Shqiperia e udhekryqeve

Edhe pse jam larg Shqipërisë, fëmijërinë dhe një pjesë të rinisë e kam kaluar atje dhe sado që botën e quaj atdheun tim të madh, është kurdoherë një atdhe i vogël, një qytet, një fshat, një mal,një lumë apo një perëndim dielli ku na shkon mendja herë pas here. Pse Shqipëria e udhëkryqeve? Sepse mbeti udhëkryqeve në tërë historinë e saj, se lanë kurrë të zgjedhë rrugë po e tërhoqën me hir a me pahir në rrugë pa krye.

My Photo
Name:
Location: Berkeley, California, United States

Jam ai që nuk kam qenë Do të jem ai që nuk jam.

Monday, November 07, 2011

Bufër e skifterë hipur mbi kuaj e gomerë

Kur sheh aspekte të jetës politike në Shqipëri, shumë veprime të mazhorancës në pushtet të trembin e tmerrojnë. Por kur kthen sytë nga opozita, edhe ajo të tremb e të tmerron jo më pak. Bir Selman i nënës kë të qaj më parë, i thonë. Kongresi i fundit i saj ishte një brohoritje festive nga ato që bënin pionierët e kohës së Enverit. Kryetari i opozitës, pasi e mendoi mirë se strategjia e të gjitha taktikat e dy viteve të fundit nuk i ecën, e ktheu timonin e anijes për në det të qetë. Sipas tij, keto dy vjet, ai u përpoq t'i tregonte Evropës se kush ishte uzurpatori i demokracisë. Tani do të tregojë se kush është ai dhe shokët e tij. Aferim!

Te gjithe u kënaqen nga kongresi. Përveç ndonjë pëshpëritësi që nuk e ka të gjatë e do t'ja mbyllin derën fare. Sepse aty tani të hanë të gjallë skifterët e rinj bashkë me ca bufër pleq që i duhen kryetarit qoftë për vota e qoftë për të mbajtur lidhjet me bazën e partisë. Një nga këta bufër, i dha dhe teserën e partisë një skifteri të ri që e shiti apartitizmin se i erdhi mosha për martesë. Bile këtë këshillë i dha dhe bufi plak, martohu sa më parë i tha që të këndojmë në dasëm "bashkohu shok me ne në çetë". Kongres i qyfyreve në një Shqipëri qyfyresh.

Por le të bëhemi më seriozë e t'i hedhim një sy Programit të Partisë Socialiste botuar në internet (http://issuu.com/edirama/docs/ps-programi). Ky program shkruar me stilin e kryetarit dhe mbushur me materialet e ekspertëve të grupit të punës, të kënaq me ngjyrat, faqosjen dhe deklarimin këngëtor ku buçet me mashështi e optimizëm e ardhmja e shqiptarëve kur kjo parti të vijë në pushtet. A nuk kanë mbetur vallë njerëz që ta kenë mendjen në vend te kjo parti apo rrotull saj qe të mos e shohin se ç'është ky hartim i gjatë ekzaltues që quhet Program?

Me siguri që ka, po ata trëmben të thonë gjë se u ndodh si me atë prrallën e Til Ulenshpigelit që përmend Noli në fjalimin e tij të famshëm në parlamentin shqiptar në 1923. Kur Ulenshpigelit i kerkuan t'i tregonte kontit dekorimin qe i kishte bërë ai kështjellës dhe për të cilën kishte marrë nje barrë para, ai u tha: vetëm ata që janë kopila e kopile nuk i shohin dot kryeveprat e mija. Dhe kështu askush nuk pipëtiu dhe nuk tha se nuk shihte gjë. Vetëm, një shërbëtore e shkretë, tha: E zeza nëna ime, më paska bërë kopile mua se unë nuk shoh gjë. Kështu u hodh e tha një fjalë një ish president dhe e bënë menjëherë doç e bir doçi. Është hedhur thanë në prehrin e uzurpatorit.

Po çfar tha ky ish presidenti. Tha që nuk është e mundur të krijohen 300,000 vende pune brenda katër vjetëve. Dhe ai ka të drejtë. Këta bufërit e vjetër që kanë bërë shkollat e Enverit dhe që kryetari i gjatë po i kthen në kryesinë e partisë së tij, i dinë mirë si t'i bëjnë këto programe se kështu i bënte dhe babazoti i tyre. Dhe fap, ja japin në dorë ustait ta shpallë: 300,000 vende pune, ose nga 75,000 në vit siç këndoi një skifterkë bjonde. E dinë këta bufër e skifterë se sa duhet të investojë shteti për një vend pune?

Në Amerikë, në planin stimulues të Obamës, krijimi i një vendi pune kushton 312,500 $. Sipas Martin Feeldshtain, një ekonomist i Harvardit, çdo punë e krijuar do t'u kushtonte taksapaguesve rreth 200,000 $. Duke marrë afërsisht raportin e pagave midis Shqipërisë dhe SHBA 1:10, na del se për Shqipërinë kjo shifër do të ishte 20,000 $. Po ta shumëzojmë me 300,000 vende pune del as më shumë e as më pak se 6 miliard $, ose afërsisht sa buxheti i vendit për një vit e gjysmë. Ku do t'i gjejë kjo Partia e bufërve dhe skifterëve këto para?

Dhe përveç kësaj, programi ka premtime të tjera të derdhura bujarisht: pesëfishim i financimit publik për bujqësinë, zero taksë mbi konsumatorët për miellin, bukën, qumështin, vezët dhe ilaçet, minimumi i pensionit 40% i pagës mestare etj, etj. "Programi i ri i Partisë Socialiste është program në dukje politik por që në thelb shkon përtej tij, është një pogram i mirfilltë qeverisës”. Kështu deklaroi një nga skifterkat e PS në intervistën e RTV Ora News. Ka turk që e mer vesh këtë shqipe se shqiptar s'ka e s'ka: është në dukje program politik por shkon deri te një program i mirëfilltë qeverisës. Kryevepëer fare! Tamam i stilit të kryetarit të gjatë veçse ky i ka fjalitë më të gjata se ç'është vetë kur i rreshton ato hartimet e veta në internet.

Le pastaj kur kongresin e përshëndetën ca shpendë të tjerë, ca të rrjepur, ca të përglasur, rosakë, kaposhë e papagaj gjithfarsoj. Një papagall i njohur anglo-sakson tha se nuk ishte zakon që një i djathtë të shkonte në një kongres të të majtëve por ai qe i detyruar ta bënte për inat të së vjerrës.

E pra, askush me mend nuk thotë se Shqipëria i ka punët në vijë. Kushdo e di se korrupsioni bën hatanë, se pushtetarët mendojnë si të bëjnë një vilë në plazh a në fshat, si të mbajnë fëmijët me bursa jashtë, apo si të vënë ca para mënjanë në ca banka që s'i di kush. Kushdo e di se Tirana është një vitrinë "ku bëhet qejf" në dëm të një popullsie që vuan për bukë e që ndodh që shet edhe fëmijët për prostituim. Të gjithë se dimë sa paguhen mjekët e mësuesit ndaj dhe prishin ndërgjegjen dhe bëjnë sikur nuk e shohin zarfin që u futet në xhep. Të gjithë e dimë se anjë dhëmb i vogël i ingranazheve të mëdha të rrotës së rrotës së shtetit nuk lëviz po nuk u ngjye me grason e rrushfetit. Të gjithë e dimë si bëhen tenderat e si ndahen pronat e atyre që zverdhën letrat e pronarëve në duar. Të gjithë e dimë se sa ters e vërtitin sherianë ata kadinjtë e gjykatave. Por ajo që dimë katërcipërisht e nuk duam të bëhet është karuseli i pushteteve që të ikë një parti e të vijë tjetra për të nisur të njëjtin cikël nga e para, këtë herë me të tjerë bufër e skifterë në krye të vendit.

Para se të pretendojë për një program të vërtetë qeverisjeje, dhe të rrëzojë nga kali kalorësin e ngjirur të fytyrës së vrerosur, Partia Socialiste duhet të hapë veten dhe të lërë demokracinë brenda saj. E keqja e kësaj partie është tek kryetari i saj që asnjëherë nuk ka qenë i afërt me bazën e kësaj partie. Atij ju desh një kalë dhe e gjeti, ashtu lëkurëxhvoshkur, pa patkoj e që mezi mbahej në këmbë por prapë, ai ja hipi. Me revan deshi të shkonte në luftë me të por e pa që nuk qe gjë. Atëhere e mbushi me lule e dafina dhe tani ecën shtruar. Në Shqipëri po s'pate një kalë (apo qoftë dhe një gomar) domethënë, një parti, nuk ke gjë në vijë e nuk bëhesh politikan. Nuk ka rëndësi si është ky kalë apo gomar: i bardhë, i zi, kuqo apo bojë hiri, me samar, pa samar, me shalë apo pa shalë, dhëmbërënë apo riosh. Nuk ka rëndësi. Mund edhe ta blesh siç ka ndodhur, apo t'ja marrësh dikujt tjetër me një truk apo hile.

Po pse duhet që këta kuaj a gomerë (alias parti) të çmohem kaq shumë? Pse këta njerëz të lirë nuk mësohen të rrojnë pa zot por e duan një kryetar në krye? Pse duhen akoma këto tesra partie e këto "çeta ku bashkohen shokët"? Pse autoritetin ta jep patjetër ai kalë, apo gomar, domethënë parti, që i ke hipur? Ohu sa pyetje ka i ziu njeri! As ai bejtexhiu i palodhur i partisë që u ndje i tradhëtuar në fushën e luftës e që i bie e i bie pa pushim daulles së tij te "Shekulli", nuk i jep dum kësaj pune. Shqipni tavolinash, thotë një analist i njohur me kulturë numizmatike. Po në fakt, me gjithë tavolinat e tij, është thjeshtë e shkurt: Shqipni muti.


Botuar në gazetën Idea, Nëntor 10, 2011