Shqiperia e udhekryqeve

Edhe pse jam larg Shqipërisë, fëmijërinë dhe një pjesë të rinisë e kam kaluar atje dhe sado që botën e quaj atdheun tim të madh, është kurdoherë një atdhe i vogël, një qytet, një fshat, një mal,një lumë apo një perëndim dielli ku na shkon mendja herë pas here. Pse Shqipëria e udhëkryqeve? Sepse mbeti udhëkryqeve në tërë historinë e saj, se lanë kurrë të zgjedhë rrugë po e tërhoqën me hir a me pahir në rrugë pa krye.

My Photo
Name:
Location: Berkeley, California, United States

Jam ai që nuk kam qenë Do të jem ai që nuk jam.

Thursday, October 30, 2008

Ç’bëhet me rininë?

Të kapluar në hallet e jetës së përditëshme e morinë e skandaleve që ndjekin njëri tjetrin në jetën e rrëmujshme shqiptare, njerëzit shpesh herë nuk e vënë re e nuk shqetësohen ( në të vërtetë kanë boll tjetër përse të shqetësohen) se ç’bëhet me rininë e vendit. Prapë kjo është e pafalëshme dhe kriminale për një opinion qytetar që bën kaq shumë zhurmë e zallamahi për gjëra të rëndësishme e të parëndësishme dhe përpëlitet si një peshk i lodhur në rrjetën e mendimit që ka thurur vetë.

Rinia shqiptare meriton një fat e të ardhme më të mirë në demokracinë e re të Shqipërisë. Të kujdesesh për të është të garantosh një të ardhme të ndritur për vendin. Kurse në fakt, ajo është lënë mënjanë e i shtyn ditët me perspektiva të paqarta apo pa fare perspektivë. Një pjesë, nga familje që kanë mundësi ta përballojnë lehtësisht jetën në shoqërinë e sotme shqiptare, bëjnë sikur shkojnë në shkolla e në fakt shullëhen klubeve e bareve, tjerrin kohën në muhabete vanitoze, në mesazhe e biseda telefonike me zhargone banale, seksiste e maçoiste që të kallin të vjellët. E vetmja punë e tyre është se kontribuojnë krenarisht e paturpësisht në harxhimin e parave që fitojnë (në rastin më të mirë, me djersë) prindërit e tyre.

Një takëm tjetër, shokë të tyre, e që nuk i kanë mundësitë e tyre, punojnë vetë për të fituar jetën, por edhe këta ndodh shpesh që tërhiqen nga të parët dhe e shpenzojnë kohën e lirë njëlloj, por me ndryshimin se të paktën harxhojnë ato që fitojnë me djersën e tyre. Kjo është pjesa që bie në sy sepse ka zaptuar qendrën e Tiranës dhe deri aty është kufiri ku lëvizin gazetarët apo gazetarkat e shumta dhe televizionistët gjithashtu të shumtë. Po të shkohet më tutje, është një dramë e vërtetë që nuk ka Kafaz të Artë ta futë brenda. Janë mijra e mijra të rinj anembanë Shqipërisë, që mbushin 20 vjeç me një konfrontim dërrmues e shpesh herë fatal të realitetit me imagjinatën. Të papunë, të pashkollë e me ambicje përtej mundësive, ata bëhen shpesh herë kontigjente të krimit, prostitucionit, emigracionit ilegal. Kurse shteti brohoret për sukseset e arritura, hyrja në NATO, infrastruktura e re e ndërtuar, ligjet që bëhen e zhbëhen, lufta kundër krimit e korrupsionit dhe rritja e hatashme ekonomike.

Një miku im, këtu në Amerikë, më qante hallet e tij një ditë për dy djemtë që kishte. Njëri nga ta ishte në Shqipëri. Tjetri ishte këtu me të dhe bënte shkollën e lartë që ja paguante i ati. Këtij mikut tim, njeri shumë i mirë e i ndershëm, i doli Green Card, kur sapo e kishin liruar nga ushtria, ku kishte qenë oficer andej nga fundi i viteve ’90. Erdhi në Amerikë dhe filloi një jetë tjetër. I pëlqen jeta këtu edhe pse ka mall për vendlindjen e tij, Shqipërinë. Eshtë një jetë e tërë, thotë. Kur ika që andej isha më pak se 50 vjeç. Dhe i mbushen sytë me lot...

Por le të mos largohemi nga tema. Djalit të madh të tij nuk i pëlqeu jeta këtu dhe u kthye në Tiranë, në shtëpinë që i ati nuk e shiti kur iku. Rrojti atje me gjyshërit, deri sa ata vdiqën dhe tani bën sikur punon hop e hop aty-këtu, siç thotë i ati. Ky i dërgon para sa herë i qahet i biri në telefon dhe e kërcënon se do të vrasë veten apo do të ikë me gomone në Itali. Ai po vete 30 vjeç dhe s’lidhet në asnjë hu, thotë babai i tij. Djali tjetër që shkonte mirë me shkollën, ishte shpresa e vërtetë e mikut tim. Ai bëri në Amerikë shkollën tetvjeçare e të mesme dhe tani ka hyrë në kolegj e studjon për teknologji informacioni. Familja nuk ka kursyer gjë për të që të dalë mirë me shkollën. Po ja që edhe këtij nuk ja ka qejfi të rrijë këtu. Qejf bëhet në Shqipëri, thotë ai dhe ka ndërmend të kthehet atje sapo të mbarojë shkollën e të hapë atje një biznes. Po kjo është gjysma e së keqes. Sepse tani ai shkon dy herë në vit në Tiranë me biletat që i pret i ati. I bleva makinën që desh, thotë miku im, i ka vënë dhe targën me emrin e tij “Renci-Tirona”, i ble duhanin, e mbaj me para, po ai hiç. Atje e ka mendjen. Kur shkon atje, zihet me të vëllanë se e do shtëpinë vetëm që të argaliset mirë. Një ime motër që shkon e kujdeset për shtëpinë ndonjëherë, më thotë se duhet të zësh hundën nga plehrat kur të hysh dhe sjellja e djemve është bërë problem për komshijtë. Dhe xërr telefoni. Më dërgoni para, thotë se këtu është shtrenjtë. Ja dërgoj se kam frikë se nuk kthehet e më lë shkollën. Pastaj sheh ai tjetri e kërkon dhe ai. Shpesh, thotë miku im, përpiqem të flas me të e t’i rrëfej se ç’kemi hequr e si kemi vuajtur ne, brezi përpara tyre, po as ai e as ai tjetri s’duan t’ja dinë fare. Ohu, ju keni qenë budallej o babë, thotë ky, ku dinit ju ç’është qejfi. Mbaj mend që pa ikur Shqipëria, me gjithë pleqtë e fëmijët, rronim të gjithë me 400-500 mijë lek të vjetra në muaj. Kurse kaq e më shumë kërkon në muaj tani kur shkon në verë ky i vogli, vetëm.

Më vjen keq për mikun tim të mirë por mendoj se ai vetë e ka stisur jetën kështu. I ka tërbuar fëmijët duke u përmbushur të gjitha tekat e qejfet. Ai nuk është i kamur. Punon dy punë, në një administratë gjatë javës dhe si kamarjer në fundjavë. Edhe e shoqja punon. Kanë blerë shtëpi e kanë të gjitha të mirat. Po ky me të bijtë është një hall i madh për të. Ja kam bërë qejfin, thotë se kisha frikë se i ngrihej mendja dhe ikën si i vëllai, që mbeti pa shkollë e hallakatet klubeve në Tiranë. Po nuk shoh dritë gjëkundi në të ardhmen e tij. Rri tërë natën e sheh televizor dhe mezi ngrihet në mëngjes e shpesh herë nuk shkon fare në shkollë orët e para. Dhe as që ja ka fare qejfi të punojë. Shikoj të tjerë të rinj këtu që punojnë e shkojnë në shkollë dhe them me vete ç’fat që pata që më ranë këta fëmijë...

Dëgjoj mikun tim të pikëlluar dhe mendja më shkon te ato që më tregonte edhe mua im atë për zborret ushtarake e punën e detyruar gjoja vullnetare e shumë mangësi të jetës së atëhershme. Baballarët e nënat tona jetun kohëra të vështira që i gjetën ashtu e nuk i zgjodhën ata vetë. Por u përpoqën të rrojnë me nder e djersën e tyre. Më shkon gjithashtu mendja te jeta e rinisë sot në Tiranë. Rroftë qejfi! “Kena lind për qejf” më kujtohet ajo kënga e West Side Family. Po vallë ky është qejfi i vërtetë i njeriut, që të jetojë si parazit e të mos vrasë mendjen se çdo të bëhet me të ardhmen e tij? Po ngjizet një rini me kulturë të cungët e sipërfaqësore. U çudita një ditë kur ky djali i mikut tim, që e mban veten për patriot të flaktë dhe desh i vë flakën shtëpisë kur fiton në futboll kombëtarja shqiptare, nuk dinte kush ishte Buzuku e le më tej për botën të gjithë.

Ky pra është një aspekt i rinisë që njoh unë. Por siç thamë, ka edhe shumë më keq se kaq. Se këta dy të rinj për të cilët fola, janë në fund të fundit e keqja e tyre dhe e mikut tim, por ka të tjerë që bëhen e keqja e shoqërisë dhe e mbarë vendit. Atëhere ç’bën shteti e shoqëria këtu? Pika ty, do më thoshte miku im i mirë. Ku ka mendje shteti se ç’bëhet me rininë. Ata kanë mendjen kush të zhvatë më shumë. Dhe qejfi në Tiranë vazhdon. Jetë nate pafund, me klube, bare e pube të gjithfarllojshëm, me drita shumëngjyrëshe, me muzikë, me drita të zbehta, misteriozë, ku njihen mirë klientët e zakonshëm e ndonjë i rastit shihet me dyshim. Rinia nuk shkon më bibliotekave, nuk lexon libra se të gjitha i di nga YouTube dhe MySpace e Facebook. Edhe ata që priren të bëjnë jetë më aktive qytetare e të angazhohen me organizma të pavarur, ose komprometohen nga pushteti, ose shahen e përbuzen nga vetë qytetarët, tifozë të njërës palë apo tjetrës.

Shteti nxit vetëm hapjen e klubeve, lokaleve, bareve, kazinove dhe qendrave të llotarive. Askush nuk çan kokë për qendra sportive lagjesh e qytetesh, për biblioteka lagjesh a qytetesh të lidhura me internet, për pishina të hapura e të mbyllura, për klube lojrash të shëndetëshme si pingpong, shah e të tjera, për eskursione të organizuara e shëtitje turistike. E gjithë Tirana ka vetëm dy kinema, shkollat e mesme degjenerohen gjithnjë e më tepër nën presionin e jetës bjerrakote të gjithë vendit, televizionet kur mbarojnë skupet e ditës, rendin pas filmave me seks e jetës së qejfit dhe ndoshta nuk ka në botë hapësirë eterike të mbushur më shumë me sms e biseda gjepurash në celularë se sa hapësira shqiptare.

Pse vallë e mban më kot emrin e rinisë, Ministria e Kulturës, Rinisë e Sporteve? Ç’bën ajo për rininë? Apo që të kapardiset ministri e t’i duket vetja më i ri? Ç’bën qeveria, ç’bëjnë partitë me programet e tyre të mufatura me retorikë boshe më së shumti të përkthyera nga gjuhë të tjera? Dhe në fund të fundit ç’bën vetë rinia? Pse e lë veten ajo ta trajtojnë kështu? Pse nuk shkundet e të mendojë seriozisht për formimin e saj të shëndetshëm kulturor? Duhet ta kemi të gjithë të qartë një gjë: deri sa kjo rini të endet kuturu si një anije me timon të thyer e pa busull në një det qejfi, kotësie apo parazitizmi por që gjithsesi të mbyt si çdo det, asnjëherë e ardhmja e vendit nuk do të jetë e sigurtë. Pa rini nuk ka të ardhme.

(Botuar në gazeta Tema, 1 nëntor 2008)

Monday, October 27, 2008

E do të ardhmen demokratike? Voto

Këto ditë, në Washington Post, Shankar Vedantam tregon për një eksperiment mjaft interesant lidhur me sjelljen e njerëzve ndaj votimeve. Eksperimenti u krye nga tre studjues politologë, Alan Gerber, Donald Grin dhe Kristofer Larimer. Ata morën një listë prej 180,000 votuesish në Miçigan, SHBA. Një grup prej 99,999 votuesish u la mënjanë si një grup kontrolli. Kur erdhën zgjedhjet njerëzit e këtij grupi votuan ashtu si zakonisht. Pjesa tjetër e listës u nda në katër grupe.

Anëtarët e grupit të parë morën nga një letër secili 11 ditë përpara një zgjedhjeje të 2006 që u bënte thirrje atyre të votonin sepse kjo ishte detyra e tyre qytetare. Anëtarët e një grupi të dytë morën secili nga një letër që thoshte se shkencëtarët po studjonin sjelljet e tyre votuese. Letra thoshte: “Ju po studjoheni.” Anëtarët e grupit të tretë morën gjithashtu secili nga një letër ku tregohej se derisa vota e gjithsecilit hyn në të dhënat publike, emri i tyre figuron në listat e atyre që kanë votuar ( pa ditur se për kë kanë votuar). Pra atyre u thuhej në se kishin votuar apo jo në zgjedhjet e 2004. Anëtarët e grupit të katërt morën gjithashtu nga një letër ku u thuhej jo vetëm në se kishin marrë pjesë apo jo në zgjedhjet e vitit 2004 por gjithashtu edhe se kush nga fqinjët e tyre kishte votuar ose jo.

Zgjedhjet treguan se pjesëmarrja në votime e grupit të kontrollit ishte më pak se 30%. Grupi i parë që mori letrat ku u kujtohej detyra e tyre qytetare pati një rritje 6% në pjesëmarrje. Grupi i dytë anëtarëve të të cilit ju tha se po studjoheshin, pati një pjesëmarrje 12% më të lartë. Grupi i tretë të cilëve u ishte treguar në se kishin marrë pjesë apo jo në zgjedhjet e mëparshme, pati një rritje 16%. Dhe çudia më e madhe ndodhi me grupin e katërt, anëtarëve të të cilit u ishte thënë se ç’kishin bërë fqinjët e tyre (pra a kishin votuar apo jo) ditën e votimit. Pjesëmarrja në votim e këtij grupi u rrit me 27%.

Pra vetëm informacioni lidhur me pjesëmarrjen në votim të fqinjëve bëri efekt më shumë se shumë përpjekje të fuqishme, takime e biseda, reklama e postera, për pjesëmarrjen në votime. Shkencëtarët nxorrën si përfundim se ndërsa vota individuale përbën shumë pak në përfundimin e një zgjedhjeje, ajo mund të përbëjë shumë në sytë e miqve e të komshive. Në kohët kur qytetet qenë të vegjël dhe njerëzit në to gati njiheshin të gjithë, pjesëmarrja në votime ishte shumë e lartë. Në vitet 1880 pjesëmarrja në votime në SHBA ishte rreth 80%. Deri në vitin 1920, ajo ra në 40%.

Dihet që në shoqëritë nën diktaturë, njerëzit mund të detyrohen të shkojnë me shumicë në kutitë e votimit. Breza të tërë i kujtojnë mirë zgjedhjet në Shqipërinë komuniste kur binte daullja që në pesë të mëngjesit dhe njerëzit vraponin turma turma drejt qendrës së votimit. Të gjithë aktivistët e lagjeve e të frontit ruanin se kush vinte me vonesë dhe ata që vinin të fundit shaheshin e kritikoheshin nga komshijtë e të devotshmit se kishin bërë fajin më të madh në atë që mund t’ua kalonte një bllok apo lagje tjetër. Dhe natyrisht që rezultatet ishin mbi 99.90%. Për atë periudhë, kolumnisti i njohur i SHBA Çarls Krothhamer përcaktoi të ashtuquajturin “indeksi i Tiranës”, pas zgjedhjeve të vitit 1982, ku u raportua një fitore në zgjedhje prej 1,627,959 me vetëm 1 kundër. Indeksi i Tiranës, tregonte se sa më i lartë të ishte numri i votave që fiton qeveria në pushtet, aq më tiranike ajo ishte.

Ato kohra sigurisht kanë kaluar e nuk kthehen më për Shqipërinë. Ajo që ka rëndësi tani është që vota e shtetasve të mos shpërdorohet më kot. Dhe kjo zë fill që nga pjesëmarrja në zgjedhje. Sigurisht parregullsitë, vjedhjet e votave, mashtrimet e dhuna kanë bërë që kjo pjesëmarrje të bjerë. Njeriu bën një arsyetim të thjeshtë: Votoj apo nuk votoj unë, vota ime nuk ndikon fare sepse votat prapë do të rregullohen siç duan ata që kanë në dorë ta bëjnë këtë. Por nuk është kështu. Me këtë arsyetim, asnjëherë nuk kemi bërë atë që duhet si qytetarë dhe udhëtimi drejt demokracisë ka për të mbetur përjetësisht imagjinar e i paarritshëm për shoqërinë tonë. Forca e votës së thjeshtë të shtetasit nuk duhet të nënvleftësohet kurrë. Vetëm duke marrë pjesë në zgjedhje e duke hedhur votën tënde për atë që mendon ti, mund të përmirësosh sistemin votues, mund të heqësh qafe ata që i prishin zgjedhjet e që përpiqen t’i manipulojnë ato. E do të ardhmen tënde demokratike? Voto.

Në SHBA pjesëmarrja në zgjedhje është nga më të ultat ndër vendet demokratike. Natyrisht edhe këtu pjesëmarrja ka rëndësinë e vet. Po kjo rëndësi as që mund të krahasohet me atë që ka në një vend si Shqipëria. Në SHBA demokracia është një tren që ka kohë që shkon në shinat e veta. Mund të shkojë më shpejt apo më ngadalë, por shinat ama i ka. Dhe historia ka treguar se në dorën e kujtdo të ketë qenë pushteti, demokratëve apo republikanëve, vendi ka kohë që është në krye të demokracisë së botës dhe pavarësisht vështirësive të përkohëshme e të veçanta, ka patur periudha të gjata të lulëzimit ekonomik.

Kurse për Shqipërinë, asgjë nuk ka rëndësi aq të madhe sa pjesëmarrja në zgjedhje. Dhe është fare e pajustifikueshme dhe tepër e dëmshme për zhvillimin demokratik që në zgjedhjet shqiptare pjesëmarrja vërtitet në 50% dhe bile ka një prirje në pakësim. Votimi është arma e vetme më efikase demokratike që cilido shqiptar duhet ta përdorë e të mos lërë t’i ndryshket sirtarëve. Eshtë tjetër gjë se për cilin voton. Pjesëmarrja është e para. Pastaj për atë që voton, është përgjegjësia jote, përvoja, mençuria, nuhatja, harresa e të tjera e të tjera. Dhe në fund të fundit, ti meriton të kesh mbi krye ata që zgjedh me votën tënde demokratike, të mirë apo të liq qofshin.

Gjithsesi, lidhur me pjesëmarrjen në zgjedhje, eksperimenti i studjuesve amerikanë mund t’i japë ide të reja e të vlefshme organizamave që studjojnë e mbikqyrin pjesëmarrjet në zgjedhje apo ndonjë OJQ-je Shqipëri për të nxitur njerëzit të votojnë duke përdorur jo vetëm format e mësipërme por edhe elementë të tjerë që lozin rol në jetën, botën e psikologjinë shqiptare.

Botuar në gazetën Tema, 30 tetor 2008

Sunday, October 12, 2008

Shporta me karavidhe e mendimit shqiptar

Një artikull i Kiço Blushit në Gazeta Shqiptare të së dielës, 12 tetor, shkaktoi një mori reagimesh shumica me duf të papërmbajtur patologjik. Në qoftë se Kiço Blushi do të shkruante me një pseudonim që nuk e di njeri ashtu siç shkruajnë shumica e anonimatit internetist, gjysma e argumenteve të komentshkruesve do të binin, se ato në fakt merren me vetë personin e zotit Blushi, familjen e tij dhe të kaluarën. Kiço Blushi është një nga penat e spikatura në gazetarinë shqiptare të pas-demokracisë. Mund të jesh apo të mos jesh dakord me të po kompetenca e shkrimeve të tij të detyron t’i përgjigjesh me argumente e logjikë e jo me kodra pas bregut e mllefe frelëshuara që të ngjethin leshtë e kokës.

Jo me të gjitha ato që thotë z. Blushi në shkrimin e fundit është dakord autori i këtyre rradhëve. Ai nuk është dakord as me prirjen kristiano-ortodokse që z. Blushi e tjerr me shumicë nëpër shkrimet e veta. E keqja e sotme shqiptare nuk i vjen Shqipërisë nga feja muslimane e cila ka strehë në një pjesë të shoqërisë shqiptare, por nga mentaliteti i trashëguar i së kaluarës ku periudha komuniste ka një rol mbizotërues. Pjesa më aktive e shoqërisë shqiptare janë sot njerëz që nuk e praktikojnë fenë bile edhe që nuk besojnë fare në zot gjë që nuk është as turp e as marre ta thuash. Kemi parë këto vite gjithfarsoj pushtetarësh të shumtë me origjinë të të gjitha feve e besimeve që kanë shpërdoruar pushtetin e janë tallur me votat e popullit. Pastaj zoti Blushi nuk ka pse u vë borinë më kot emigrantëve “anti-sllavo ortodoksë“ siç i quan ai. Faji nuk është tek ta por te vetë shoqëria shqiptare që jeton në Shqipëri dhe bën jetën atje.

Në komentet për këtë shkrim, si dhe në komente të tjera për të tjera shkrime, ka sidoqoftë mendime të mençura e të vlefshme, ka dhe njerëz me vizione të qarta e që dinë ç’shprehin e kërkojnë. Por gjithsesi ato janë pranë e krah më krah me plot të tjera mendime aspak serioze, të shprehura shpesh herë pa lexuar mirë shkrimin për të cilin bëhet komenti e që futen në debat thjeshtë për të vrarë kohën. Pikërisht këto mendime përçarte janë ato që e degradojnë opinionin shqiptar.

Duke lënë mënjanë pështymat e këllirat që përmbajnë shumë nga komentet e që bëjnë të mjerë çdo letër gazete, vini re dy nga komentet për shkrimin e fundit të zotit Blushi: “Atehere çohuni e bjeruni tradhëtarëve me gurrë, me dru, me fjaeë e me se të mundni! Mos ti lejojmë të ikin duke u tallur me idealin e Shqipes, me krenarinë tonë më të lartë e hyjnore, po ti ç'nderojmë e të ikin me turp porsi laviret që bëjnë pare duke shit nderin dhe trupin e tyre.” (Petrit Kola). (Kujt t’i biem more petrit patrioti i dyfekut me gjalmë? Pse nuk na thua se kujt duhet t’i biem? Apo t’i biem njëri tjetrit e të bëjmë luftë civile? Mjerë logjika e politika që dashka mend nga ty!). “Pasuria më e madhe e kombit shqiptar që nga Skënderbeu, Konica, është dr. prf. Sali Berisha, Lulzim Basha. Këta janë vlera për të gjith shqiptarët kudo që ndodhen me keto 2-vlera te cmuara kombi shqiptar krenohet u rrit ose me mir u rifitu identiteti shqiptar.” (meridag). (Ja pra që paskemi dalë në selamet me këto dy vlera të mëdha: Sali Berisha e Lulzim Basha dhe e pakemi zgjidhur problemin e identiteti shqiptar. Rroftë liria e përçartjes o meridag!).

Ka në komente njerëz që vlerësojnë z. Blushi si një gazetar të guximshëm e si qytetar të ndershëm që i dhimbet populli e kombi, ka të tjerë që e shajnë atë si të shitur te greku e Janullatosi dhe flakin ndaj tij sharjet më të ndryra perverse. Mendimet e opinionet shpërndahen pra në këtë rast në 360 gradë dhe qytetari i gjorë që nuk jep mendim por vetëm dëgjon e sheh (sepse në këtë botë jo të gjithë japin mendime e ide) nuk di nga t’ja mbajë e ç’mendim të përqafojë.

Pse vallë ndëdh kështu? Pse ka kaq zhurmë në mendimin amorf shqiptar të gjërave të përditëshme? Pse është aq kaotik mendimi politik, opinioni për çështjet e ndryshme që shqetësojnë publikun? Vini re çfar komente gjenerojnë opinionet e artikujshkruesve në median shqiptare. Sa mllef e urrejtje ka në to dhe sa pak maturi, vetpërmbajtje e gjykim të shëndoshë. Nuk do shumë mend për të gjykuar një shoqëri nga zhurma e opinioneve kafe-internetiste që pasqyrohet në një mënyrë lidhjeje reciproke edhe në median e shkruar apo audiovizive të vendit.

Mendoj se një shembull të shëmtuar të polemikës e debatit mbi opinionet e jep më së pari vetë media shqiptare, e shkruar, e dëgjuar apo e shikuar. Ajo pastaj ndiqet e shumfishohet në taborret anonime që vërsulen në cybermedia. Artikullshkruesit shpesh sulmojnë personin dhe jo problemin, ndonjëherë edhe njeri tjetrin, luftojnë me çomage e hanxharë e jo me argumente e kulturë. Vini re median në SHBA. Sipas prirjeve të tyre, gazetarët kolumnistë ndahen në liberalë apo konservatorë. Liberalë janë për shembull Pol Krugman i New York Times dhe Riçard Kohen i Washington Post, apo konservatorë janë Çarls Krothamer i Washington Post dhe Rouland Evans (vdiq tani së fundi) i The Chikago Sun-Times, por në shkrimet e tyre nuk gjen kurrë referenca e jo më sharje apo fyerje për njeri tjetrin. Ata luftojnë idetë që lëvizin në shoqërinë amerikane dhe që ata i quajnë të dëmshme apo të favorshme, por kurrë në artikujt e tyre nuk gjen mllef, kutërbim patologjik e mendësi shfarosëse.

Etika e të shkruarit duhet ta shqetësojë shumë median shqiptare ende në formim. Gazetat nuk duhet të lejojnë kurrë, qoftë edhe në versionet e tyre të internetit, shkrime apo komente me fjalë fyese nga më të turpshmet e më të ultat dhe gjuhë rrugaçësh apo zhargone të shëmtuara gjoja humoreske.

Kjo luftë bezdisëse dhe e zhurmëshme dhe aspak një debat i ndershëm e i vetpërmbajtur ka bërë që spektri i mendimit opinionbërës shqiptar të shpërndahet në të gjithë planin 360 gradësh, pa lejuar konvergjencën drejt ideve kryesore që s’është e thënë të jenë kurdoherë gjithëpërjashtuese. Dhe duke qenë i tillë mendimi shqiptar kthehet në një shportë me karavidhe e cila siç e di gjithkush, nuk bën kurrë përpara.

(Botuar në gazetën Sot, 16 tetor 2008)

Thursday, October 02, 2008

Llumi e balta shqiptare

Nuk e kemi fjalën për llumin e baltën e rrugëve që tani që vjen dimri nis e i shtohet peisazhit të mëmëdheut. Me ato shqiptarët janë mësuar. Vënë nga një shkorsë të trashë te dera e shtëpisë dhe bile i heqin dhe këpucët sapo hyjnë kur dëgjojnë ulërimën e zonjave të shtëpisë se kanë sjellë baltën brenda. Me kusuret e tjera që sjell llumi e balta janë mësuar.

Po ç’ti bësh kur llumi e balta përmbytin opinionet tona, fjalëzimin e artikuluar nëpërmjet medias së shkruar e audiovizive, internetit, foltoreve publike e kafeneve ku lëviz kakofonia më e shthurur, më e pistë e më e palogjikëshme që mund të prodhojë rraca njerëzore mbi dhe. Këtë nuk ka shkorsë e amvisë ta pastrojë dhe e akumuluar ditë pas dite ajo kthehet në një murtajë të vërtetë për veprimin qytetar, për përparimin dhe qënien tonë normale si njerëz.

Ky llum e baltë është llafazanëria e papërmbajtëshme shqiptare, dhënia mend për çdo gjë të botës që nga kokrra e misrit e deri te problemet e kuarkeve bërthamore, hamendësimet groteske e të kotmëkota, nxirja e përbaltja e gjithkujt që ka patur fatin të lindë e të jetë shqiptar në këtë botë, bjerrja e logjikës, gjuha e degraduar në dialektalizma banale dhe zhargonet maçoiste që të kallin krupën.

Kujt i duken si shumë këto që përmenda këtu, le të dalë e të rrijë ca ditë kafeneve të Tiranës, t’u hedhë një sy gazetave në mëngjes e të shohë stacionet televizive në darkë dhe pastaj të hyjë në internet e të shohë forumet e gazetave dhe blogjet e uebsajtet shqiptare. Aktualisht, shprehja kësisoj e opinioneve, në mënyrën më të çorganizuar, kaotike e skandaloze që mund të bëhet, është një zeje moderne shqiptare që lë në hije të gjithë veprimtarinë tjetër jetësore të këtyre qënieve humane.

Një i huaj, dashamir i Shqipërisë, që ka qenë atje disa herë, më pyeti një ditë: “A ka ndonjë njeri të shquar e të ndershëm në Shqipëri?” “Çfar flet?” i thashë. “Ka sa të duash.” “Mirë,” qeshi miku. “Më thuaj vetëm nja dy a tre.” Unë mblodha supet dhe po mendohesha po ai nuk më la. “Ja, tha, ç’mendon ti për këtë..., ja dhe ky tjetri?” dhe përmendi disa emra që njihen në jetën shqiptare. “Po,” thashë. “Ja këta për shembull.” “Po shiko se çfar thuhet për ta,” ma rrëmbeu fjalën miku dhe i paduruar më renditi pasazhe gazetash, forumesh e bllogesh ku këta persona deklaroheshin hajdutë me çizme, tradhëtarë të kombit, agjentë të huaj e ku di unë çfar tjetër. Që të lëmë mënjanë se si u bënin biografitë një më një e i shanin edhe nga nënat.

E pra, a ka vërtet ndonjë politikan, deputet, ministër, specialist, ndonjë shkencëtar, gazetar, aktivist qytetar që të jetë i ndershëm në këtë qerrata vend? Se po t’i besosh llumit e baltës shqiptare të gjithë janë të përmjerrë si ato kumbullat e Nastradin Efendisë. Flitet për vjedhje, korrupsion, shpërdorim të pushtetit dhe të gjitha këto janë reale. Po dreqi ta hajë, jo të gjithë vjedhin, janë të korruptuar e shpërdorojnë. Por jo, të gjithë akuzojnë dhe akuzohen në Shqipëri, rrugë të mesme nuk ka. Teorira pa fund, hipoteza e dyshime për të cilat vihet dora në zjarr ( figurativ) po që nuk vërtetohen; përçartje logjike: ky është i grekut, ky i serbit, ky i Bin Ladenit, ky ka vjedhur kaq, ai aq, ky merret me këtë e atë se ma ka thënë kushëriri i një mikut të komshiut që kam në kat.

(Për të hapur një parantezë, do të thoshim se përbaltja e gjithkujt dhe e çdo gjëje lë dukurinë negative pa goditur. E bën atë të majmet e të zërë kryet e vendit. Pa dyshim që në Shqipëri ka korrupsion. Por kur ti bën hajdut cilindo i ke dhënë amnisti hajdutëve të vërtetë. Pa përmendur pastaj se sa energji e punëra të dobishme bjerren më kot kur njerëz të ndershëm shohin se goditen, shahen, shpifen e mallkohen e kuturisin të mbyllen në guackën e tyre.)

Vija re ditë më parë reagimin ndaj një shkrimi të botuar nga Fatos Lubonja për një shkrimtar shqiptar zënë për transport droge në një kufi. Shkrimi ngrinte me mjaft mençuri probleme mjaft të mprehta për shoqërinë. Ndërsa kur lexoje komentet që i bëheshin shkrimit hyje drejtpërdrejt në zonën e llumit e të baltës. Ca i binin gozhdëve e ca të tjerë patkojve. Dhe sa të shumtë këta gozhdë e patkoj! Shumë nga ta të jepnin përshtypjen se nuk e kishin lexuar shkrimin por nxitonin që të thoshin komentin e tyre. Njëri i turrej artikullshkruesit dhe i kujtonte ca histori të vjetra. Tjetri e këshillonte që të shkruante për atë e për këtë. Një tjetër hapte kotmësikoti temën në se duhet apo jo Lidhja e Shkrimtarëve dhe një tjetër jepte shembullin se në SHBA qënka një shkrimtar që jeton në pyjet e Virxhinias dhe ai nuk ka fare nevojë për Lidhje Shkrimtarësh. Hajde mendje, hajde! Hajde erudicion, hajde! Hajde fluturim me presh, hajde!

Pse ndodh kjo kakofoni amorfe në mendimin dhe opinionin shqiptar që nuk gjendet kund në botë? Ç’përfundim del nga bisedat e kafeneve dhe diskutimet në TV, forume e bllogje interneti? Shpesh herë nuk del asnjë përfundim ose del ai përfundimi që shfaqet rëndom si në llumin e trishueshëm të kafesë: se ky vend nuk bëhet kurrë. Pjesëmarrësit në orgji të tilla diskutimesh, lënë fushëbetajat e u kthehen për pak çaste punëve të veta, të kënaqur se shfrynë dufet. Dhe kaq.

Pse vallë ndodh kjo? Vitet e para pas demokracisë, kur vija re këtë gjendje, thosha me vete se do të kalonte për pak kohë. Arsyetoja se nga që dilnim nga një rend i egër diktatorial ku futeshe në burg edhe po të thoshe se llampat e Vlorës digjen më shpejt se ato të jashtmet, qemë të etur të flisnim e të flisnim të gjitha ç’na donte shpirti dhe kjo llafazanëri justifikohej pra me lirinë. A jemi të lirë? A është i lirë fjala, mendimi e shprehja? OK, atëhere jepi, o burra! Por tani që shoh se kjo u zgjat shumë dhe u shtua edhe më prapa përçartjeve të kafeneve, gazetave, radiove, TV, forumeve e bllogjeve me skalionet e anonimatit që s’lënë kusur dhe nuk mbetet vlerë e jetës shqiptare pa u shnderuar e përdhosur, them se arsyeja është gjëkundi tjetër. Është te kultura që kemi ne si komb.

Përgjithësisht ne na mungon njerëzillëku, kultura e të qënit njeri, qytetar. Probleme si tonat ka e gjithë bota. Po jo të gjithë prodhojnë kaq llum e baltë. Jo të gjithë, si ne, thonë të parën fjalën që duhet thënë e fundit apo nuk thuhet kurrë. Jo të gjithë, si ne luftojnë personin e jo problemin (që e harrojnë fare), jo të gjithë, si ne, hiqen se i dinë të gjitha e i bëjnë të gjitha, jo të gjithë si ne rrëmbehen e pasionohen në kulm edhe për biseda fare të thjeshta sikur nga to të merret vendimi për jetë a vdekje i planetit, jo të gjithë si ne jepen pas fjalëve dhe harrojnë se veprimi është ai që e shpie përpara kombin e shoqërinë.

E pra duhet më shumë kulturë qytetare që të rreshtë zhaurima e shëmtuar e llafazanërisë shqiptare. Ky llum e kjo baltë prodhohet në Shqipëri dhe në botë, kudo që jetojnë shqiptarët. Dhe ata që jetojnë sot jashtë janë një e treta e atyre që jetojnë në vend. Dhe po të marrim parasysh pjesën e popullsisë brenda vendit që nuk ndërhyn në këtë zhaurimë, bile ndoshta edhe nuk di gjë për të ashtu të zhytur në hallet e përditëshme të jetës, ndoshta kontributi nga jashtë është më i madh se nga brenda. Do të ishte e turpshme dhe e dhimbshme që shqiptarët jashtë Shqipërie të sillnin në mëmëdhe llum e baltë dhe jo kulturën e vendeve ku kanë shkuar e jetojnë. Për asgjë nuk ka nevojë ky vend më shumë se për kulturën.

(Botuar në gazetën Tema, 3 tetor 2008)