ne që i harrojmë të gjitha të kaluarat, ç’kemi për fat të jetojmë në të ardhmen?