Shqiperia e udhekryqeve

Edhe pse jam larg Shqipërisë, fëmijërinë dhe një pjesë të rinisë e kam kaluar atje dhe sado që botën e quaj atdheun tim të madh, është kurdoherë një atdhe i vogël, një qytet, një fshat, një mal,një lumë apo një perëndim dielli ku na shkon mendja herë pas here. Pse Shqipëria e udhëkryqeve? Sepse mbeti udhëkryqeve në tërë historinë e saj, se lanë kurrë të zgjedhë rrugë po e tërhoqën me hir a me pahir në rrugë pa krye.

My Photo
Name:
Location: Berkeley, California, United States

Jam ai që nuk kam qenë Do të jem ai që nuk jam.

Saturday, September 30, 2006

Orët e ministrit apo ministri i orëve

Përveç çështjes Albatros që përshkënditi median shqiptare kohët e fundit e që mesa duket do të harrohet shpejt si shumë të tjera para saj, më ka rënë në sy një letër e mençur e zotit Geri Kokalari drejtuar ministrit të mbrojtjes së Shqipërisë, Fatmir Mediu lidhur me një koleksion orësh të shtrenjta të këtij të fundit. Kam pritur që ministri të reagonte disi. Ndoshta ai ka qenë i zënë këto ditë me organizimin e takimit të ministrave të mbrojtjes së Evropës Juglindore dhe pritjen e sekretarit amerikan të mbrojtjes Donald Rumsfeld. Dhe nuk dua të bëj Kasandrën duke thënë se ai nuk do t’i përgjigjet një akuze të tillë të bërë haptazi nga një njeri mendjehapur që e godet në të majtë e në të djathtë korrupsionin në Shqipëri.

Sigurisht njeriu nuk i di të gjitha për një tjetër njeri: si rron, si e fiton jetën, si e ka gjetur shtëpinë, si e ka bërë katandinë e tij e të tjera. Por në një vend të vogël si Shqipëria, shumë gjëra merren vesh kollaj, falë lidhjeve të shumta farefisnore e miqësore e falë gjithashtu kurreshtjes shpuese shqiptare për të zhbiriluar ato që tjetri mundohet t’i fshehë. Vërtet që sot janë rritur mundësitë për të fshehur zullumet e prapësitë e thënë troç, deri allishverishet e hajdutllëqet. Kjo dihet që ka banka e llogari jashtë shtetit apo edhe brenda po me emra të tjera, ndrrime me gjasme pronësish e dhjetra makinacione të tjera kamufluese për një pasuri që nuk e ke vënë me djersën tënde por ke shitur shërbimet e postit të shtetit. Por i ziu njeri ka edhe një hall tjetër: ai nuk mund të rrojë dot në këtë gjendje gjynafqari. Lezeti e do që atë që ka marrë me nder a pa nder, ta nxjerë e rrëfejë në mexhlis. Se a do t’ja vlente përshembull të kesh një orë 15,000 dollarëshe e ta mbash nën dyshekun që fle. Pse të duhet ajo, mos vallë që t’i përgjigjesh gruas natën kur të pyet sa është ora? Jo, ajo të duhet që të ta shohin të tjerët që e ke ti atë në dorë. Mirpo këtu fillon kontradikta. Sepse ja beh papritmas ky zoti Kokalari apo ndonjë tjetër që s’i rri b... rehat dhe na kerkon të vërtetojmë origjinën e kësaj ore apo të tërë koleksionit. Ah sa e koklavitur është kjo bota njerëzore!

Shakaja bëhet më e lezeçme kur merr vesh se zoti Mediu është nga më të këputurit politikanë shqiptarë. Ai ishte deri së fundi pa shtëpi dhe atë që ka tani, e ka me kredinë që vazhdon ta lajë. Mjerë ai! Por nga ana tjetër, zoti Mediu është me profesion gjeolog dhe ai e di mirë vlerën e metaleve e gurëve të çmuar.

Por le ta analizojmë qoftë përciptazi karrierën e këtij ministri. Në krye të herës, ai ju qas një partie që sigurisht nuk e kishte krijuar ai. Arriti të çajë në të falë shkathtësive të veta, duke mënjanuar e hedhur poshtë si ballast shumë nga bashkëpunëtorët e tij në parti me qëllim që balloni i tij të ngjitej përpjetë. Manovroi më të majtë e më të djathtë në krye të një partie që u vetëshpall kampione e kthimit të pronave, që duke qenë republikane bashkëpunoi ndonjëherë edhe me monarkistët dhe që punën e pronave e harroi sapo u bë pjesëtare në qeveri. Dhe të mendosh se pas kësaj partie, ashtu si edhe pas partive të tjera vogëlushe, po t’u besosh rezultateve pa Dushk, a janë a s’janë 10-15 mijë shqiptarë. I bukur përfaqësim!

Këto janë paradokset e qeverisjes së sotme shqiptare, kur një ish gjeolog kryeson ministrinë e mbrojtjes, një tjetër ish gjeolog, me tre diploma universitare e katër kalamaj, kryeson atë të kulturës (se si ka arritur ky i shkreti të marrë në dhjetë vjet tre diploma e të bëjë katër kalamaj, një zot e di!) për të mos shkuar më tej te xhuvelëritë e tjera. Dhe kjo vetëm e vetëm se është pazari politik dhe jo ai profesional apo intelektual që vendos në ngritjen e qeverisë. Eshtë kjo që të njëjtët fytyra i sheh të hidhen sa nga një ministri te tjetra me vite e vite si majmunët në degët e pemëve prapa rrjetave të një parku zoologjik.

A do ta mbronte dot siç duhet Shqipërinë një i tillë ministër mbrojtjeje në një ditë rrezikzezë? Vështirë ta thuash këtë. Gjithsesi, edhe një ushtari të thjeshtë shqiptar atje në Irak apo Afganistan, në një çast kur veshët nuk i dëgjojnë krisma dhe është në prehje apo jashtë rrezikut, duke dëgjuar për orët e ministrit të tij të mbrojtjes do t’i vinte gjyç e do të vriste mendjen se pse është dërguar ai atje të luftojë për lirinë e të tjerëve kur në vendin e tij korrupsioni s’lë askënd të jetë i lirë me të vërtetë.

Zbulimi i zotit Kokalari është vetëm një vrimë e zezë në kozmosin mbushur me vrima të zeza të jetës politike shqiptare. Thonë që vrimat e zeza janë gllabëruese të materjes falë gravitacionit jashtzakonisht të madh që kanë. Politika shqiptare është një e tillë. Ç’mbetet të përpijë tjetër nga Shqipëria përveç vetes së saj?


Botuar në Gazeta Sot, 30 shtator 2006

Jam nga Toka, Ati im

Nga të gjithë popujt e botës, vetëm çifutët ndoshta u a kalojnë tradicionalisht shqiptarëve në ndjenjën e tyre të emigrimit. Në shekujt e 15-18, dhjetra e qindra mijra shqiptarë emigruan në jugun e Italisë e në Greqi e ca më pak përpjetë bregdetit dalmat. Në shekullin e 19 shqiptarët emigruan me dhjetra mijra më së shumti në disa nga vendet e Ballkanit (Rumani, Bullgari e Turqi) si dhe në Egjipt e deri në Rusi. Gjatë dhjetvjeçarëve të parë të shekullit 20, emigracioni shqiptar u drejtua për në SHBA, Argjentinë, Australi dhe Francë. Vetëm në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në valën e parë midis 1892 dhe 1914 përfshihen 20-30 mijë shqiptarë. Duke lënë mënjanë të arratisurit nga regjimi i diktatorit Hoxha, emigracioni u ngri gjatë periudhës 1945-1989.

Dhjetvjeçari i fundit i shekullit të 20-të, shënon valën më të madhe migratore shqiptare të parë ndonjëherë gjatë historisë së këtij kombi. Kaq e ndrydhur ishte liria e lëvizjes nën diktaturën komuniste sa që ajo shpërtheu si një sustë e fuqishme dhe prodhoi disa nga pamjet më makabre të historisë së migrimit të shoqërisë njerëzore në përgjithësi. Askush nuk ka për të harruar tejmbushjen e oborreve të ambasadave në Tiranë, pamjet e vaporëve të ndryshkur veshur në kuptimin e plotë të fjalës me trupat njerëzorë, stadiumet e Italisë shndrruar në kampe refugjatësh, të mbyturit e shumtë në dete e të ngrirët në malet e Greqisë veriperëndimore.

Qarkullojnë shifra të ndryshme lidhur me emigracionin shqiptar. Duke lënë mënjanë emigracionin e vjetër të shekujve 15-19 dhe të gjysmës së parë të shekullit 20, vetëm gjatë periudhës 1990-2005, përllogariten rreth 1 milion shqiptarë që kanë lënë trojet e vendlindjes dhe janë vendosur anembanë botës. Shifrat janë të ndryshme sipas burimeve e autorëve të ndryshëm por është e qartë se fluksi i emigracionit të shqiptarëve gjatë kësaj periudhe ka qenë pesë herë më i lartë se mesatarja e fluksit të migrimit në vendet në zhvillim. Sipas prof. Kosta Barjabës, në periudhën 1990-2003 emigruan rreth 45 përqind e profesorëve dhe studjuesve nga universitetet dhe institutet shqiptare dhe po kështu bënë 65 përqind e studjuesve që fituan grada doktorature në Perëndim në periudhën 1980-1990.

Në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, sipas një censusi të vitit 2000 figurojnë rreth 114 mijë shqiptarë. Kjo shifër është tepër e vëgël po të shfletosh burime të tjera. Numri i shqiptarëve në SHBA sot ka gjasa të jetë midis 300 e 400 mijë.

Këto vitet e fundit shqiptarët kanë ikur me ligj e pa ligj, haptazi e si klandestinë, me pasaporta të rregullta apo me emra të rrejshëm. Me mijra e mijra kanë ikur me viza të rregullta duke u përfshirë në grupe pune, delegacione, ekipe sportive e kulturore. Mua vetë më ka rastisur të takoj jashtë Shqipërisë analfabetë që kanë ardhur me viza si për pjesëmarrje deri në konferenca shkencore. Dhjetra mijra kanë emigruar në SHBA e Kanada me programet e pranimit të të huajve nëpërmjet ‘green card’ dhe mijra të tjerë kanë qëndruar nëpër vende të ndryshme edhe pasi kanë mbaruar shkollat e larta. Eshtë i paimagjinueshëm numri i azilantëve politikë shqiptarë. Në Amerikë ka me mijra e mijra shqiptarë që kanë fituar qëndrimin e përhershëm duke u qarë se nuk ktheheshin dot në Shqipëri se i vrisnin apo i burgosnin të djathtët, pastaj se i vrisnin apo i burgosnin të majtët, janë hequr për kosovarë që kishin frikë të ktheheshin në vendlindje nga frika serbe apo deri homoseksualë apo të sekteve të ndryshme fetare me pretendimin se sojin e tyre e përbuzin dhe linçojnë në Shqipëri. Ç’nuk kanë bërë shqiptarët e gjorë për ca pakë dokumente që do t’iu ligjësonin qëndrimin!

Ky fluks i madh emigracioni ndikoi dhe ndikon në gjithë strukturimin e ri ekonomik e politik të Shqipërisë. Remitancat apo paratë që hyjnë në këtë vend nga emigracioni llogariten 15 deri 20 përqind rë GDP. Ato janë nga rreth 530 milion $ në vitin 2000 deri në rreth 780 milion $ në 2003.

Pse ikin shqiptarët nga vendi i tyre? Dihet që kurbeti ka qenë një karakteristikë e lashtë shqiptare. Por kurbeti ka qenë një zgjidhje e përkohëshme për një hall apo periudhë të rëndë ekonomike që pllakoste, për t’i ikur shërbimit ushtarak, gjakmarrjes etj. Zakonisht në kurbet shkonin burrat dhe familjet i linin atje ku qenë. Shumica iknin me mendjen për të bërë një pasuri të vogël e për të ardhur prapë në strehën e lindjes. Nga natyra, shqiptarët janë njerëz të hapësirave të gjera edhe pse natyra e historia tokën u a dha të pakët. Ata dinë që të vegjël shumë më tepër nga gjeografia e botës se sa adultë të tjerë në botë. Edhe me mungesa të shumta kulturore kur qëllon të jenë, ata dinë nga vendet e popujt e botës shumë më tepër se ç’dinë banorë të vendeve të ndryshme për vende larg tyre. Shqiptarët përshtaten shpejt me shoqëri të ndryshme, mbijetojnë e çajnë e ngrihen gjer në kulmet e këtyre shoqërive. Kjo vërtetohet që nga epoka e sundimit otoman kur një sërë syresh u bënë vezirë, pashallarë, komandantë e gjeneralë dhe deri dijetarë e teknicienë të perandorisë. Ata e duan atdheun e tyre, duan të dëgjojnë mirë për të e t’i shkojë mbroth zhvillimi, por ama duan më shumë të mirën e tyre dhe në mos u pengofshin nga formacione të tilla siç qe diktatura komuniste, ata tentojnë të shkojnë atje ku është më mirë e jetohet më mirë.

Strategjitë e emigrantëve të sotëm shqiptarë janë të ndryshme. Një pjesë rrahin të bëjnë emigracionin sezonal, shkojnë e vijnë dhe ata nuk zënë dot vend në vendet ku janë. Të tjerë mendojnë të mëkëmben e të bëjnë pakë prokopi për t’u kthyer e kaluar një pension të qetë në vendlindje. Po për të lindurit e të rriturit në emigracion, këto strategji nuk vlejnë. Ata do të mësohen me rregullin, me komoditetin, me jetesën më të sigurt e me gjithëshka që ofron sot bota më e përparuar. Dhe kur të bëhen të pavarur e të fitojnë vetë jetën e tyre, do t’i zërë ndonjëherë malli për dheun e lashtë të prindërve apo të gjyshërve, do shfletojnë gidat turistike dhe mund të bëjnë edhe ndonjë udhëtim e të kalojnë ca ditë tek ai vend ashtu siç erdhi Eliza Dushku, megjithse si ajo, shumë nga ta nuk do ta dinë gjuhën e të parëve. C’est la vie, miku im. Përveç të keqes së madhe të luftës së dytë botërore prodhuar nga një mendje e sëmurë si ajo e Hitlerit, ç’i gjeti vallë çifutët që u shpërndanë nëpër botë dhe i dhanë asaj aq dije e përparim falë vitalitetit e vetive të veçanta humane? Hidhni një sy sot në Ueb dhe do të shihni sa e sa emra shqiptarësh të shquar ka sot nëpër botë, shkencëtarë të rinj, artistë, inxhinierë e teknicienë, djem e vajza të zotë. Vallë do të bëheshin ata të tillë te vendi i origjinës së tyre? Vështirë ta thuash. Jeta është e shkurtër dhe të privon nga eksperimentet.

Në evolucionin e një bote që lëviz drejt integrimit e globalizmit kjo prirje e shqiptarëve është e njëkahëshme. Shqiptarët e kanë atdheun e tyre de facto dhe de jure dhe nuk u ka marrë atë kush si çifutëve dhe as nuk duhen marëveshje e traktate për ta krijuar rishtas. Edhe Kosova, si pjesë e trojeve mbarëshqiptare do të marrë të drejtën e saj dhe nëpërmjet integrimit në Evropë e në botë do të bashkohet me Shqipërinë zyrtare më shpejt se nëpërmjet pasionit anakronik nacionalist panshqiptar. Dhe në një botë pa viza e kufizime lëvizjesh, shqiptarët do të përhapen edhe më nëpër botë, si njerëz mendjehapur, të aftë e të zotët që dinë ta ndërtojnë jetën atje ku mundësitë e liritë janë më të dobishme për ta.

Kur del së pari nga një fshat ku je lindur e rritur e has udhës njerëz që të pyesin se nga je, u thua: Jam nga aksh fshat, o njeri. Kur shkon më larg, e të pyesin prapë, u thua: Jam nga filan krahinë. Kur del jashtë vendit, në vendet fqinjë, e të pyesin përësri, u thua: Jam nga filan vend. Kur shkon përtej Evropës, u thua: Jam nga Evropa, miku im. Dhe në ndodhtë të të pyesin alienë të botrave të tjera, apo më mirë në ndodhtë të të pyesë Zoti vetë, ai i madhi e i përjetëshmi që fetë e ndryshme e quajnë me emër të ndryshëm, patjetër do t’i thuash: Jam nga Toka, Ati im!


Botuar në gazetën Tema, 30 shtator 2006

Monday, September 18, 2006

Biznesi dhe një qeveri e ndershme

E shkuara e lavdishme e Silikon Velli në Kaliforni, SHBA, po njolloset nga hetimet e fundit. Kjo luginë njohu vite më parë një shpërthim të jashtzakonshëm të bizneseve në fushën e teknologjive të reja e të komunikimit. Aty rrodhën si lumë miliarda dollarë duke sjellë prodhime të reja që ndryshuan mënyrën e jetës anembanë globit. Por javën e fundit, sipas shtypit amerikan, zyrtarët e Komisionit të Kredive dhe Këmbimeve i thanë Kongresit se po hetojnë 100 kompani të Silikon Velli për mundësinë e manipulimit të sistemeve të tyre të kompensimit për të garantuar pagesa fitimprurëse për drejtuesit dhe punonjësit e favorizuar. Në këtë aferë është edhe një firmë e njohur si Hjulet-Pakard.

Asnjë industri nuk ka qenë e imunizuar nga lakmia e drejtuesve apo mashtrimet në drejtim në vitet e fundit. Jo shumë kohë më parë, publiku i Shteteve të Bashkuara pa rrëzimin e dy kompanive të fuqishme, Enron Corp. dhe WorldCom Inc. Pas hetimeve të hollësishme dhe trajtimit gjyqësor të çështjeve, shumë nga drejtuesit e këtyre kompanive morën dënime të rënda.

Pra në Amerikë, edhe me pronën private nuk të lë njeri të bësh si të duash por duhet të ndjekësh rregullat e biznesit. Biznesi privat nuk është një thes i madh me para ku i zoti, apo të zotërit futin dorën e marrin sa herë të duan e sa të duan. Biznesi privat ka përgjegjësi sociale sepse tek ai mbështeten jetët e miliona njerëzve të tjerë. Prandaj pasurimi në Amerikë edhe pse ka raste kur mund të jetë herë herë i shpejtë e i vrullshëm falë zhvillimit galopant të një biznesi apo tjetrit, përgjithësisht është i ngadalshëm, kërkon shumë mund e vite dhe ka në bazën e vet breza të tërë të mëparshëm. Përveç kësaj, ky biznes nuk livadhis si i do qejfi por ka rregullat e veta dhe kontrollohet imtësisht nga shteti.

Në Shqipëri bizneset u ngritën e u krijuan në rrëmujën e ligjeve e rregullave, të katrahurave e zallamahive politike, shpesh herë duke patur në bazën e tyre para të pista gjë që vërtetohet nga numri ende i shumtë i sulmeve e vrasjeve të biznesmenëve të ndryshëm si pasojë e larjes së hesapeve të vjetra. Edhe në to ndikoi favoritizmi, nepotizmi, krahinarizmi e partitizmi. Shumë biznesmenë u futën në lojë me një etje të shfrenuar për fitim. I ndershmi, duke parë që me ndershmëri e duke ndjekur ligjin nuk ja dilte dot me konkurrencë të pandershmit, shpesh herë e lindte mënjanë ndershmërinë dhe bënte edhe ai si ai tjetri. Pasurimi i individëve u bë stratosferik e i menjëhershëm. Paratë u investuan në degë të reja biznesesh dhe u shumfishuan në mënyrë të pabesueshme.

E pra, tani kanë kaluar 16 vjet. Le ta lëmë milionin e parë. Shumë nga bizneset shqiptare kanë marrë formë e mbajnë me bukë shumë nga njerëzit që punojnë për to. Por në kupolat e tyre, drejtuesit dhe pronarët vazhdojnë shpesh të përfitojnë nga ligjet e ndërtuara jo si duhet apo nga moszbatimi i tyre edhe ashtu siç janë. Shumë nga bizneset vazhdojnë të punojnë me dy palë regjistra. Asnjëherë nuk bëhen transparente taksat e këtyre bizneseve. Dhe këtu zë fill korrupsioni i shtetit për luftën ndaj të cilit bëjmë aq bujë.

Në Shqipëri ndodhin me të vërtetë çudira. Edhe individë të veçantë, me një rrogë qoftë dhe nga një organizatë ndërkombëtare, bëhen shumë të pasur vetëm për 4-5 vjet dhe blenë toka e apartamente në Shqipëri. Duket sikur këta njerëz nuk kanë ngrënë e pirë po vetëm kanë hequr para nënjanë. Po nuk kanë paguar taksa vallë këta? Kur edhe individi mund të manovrojë kështu, merre me mend se ç’mund të bëjnë bizneset ku shifrat, punët, marifetet fshihen shumë herë më tepër.

Eshtë dëshpëruese të shohësh polarizimin e jashtzakonshëm të njerëzve në Shqipëri përsa i përket pasurimit. Të jesh i pasur nuk është turp, OK, nuk është as keq, OK. Por gjithsesi është edhe turp edhe keq kur ti me gjithë ato para që ke, nuk kontribuon sado pak për të ndrequr rrugën e trotuaret pranë biznesit tënd, nuk ndërton një shesh loje për të lojtur fëmijët e tu apo një park ku të çlodhen pleqtë e tu apo nuk ndihmon një shkollë apo një spital nga krahina nga e cila ke ardhur në Tiranë, kur ti vazhdon ta bësh të pandershëm fitimin, kur bashkëjeton me mashtrimin, kur gënjen shtetin dhe punëtorët që varin jetën tek ti. E pra, prandaj nuk përbën ndonjë lajm kushedi çfar kur një si ti vritet me plumb a me bombë në një makinë, në një lokal apo motel. Se pisllëku sjell pisllëkun e pandershmëia, pandershmërinë. Po të ishte ndryshe, gjithkujt do t’i vinte keq e kjo do të ndodhte gjithnjë e më rrallë.

Eshtë prapë dëshpëruese të shohësh se si miliona e miliona dollarë e euro shqiptare shkojnë për qejfe imorale e shpenzime snobësh, shkojnë në kazinotë e Tiranës, Janinës, Athinës, Budvës, Selanikut e dhjetra qyteteve të tjera evropiane. Kushedi sa milionë euro e dollarë shqiptarë bëhen investime të bankave të huaja jashtë vendit apo ngurtësohen në prona të patundëshme në bregdetet e vendet e pushimit ë fqinjëve apo edhe më larg. Mos vallë të gjitha këto miliona janë para të ndershme? Vetëm naivi e beson këtë. Vetëm paraja e kotë harxhohet kot.

E gjithë kjo vjen nga mosqënia transparent e bizneseve. Askush nga to nuk shpall të ardhurat vjetore, fitimin dhe edhe në e bën këtë e bën në mënyrë mashtruese sa që ai që e dëgjon duhet t’i vijë keq e të futë dorën në xhep e t’i japë diçka nga rroga e tij modeste. Hajde bisnesmenë, hajde! Etja për fitim korrupton shtetin, bën presion ndaj rrogave të pakta të nëpunësve, policëve, doganierëve, taksambledhësve. Në qerthullën e këtij presioni bien edhe nëpunësit e lartë, politikanë, deputetë e ekzekutivë bile dhe gazetarë. Bien të gjithë ata që e kanë ndjerë lezetin e një vile në bregdet, të një makine të mirë, të pushimeve jashtë shtetit, të shkollimit të fëmijëve në universitete të mira jashtë etj., etj.

Vaahdoi për një kohë të gjatë biznesi mashtrues i ndërtimeve, kur ndërtuesi i bënte pallatet me paratë e banorëve të ardhshëm dhe në fund i mbetej fitimi 200-300 përqind. Puna që bënin këta biznesmenë fakirë ishte të merrnin lejen e ndërtimit falë lidhjeve apo pakos me para që jepnin dhe të vinin në punë një brigadë punëtorësh pa shtëpi në Tiranë që i paguanin mos më keq. Në këtë mënyrë, me 3-4 pallate njeriu bëhej milioner. As Silikon Volli, në zulmën e vet më të ndritëshme nuk e ka ëndërruar një ritëm të tillë fitimi. Dhe askush nga lejëdhënësit nuk kontrollonte fondet bazë të këtyre bizneseve. E pra, kjo hyn te milioni i parë. Po tani? Edhe tani mashtrimeve të bizneseve nuk u hyn gjemb në këmbë. Edhe kur shteti merr masa e vepron mbi bizneset (siç dëgjojmë tani), ky veprim është i lidhur me politikën, bëhet për shkaqe politike apo më keq akoma, për shkaqe personale dhe jo me procesin e një kontrolli normal e të përhershëm të shtetit ndaj bizneseve.

Mund të mos besohet në Shqipëri, por fitim normal biznesi në Amerikë është norma 3-5 përqind. Por biznesmenët shqiptarë qeshin nën buzë kur shikojnë këtë shifër. Dhe sigurisht tallen me mua që e shkruaj atë. Ç’duhet bërë pra që bizneset të jenë transparente, që të mos e luajnë lojën nën rrogoz, që të paguajnë taksat e detyrimet që duhen ndaj shtetit e shoqërisë ose përndryshe të hiqen mënjanë e të hanë ato para që kanë vënë? Mos duhet vallë të sjellim dogana nga jashtë, taksambledhës nga jashtë, policë e nëpunës nga jashtë? Jo, kjo ndreqet me një ekip të ndershëm e të përkushtuar qeveritar që vë rregullat e lojës së ndershme për bizneset, që i kontrollon ato imtësisht e nuk i lë as të korruptojnë e as të korruptohen. Ky ekip duke qënë vetë i përgjegjshëm e i pakorruptueshëm, do të vinte rregull te gjithë ai baobab gjigand që degëzohet mbi të, ushtria e zbatimit të ligjit, nëpunës, policë e financierë të cilët po të duan i kanë lodra kalamajsh të gjithë marifetet e bizneseve dhe do t’i zinin mashtruesit si miun në çark. Lufta ndaj korrupsionit në Shqipëri është bërë si loja “ma le, ta lashë“ dhe as që mund të shpresohet që një shoqëri të shkojë përpara e padeformuar pa vënien mbi baza të ndershme e ligjore të bizneseve të saj. Dhe duhet ta heqim nga mendja të gjithë: në qoftë se bizneset nuk paguajnë taksat që duhet, kurrë nuk do ketë Shqipëri të begatë. Duhet pra, vetëm kaq pakë: një qeveri e ndershme. O Zot, i çmendur jam vallë që të kërkoj kaq shumë?

Botuar në Gazeta Sot, 23 shtator 2006

Boritë e ndryshkura

Gjithnjë e më tepër në median shqiptare, në gazetat, revistat, radiot e televizionet dhe akoma më së shumti në cybermedian shqiptare, në forumet, gazetat virtuale e blogerët e ndryshëm në internet, po shpaloset një patriotizëm anakronik e deliromadh që s’ka asgjë të përbashkët me kohën që rrojmë dhe prirjet e pjesës më përparimtare të njerëzimit ku bëjmë pjesë. Këta zëra të ngjirur që kumbojnë si bori të ndryshkura luftrash e që mbajnë mbi zhgunet e tyre mykun e varreve e të harresës, autosugjestionohen nga klithmat e tyre mbi Shqipërinë e madhe etnike, mbi bashkimin e madh të shqiptarëve, mbi padrejtësitë shekullore që të tjerët na kanë bërë ne dhe për të mirat e mëdha që i kemi bërë ne të tjerëve. Kalorës të tillë delirantë e histerikë të tipit Myftaraj po shfaqen gjithnjë e më shpesh si një alternativë e perspektivave që i hapen Shqipërisë në një frymë paqeje, bashkëpunimi e integrimi në rang evropian e global.

Do të ishte e lehtë të talleshe me shumë nga ato që këta mjeranë të penës thonë në shkrimet e tyre. Por unë nuk mendoj se ato janë për t’u tallur. Dhe t’i quash ata vetëm karagjozë apo sharlatanë, thjeshtë minimizon një problem që ka rëndësi për ardhmërinë e Shqipërisë, për mendësinë e brezave të rinj të saj që kanë sot shansin gjithnjë e më tepër të jenë të barabartë me bashkëkohasit e tyre më të përparuar të të gjithë globit, drejt një udhe që bota demokratike po e kristalizon me mund e me dije. Unë nuk i përbuz e as nuk i urrej këta njerëz. Ajo që dua unë është të përpiqem t’i kuptoj ata në gjithë atë retorikë çmendurisht lakadredhase me të cilat përmbytin paprerë shtypin e shkruar e vizual dhe ngjallin kaq armiqësi, urrejtje e përçarje.

Për mua njerëz të tillë janë para së gjithash, të rrezikshëm e dëmprurës. Ata i përkasin asaj shpure që patriotizmin e bëjnë zanat, që e keqpërdorin dhe e keqtrajtojnë. Njerëz të tillë e shohin historinë bardhë e zi, e ndajnë botën në “ne” dhe “ata”, kujtojnë të ligat e dëmet që të tjerët na kanë bërë por harrojnë të ligat e dëmet që edhe ne u kemi bërë të tjerëve. Aq më tepër ata nuk kuptojnë dinamikën e historisë dhe atë që njerëzimi e bota sot nuk janë ata që kanë qenë.

Ajo që më ka tmerron herë pas here në marrëdhëniet e Shqipërisë me botën, është kjo urrejtje e jashtzakonshme e demonstruar nga njerëz të tillë që mezi ç’pret rastin të shfaqet, një urrejtje absurde mbi bazën e së cilës të gjitha argumentet e tjera që ngrihen janë të kota e lehtësisht të rrëzueshme. Pse u dashka që shqiptarët e sotëm të urrejnë grekët e sotëm sepse ca stërgjyshër të tyre kanë dashur të bëjnë të tyret pjesë të trojeve shqiptare apo qoftë edhe se kanë therur, vrarë e djegur ca nga stërgjyshërit tanë? Nga ana tjetër: mos duhet që grekët e sotëm të urrejnë shqiptarët e sotëm për mizoritë që taboret me shqiptarë të Ali Pasha Tepelenës, të shqiptarit Mehmet Pashë të Egjiptit e të jeniçerëve arnautë kanë bërë mbi grekët në kohën e tyre kur ata grekë përpiqeshin të shkëputeshin nga zgjedha otomane? Pse u dashka që shqiptarët e sotëm të urrejnë serbët e sotëm për shkak të përgjakjes e mizorive që ca nga Karagjorgjeviçët, Pashiqët e Millosheviçët e tyre i kanë bërë popullsisë shqiptare në Shqipërinë e sotme e në Kosovë? Prapë nga ana tjetër: mos duhet që banorët e trevave boshnjake e serbe të urrejnë shqiptarët e sotëm qoftë për raprezaljet e shtypjet e taborreve me shqiptarë të Bushatlinjve të Shkodrës, aleatë e vasalë atë kohë të Portës së Lartë, apo qoftë për kundërgoditjet e rezistencën për pavarësinë e Kosovës? Pse duhet që të urrejnë shqiptarët e sotëm, italianët e sotëm për synimet e tyre të vjetra politike dhe për pushtimin fashist? Gjithashtu më tej: mos duhet që italianët e sotëm të urrejnë shqiptarët e sotëm sepse një pjesë e tyre nga të vajturit atje u sjellin andralla popullsisë italiane, i vjedhin, ndodh që i vrasin, trafikojnë drogë e prostituta? Përgjigja për të gjitha këto pyetje është një Jo e madhe. Duhet të mësohemi të rrojmë në harmoni e paqe me fqinjët tanë, të paktën sot, kur janë të gjitha mjetet demokratike e qytetare për ta bërë këtë. Vini re një absurd dhe çudi të madhe: Trojet shqiptare u pushtuan për gati 500 vjet nga Turqia Otomane. Po te shqiptarët nuk ka një të tillë urrejtje (dhe shumë mirë që s’ka) për kombin turk si ajo ndaj grekëve e serbëve që edhe pse e kanë lakmuar e kafshuar Shqipërinë, asnjëherë nuk kanë mundur ta shtien atë në dorë të tërën. Pushtime kemi patur edhe nga Italia e Gjermania në kohrat moderne, po lavdi Zotit nuk na është ngjallur ndonjë urrejtje e tillë për pasardhësit e këtyre pushtuesve.

Mendimi im është se në rastin e urrejtjes ndaj grekëve dhe serbëve janë përzjerë ca mekanizma të tjera konfliktuale, individë e grupe që kanë qenë e janë të interesuar për një konflikt permanent e një urrejtje të pafashitur. Këta pseudopatriotë mjeranë që e kanë gjetur konfliktin e urrejtjen si mjete për të formuluar identitetin e tyre në krizë, e ndjejnë mjaft komod pozicionin e vrushkullimit të flakadanëve të urrejtjes e mostolerancës dhe nuk vënë re se flamujt e tyre janë rreckosur jo nga luftrat por nga ashpërsia e urrejtjes me të cilin kanë kohë që i tundin zotërit e tyre. Njerëz të tillë janë ata që shpërndajnë barut e fitila në Kosovë, Malin e Zi e Maqedoni, ata që qëllojnë nga makinat serbët e Kosovës e që u hedhin bomba autobuzëve të tyre pikërisht për të mos lënë që Kosova të bëhet e pavarur, ata që gjoja në emër të shqiptarizmës janë gati të marrin malin si kaçakë sapo humbin ca poste ministrore në Maqedoni. Këta janë revolucionarët permanentë në rrënjët e të cilëve do të gjesh me shumicë nazizmin, stalinizmin, trockizmin, maoizmin e enverizmin. Ata nuk ndihen kurrë mirë në paqe e bashkëjetesë. Nuk kanë tjetër mënyrë veç urrejtjes e luftës për të shfaqur identitetin e tyre gjynafqar e të mjeruar. A vërtet besojnë këta zotërinj (nganjëherë, aman o Zot, ka edhe zonjusha mes tyre!) se e gjithë bota e paska halë në sy Shqipërinë apo në rastin më të mirë, vetëm Amerika na dashkërka? A vërtet kujtojnë ata se ne shqiptarët në këtë botë mëkatare ku rrojmë jemi më të pamëkatët? Ç’procese të ndërlikuara lëvizin në trurin e këtyre njerëzve? Mos vallë shohin ata shumë filma me fantazma e horror?

Pse kujtojmë me një urrejtje të pashuar e të ndezur për hakmarrje atë histori të gjatë konfliktesh me serbët e sllavët e tjerë dhe nuk kujtojmë që ka patur periudha kur stërgjyshërit tanë kanë bashkëpunuar me ta? Beteja e madhe historike e Fushë-Kosovës në 1389 kundër otomanëve që po dyndeshin në Ballkan, ku morën pjesë krahas forcave serbe e malazeze edhe ato shqiptare nuk është shembull urrejtjeje por bashkëpunimi. E njëjta gjë ndodhi në betejën e dytë të madhe të Kosovës, kur Gjergj Kastrioti me ushtrinë e tij u përpoq t’i vinte në ndihmë Janosh Huniadit, në krye të koalicionit të krishterë. Më tej akoma, nëna me origjinë serbe e heroit tonë kombëtar, pra e Skënderbeut dhe krushqia e motrës së tij me Brankoviçët e Malit të Zi dëshmojnë se ka patur periudha kur shqiptarët apo arbërit nuk i kanë urryer serbët apo sllavët dhe anasjelltas. Shkojmë më tej: pse s’lëmë gjë pa thënë për grekët mizorë e gjakatarë që na kanë dashur kurdoherë të keqen kur ka patur periudha kur shqiptarë a arnautë janë vënë krah për krah me ta në revolucionin grek e në luftrat greke për pavarësi? A nuk janë sot pjesë e Greqisë dhe e popullit grek ata mijra e mijra shqiptarë të lashtë, arvanitët që difuzuan aty në rrjedhë të kohës nga trojet shqiptare? Ashtu siç po integrohen në jetën e Greqisë së re ata mijra e mijra emigrantë shqiptarë që nuk kanë shkuar atje për të luftuar e urryer po për të rrojtur në miqësi e paqe.

Pseudopatriotët nuk lënë gjë pa përzjerë e ngatërruar: identiteti kombëtar, feja, autoktonia, gjuha shqipe me të cilat spjegohen të gjitha gjuhët e botës etj. Ka që dalldisen e u bëjnë thirrje shqiptarëve të kthehen në fenë e të parëve (po kush janë vallë të parët?). Ca thonë se shqiptarët duhet të kthehen në katolikë, ca në ortodoksë, e bile ca të tjerë më modernë, propozojnë protestanizmin. Ata që thonë kështu mund të jenë vetë muslimanë apo që s’besojnë në zot, po kjo s’ka rëndësi për ta. Ata japin mend edhe a duhet të jetë apo jo një peshkop i huaj në krye të ortodoksisë shqiptare dhe më naivët i kërkojnë qeverisë (?!) që ta zbojë atë. Dhe pastaj kërkojmë që Shqipëria të përparojë, të zhdukë varfërinë, të ngrejë nivelin e jetesës e të tjera. Hajde mendje, hajde! Në krye të Selisë së Shenjtë ishte një polak i lavdishëm, sot është një gjerman e askush nuk ngrihet në Itali të protestojë për këtë.

A duhet që një Bregoviç apo një Ana Visi që vijnë në Tiranë të mbajnë mbi vete të gjithë ngarkesën e urrejtjes shekullore që pseodopatriotët e kohrave moderne përpiqen ta fryjnë si një drogë të re në flegrat e nacionalizmit shqiptar? A nuk është kultura, arti, shkëmbimi i ideve, komunikimi e perspektiva e përbashkët ato që na bashkojmë sot mbi këta troje fqinjë? Nga ana tjetër, mos duhet që ne t’i ngjajmë atyre gërxhove serbë me kapella në kokë që s’u tretet shpirti nga humbja e “djepit” të tyre të Kosovës dhe lakmia e brigjeve tona adriatike apo atyre qirieve greke të megaliidhesë që tundin temjanët e thurin komplote për Vorio Epirin? Nacionalizmi nuk luftohet me nacionalizëm e as shovinizmi me shovinizëm. Kjo është ajo që nuk kuptojnë kalorësit e fytyrës së vrerosur të pseudopatriotizmit shqiptar.

Fqinjët na i ka dhënë historia e nuk i zgjedhim dot vetë. Në Greqi sot rrojnë e punojnë gati treçerek milioni shqiptarë. Këtyre nuk ju lutën grekët të shkonin atje, ata i detyroi halli, por ama dhe grekët ja panë e ja shohin hajrin punës së tyre. Atëhere pse kjo urrejtje? Me urrejtje me fqinjët nuk bëhet një familje e jo më një shtet. Ajo që na duhet është të jemi më modestë, të punojmë më shumë (jo më për të ngrënë bar, si dikur), të jemi më tolerantë dhe të përfitojmë me mençuri nga vendosja e re e gurëve në skakierën e madhe të politikës botërore. Duam s’duam ne, Greqia për rrethanat e veta historike, është prej kohësh në atë komunitet evropian që ne e ëndërrojmë. Eshtë e natyrshme që kapitalet greke të hyjnë me shumicë në Shqipëri, ashtu siç hyjnë ato austriake e gjermane në Kroaci e Rumani. Kjo nuk do të thotë se na pushtoi Greqia. Përkundrazi, ne e kemi pushtuar Greqinë me ata qindra mijra shqiptarë që punojnë atje. Idhtarët e revolucionit permanent patriotik janë kushërinj të Enver Hoshës që donte ta bënte Shqipërinë kështjellë e fanar të socializmit në botë dhe e bëri vetëm një turp e një shëmti të saj. Janë ata që prapë tundin e shkundin sot flamujtë e rreckosur të pseudopatriotizmit.

Thursday, September 14, 2006

Çifligu komunist dhe prona private në Shqipëri

Në prag dhe gjatë luftës së dytë botërore, shumë individë e grupe individësh si sekte të ndryshme fetare, çifutë, romë, homoseksualë, kundërshtarë politikë etj., u privuan nga e drejta e pronave të tyre si rezultat i politikës nacional-socialiste (naziste). Shumë nga këto prona në Evropën Perëndimore u kthyen te pronarët e ligjshëm pas luftës, sipas ligjit të pushtimit të Aleatëve apo sipas ligjeve të vendeve të veçanta. Kjo nuk ndodhi me vendet ku në pushtet erdhën qeveri komuniste, në pjesën tjetër të Evropës. Rrëmbimi i pronës vazhdoi atje edhe më me egërsi e forma të rafinuara, shtyrë nga motive të tjera që frymëzonte doktrina komuniste.

Rrëzimi i komunizmit në vitet 1989-1991 bëri të mundur kthimin e pronës pronarëve të ligjshëm edhe në këto vende. Këto prona mund të jenë private apo komunale (në rastin kur i kanë pasë takuar një organizate fetare apo të tjera). Shumë vende futën legjislacionin e nevojshëm për kthimin e pronave. Sllovenia, Republika Çeke, Sllovakia dhe Hungaria e nisën këtë proces 15 vjet më parë, Bullgaria në 1992, Gjermania në 1994, Rumania, Kroacia dhe Polonia në 1996, Maqedonia në 1998, Bosnje dhe Herzegovina në 2000, Mali i Zi, në 2002. Dy vendet më të prapambetura në procesin e kthimit të pronave në Evropë, janë Shqipëria dhe Serbia. Kjo e fundit bile, duke konsideruar procesin e dokumentimit dhe periudhën përgatitore të kthimit, është mjaft më mirë se Shqipëria.

Në Shqipëri, regjimi komunist e zhveshi pronarin nga prona e tij dhe pronën e konfiskuar e ndau si “dhuratë të partisë“. Të kishe origjinë të pasur ishte turp. Shpronësimi, duke përfshirë të gjitha format e shtetëzimit e të kolektivizimit, arriti kulmin në Shqipëri duke mos njohur shembull në asnjë vend të botës komuniste. Nuk ka patur pronar në botë që nga më të vegjëlit e deri te monarkët e mëdhej që të gëzonin të drejtën e pronës së tyre në atë masë që pushtetarët komunistë shqiptarë gëzonin në një pronë që quhej shtetërore apo kolektive dhe që s’ishte e tyrja. E gjithë Shqipëria u kthye në një çiflig të madh të Enver Hoxhës me qahallarët e anëtarëve të byrosë politike dhe sekretarët e partisë të rretheve.

E megjithatë, prona nuk humbi. Ajo është aty, e gjallë dhe e prekshme. E zhvatur, e rrënuar, e transformuar, e tjetërsuar por e paasgjësueshme dhe e përjetëshme. Pas rrëzimit të komunizmit, reagimi i pronarëve të ligjshëm do të ishte më se i ligjshëm. Por bashkë me këtë do të vërshonin edhe zhvatjet e tjetërsimet e tjera të pronës. Shumëkush do të rrëmbente pronën e shtetit duke mos menduar aspak se prapa kësaj prone ishte njëri apo tjetri pronar i ligjshëm. Mashtrimi e hileja u derdhën edhe në këtë proces ku të gjithë qenë nisur nga hiçi. Shteti i ri që nuk dinte ku kishte kokën, e përdori kthimin e pronave në luftën partiake e fushatat e zgjedhjeve por e komplikoi dhe e shpërdoroi në terrenin praktik. U kthyen vetëm pak prona private e komunale, me zgjedhje e me favorizime. U shitën, u rishitën, u noterizuan e u rinoterizuan një pjesë pronash mes rrëmujës e kaosit. Dhe prapë vazhdonte vjedhja e pronave, në banesat e reja, në dyqanet e rinj, në plazhe e gjithandej. Një miku im më thoshte se një koleg i tij në një kompani gjermane që kishte marrë të administronte aeroportin e Rinasit, habitej se i dilte që ne dokumenta, aeroporti duhet të kishte një sipërfaqe disa herë më të madhe se ajo ç’ishte në të vërtetë.

Qeveritë shqiptare duke ja lënë çështjen e kthimit të pronave si trashëgim njera tjetrës, të trembura se nuk e gëlltisin dot, e vështirësuan atë edhe më tepër me tjetërsimet që solli kjo periudhë e shpejtë transformimi. Por shteti nuk mund të fshihet pafund ndaj çështjes së pronës. Ai nuk mund të futë kokën si struci në rërë prej saj. Të gjitha reformat që u bënë që nga fillimi i shtetit demokratik janë gjysmake e plot difekte në këtë drejtim. Ekzistonin me mijra e mijra hektarë tokë të ndërmarrjeve bujqësore, një pjesë e madhe e të cilave qenë përftuar nga bonifikime, tharje kënetash, sistemime tokash pa pronarë të drejtpërdrejtë. Ky kontigjent duhej të ruhej për kompensimet ndaj pronarëve të ligjshëm në rastet kur nuk është e mundur që për arsye të ndryshme madhore, pronari të mos mund të marrë dot pronën e tij. E vetmja gjë që u trumbetua e u brohorit për kompensimet, qe toka e bregdetit. Por tani as atje nuk ka mbetur gjë. Na mbetet për të ndarë vetëm detin.

Ka vite që pronarët kanë mbushur dosjet, kanë bërë letrat gati, kanë marrë vërtetimet nga kadastrat dhe tani presin parlamentet e qeveritë. Sa duhet të presin vallë? Kthime të pronave vazhdojnë të bëhen, por me miq, me tarafe, sipas kupolave shtetërore e partiake. Mjaft shtetarë, qofshin të kuq e qofshin blu, i kanë marrë pronat e gjyshërve, stërgjyshërve, stërxhaxhallarëve e stërtetove. Tani ata dhe fëmijët e tyre rendin të kapin prona të tjera, vërtet me djersën e punës së tyre (edhe në qoftë ashtu) por edhe me favorin e të qënit pranë pushtetit. Eshtë shkelur kështu një element thelbësor në trajtimin e problemit të pronave: që zbatimi i një ligji të tillë të jetë uniform dhe i njëjtë në çdo pikë të vendit.

Mos presin qeveritë shqiptare që BE, Banka Botërore apo ndonjë tjetër t’u japin para për të kompensuar pronarët e vendit? Ka vende që janë në këtë proces që kanë kohë që kanë ngritur Fondin e Kthimeve. Ky fond mbledh një përqindje të fitimit të kompanive shtetërore apo publike dhe e vë mënjanë pikërisht për kompensimin e pronarëve. Pse nuk ngrihet një fond i tillë në Shqipëri? Sepse në Shqipëri nuk mendohet që çështja e pronave të zgjidhet plotësisht dhe një herë e mirë, por që ajo të jetë peng i politikës dhe i ambicjeve për pushtet. Janë këto mendësi që zvarritin pastaj të gjitha punët e tjera, investimet e huaja, infrastrukturën, zhvillimin e turizmit.

Kthimi i pronave është një imperativ i pashmangshëm i demokracisë. Ajo ka qenë një kërkesë e herëshme dhe primare ndaj vendeve që hynë në udhën demokratike në Evropë. Shtetet e Bashkuara ka mbështetur me forcë përpjekjet për kthimin pronarëve të ligjshëm të pasurive si të konfiskuara nga nazistët në periudhën 1933-1945, ashtu dhe nga qeveritë pasuese komuniste të Evropës Qendrore e Lindore. Veprimi pozitiv mbi çështjet e pronës ka qenë dhe është një nga kriteret e përdorura për të gjykuar përparimin e vendeve që aspirojnë në anëtarësimin në NATO. Bashkimi Evropian e sheh gjithashtu këtë veprim mjaft të rëndësishëm për anëtarësimin në të.

Duhet që kushdo ta mbajë mirë në mend: pa zgjidhjen e problemit të pronave nuk do të ketë qetësi e përparim në Shqipëri. Një vend ngrihet nga themelet. Dhe themeli është prona. Sado i kokolepsur qoftë ky lëmsh ai, ai mund të zgjidhet. Dhe duhet ta zgjidhim që tani, pa e lënë të kokolepset edhe më që të mos pjellë më telashe e probleme të tjera.

(Botuar në Gazeta Sot, 14 shtator 2006 dhe Tema, 14 shtator 2006)

Sunday, September 10, 2006

A u pëlqen shqiptarëve autokratizmi?

Duke lënë mënjanë qeveritë kuislige apo ndonjë kryeministër të përkohshëm e për një kohë të shkurtër, janë katër shtetarë: Ismail Qemali, Fan Noli, Ahmet Zogu e Enver Hoxha, që zenë vend në historinë shqiptare të shekullit të kaluar. Dy të parët, ndonse me vizione të mëdha e erudicion të thellë, duke qenë “dorëbutë“ e humbën shpejt pushtetin. Ashtu liberalë e pa prirje autokratike, ata qenë pre e lehtë për të tjerë që ja kishin vënë syrin frerëve të vendit. Zogu e Hoxha, përkundrazi, me dorë të ashpër e mbajtën pushtetin shumë më gjatë dhe u penguan vetëm nga shkaqe të mëdha e që s’vareshin prej tyre: i pari nga zhvillimet mbarëbotërore të Luftës së Dytë dhe i dyti, nga vdekja natyrale që e shpëtoi nga të parët e gremisjes e rroposjes së përbindëshit të tij unik komunisto-hoxhist.

Mund të themi vallë që këtej, se shqiptarët e pëlqejnë autokratizmin? Apo ata thjeshtë përshtaten më kollaj e më mirë me rregullat e forta të prijësve të fortë? Në shekuj, në kulturën tonë popullore ka mjaft shprehje simpatie për pushtetarë dorëfortë, që nga Ali Pashë Tepelena që ka djegur, therur e vrarë më shumë shqiptarë se cilido pashë tjetër turk e deri te kryeministri komunist i kohës së Hoxhës që u vra apo e vranë dhe që ishte po aq kriminel i pashpirt sa ai që e bëri të vdesë.

Ngjyrat dhe lulet e lavdisë kanë mbuluar shpesh herë baltën e gjakosur e konkrete të krimeve, të mizorive shnjerëzore. Paradoksale: të qënit autokrat e diktator është një mëkat më i vogël e më i falshëm shpesh herë se sa të qënët liberal. Ndjenja e nderimit instiktivisht priret nga e forta, nga ajo prej së cilës trëmbesh, nga ajo që dhunon të drejtën e mishëruar tek të tjerët por që nuk është e papritur që të të dhunojë edhe të drejtën tënde një ditë të bukur. Sigurisht kjo nuk ka të bëjë vetëm me shqiptarët, por është karakteristikë e natyrës njerëzore.

Por diktaturat (që ndodh të ngrihen edhe ndër popuj të kulturuar) ushqehen më së shumti nga një nënshtresë akulture. Ato ngrihen shpesh herë mbi premtime të mëdha dhe realizohen nga individë të shquar për kurajo e ambicje pushteti. Shpesh herë ata nuk duan as qejfe e as pasuri. Duan pushtetin dhe vetëm pushtetin.

Po t’i hedhësh një sy historisë së vonshme të Shqipërisë që nga 1990, do të mund të konkretizosh shumë nga ato që u thanë më sipër. Sikur Fatos Nano të kishte dalë në shtator të 1998 me një kobure në dorë përpara kryeministrisë dhe të mos ikte për të shpëtuar jetën në Maqedoni apo kudo qoftë, po të kishte mbetur gjallë, do t’i këndohej kënga që për së gjalli dhe kariera e tij politike do të ishte fare tjetër. Po kështu, po të kishte ikur Sali Berisha si shumë shokë të tij jashtë vendit kur pushteti i tyre u rrëzua në 1997, nuk do të bëhej kurrë kryeministër në shtator 2005. Kështu e ka ky popull, e respekton trimërinë. Por ç’e do se bashkë me trimërinë, me sa duket ka dobësi edhe për autokratizmin. Ndryshe nuk mund të spjegohet rivotimi i një njeriu politika e të cilit prodhoi disa mijra të vrarë (kur s’kishte asnjë pushtim të huaj në Shqipëri), hapjen e depove të armëve dhe kolapsin e paparë ekonomik nëpërmjet firmave të pastrimit të parave.

Kultura demokratike, një zbulim i vonë i historisë shqiptare, duhet ta korigjojë prirjen instiktive të genit shqiptar ndaj autokracisë. Shqipëria është në Evropë jo në Afrikë ku shpesh herë diktaturat e lindura si kërpudha u shpëtojnë syrit të botës të angazhuar herë këtu e herë atje me larva të luftrave. Shqipëria ka një program të madh të anëtarësimit në BE, mbikqyret nga shumë forca ndërkombëtare që e mësojnë shpesh herë si të bëjë atë apo këtë. Natyrisht, këtu diktatura është e vështirë të lindë sot. Por shprehje e veprime autokratike të cilat mund të mos gjejnë reagimin e duhur nga publiku, mund të ketë shumë. Shumë nga prishjet e kontratave të qeverisë së mëparshme, prishja e mbikalimit të Zogut të Zi etj., veprime në parlament, zëvëndësimet në administratë me militantë partie, janë veprime autokratike. Edhe rrahja e të rinjve të MJAFT që bënin një protestë paqësore për ujin, këtë rradhë jo me policë (si në 1997) por me militantë, është po kështu.

Shprehjet autokratike në demokracinë e re shqiptare duhet të luftohen me kompetencë profesionale e kulturë demokratike. Duhet t’i njohim ligjet, që vetë qeveria që i bën ato, të mos guxojë t’i shkelë. Duhet t’i njohim ato që në zanafillë dhe të luftojmë për t’i përmirësuar. Duhet ta njohim kushtetutën, ta përsosim atë dhe ta bëjmë mburojë të lirive dhe të drejtave tona.

Shkrimtari Zija Çela u bënte thirrje te Shekulli kolegëve të tij që të ngriheshin e të përkrahnin (siç e kuptova unë) një dekret të qeverisë për ta kthyer Piramidën në bibliotekë kombëtare. Pse duhet të bëjnë kështu shkrimtarët? Sepse kryeministri po tregohet kulturëdashës? A nuk, do të ishte më mirë që këta shkrimtarë të ngriheshin e të shpreheshin (dhe bashkë me ta i gjithë mjedisi qytetar i vendit) sa herë që shkelet kushtetuta e ligjet? A nuk është autokratike të cënohet e drejta kontraktuale e çfardo biznesmeni sa herë që i do qejfi pushtetarit, qoftë ky ministër apo kryeministër. Nuk më ha malli as për Top Chanel e as për ndonjë tjetër si zoti Skëndo apo Rosh që nuk i lënë të hyjnë në pronat e tyre, por për cënimin e së drejtës të mbrojtur me ligj dhe për ushtrimin e autokracisë me të cilën mësohemi përditë. Të mos mallëngjehemi nga një vendim kulturëdashës i qeverisë kur ky vendim cënon të drejtën e mbrojtur me ligj të cilitdo qoftë. Nesër, ky cilido je ti zotni, dhe ti tjetri e tjetri. Dhe për ty që autokracia të shkon për hosh, de te fabula narratur (për ty flet përralla).

(Botuar në Gazeta Sot, 9 shtator 2006