Shqiperia e udhekryqeve

Edhe pse jam larg Shqipërisë, fëmijërinë dhe një pjesë të rinisë e kam kaluar atje dhe sado që botën e quaj atdheun tim të madh, është kurdoherë një atdhe i vogël, një qytet, një fshat, një mal,një lumë apo një perëndim dielli ku na shkon mendja herë pas here. Pse Shqipëria e udhëkryqeve? Sepse mbeti udhëkryqeve në tërë historinë e saj, se lanë kurrë të zgjedhë rrugë po e tërhoqën me hir a me pahir në rrugë pa krye.

My Photo
Name:
Location: Berkeley, California, United States

Jam ai që nuk kam qenë Do të jem ai që nuk jam.

Thursday, January 31, 2008

Nostalgjitë e shkuara që ngatërrojnë vizionet e së ardhmes

Një shkrim imi me titull “A janë vallë komunistët patriotët e vërtetë?” botuar në “Sot” dhe i postuar në Peshku pa Ujë, ngjalli një mori indinjatash se paskam prekur “patriotizmin” e merhumit Hoxha. Pakë nga ata që rrahën me inat tastjerat e kompjuterave e lexuan fund e krye shkrimin tim. Zëmërimi shpesh herë është ngjitës. Turma e anonimëve u turr me egërsi kundër Memisë duke e lidhur me shefa antikomunistë apo me gazetën “55” (siç thotë AR31 që “55” ju dukërka si “SS”), duke bërë përçartje me Dhoqinëra (si Idris) apo duke pretenduar se Hoxha ka mbrojtur kufijtë dhe u ka treguar vendin grekërve e titistëve jugosllavë. Ca e këshilluan atë të shkonte të hante një pjatë grosh. Ca të tjerë i thanë t’i fuste dhe një pilaf prapa. Ha,ha,ha! Shakaçka të qëmotshme shqiptare.

Një parantezë: (Është bërë i modës sot anonimati i internetit. Ka që e quajnë këtë si një fitore të madhe. Fitore e kujt dhe ndaj kujt? Ndaj vetes së tyre? Të polemizosh si anonim është njëlloj si të dyluftosh me një kundërshtar që prapa mureve të kështjellës, kur ai rri e të pret ty përpara mureve. Nejse, kjo është punë për anonimët. Do t’u rekomandoja atyre një këngë të fundit të Bred Pejzlit “Online”. Aty flitet për një tip që thotë: “I’m so much cooler online”. Ky tipi është i gjatë 5’ e 3” dhe nget një Hyndai të vjetër po në MySpace, ai është 6’ e 3” dhe nget një Mazerati, e vajzat çmenden pas tij e të tjera e të tjera. Lum si ju o anonimë që jeni “kull” online).

E pra, po të lexonin me durim shkrimin, këta zotërinj e të tjerë do të shihnin se aty nuk është fjala për ndonjë fushatë antikomuniste (e cila ç’është e vërteta nuk është bërë siç duhet në Shqipëri) por thjeshtë për një shkrim të z.Koço Danaj në Panorama, në 24 janar. Zoti Danaj u rekomandon shqiptarëve (sic!) të kundërshtojnë BE ashtu siç bëjnë nacionalistët serbë se kështu do të kemi më shumë përfitim. E gjithë kjo mbruhet me “patriotizmin” e këtij zotnie të agjitpropit komunist, i cili në fund të shkrimit brohoret: “Poshtë internacionalizmi! Rroftë Shqipëria!”

Shkrimi im rrekej të argumentonte se ata që mbeten në thelb komunistë, nuk mund të jenë patriotë të vërtetë. Ky është mendimi im, ashtu siç e kuptoj unë patriotizmin. Hidhen e thonë se Hoxha mbrojti kufijtë. Po kush diktator nuk i mbrojti ? Dhe ky qënkërka patriotizëm ? Po pse nuk mendojnë këta zëmërakët e Peshkut se kur vallë u prish Hoxha me jugosllavët ? U a them unë po të mos e dinë: u prish atëhere kur Titoja tradhëtoi Stalinin dhe Hoxha u detyrua të zgjedhë. Deri atëhere, ishim gati të bëheshim republikë e shtatë e Jugosllavisë dhe desh ndrruam edhe lekun me dinarin. A ka njeri me pesë para mend të mendojë se po ta kishim vendin e baba Stalinit në kufijtë tanë nuk do të qemë edhe ne brenda kufijve të atij që quhej Bashkimi i madh Sovjetik? Kina ishte në fund të botës dhe merhumi ynë kinezëroi të gjithë Shqipërinë duke i bërë gjimnastikë kolektive mëngjesi dhe një mori hyneresh të tjera. Për çfar “patriotizmi” bëhet fjalë se kishte ky Enver Hoxha që AR31 thotë se ai qënka Patriot (me P të madhe)?

Peshkaxhijtë e Peshkut thonë për mua se qënkam për në muze por paradoksi është se me këto mendime që kanë janë vetë ata ndërkaq në jetën e vërtetë muzeale dhe e gjithë jeta e tyre (në qoftë se rrojnë diku në Perëndim) është për të ardhur keq se s’ua paska shkulur dot nostalgjinë për një të shkuar që nuk ndahet dot si ato qershitë e përmjerrura të Nastardinit: kjo me shurrë e kjo pa shurrë, por duhet flakur toptan se është e gjitha e shurrosur e ca më shumë se kaq.

A janë patriotë ata “trimat” e Shesheljit në Serbi? A thotë dot dikush se nuk janë? Po ky është vallë patriotizmi, që duhet të ketë njeriu i sotëm? Që të justifikojë krimet e bëra në Kosovë për mbrojtjen gjoja të integritetit të Serbisë mëmë? Që të justifikojë dhunën ulëritëse, vrasjet e përdhunimet e eksodin e një populli të gjithë? Aaaa, do të hidhen anonimët: ata nuk janë patriotë. Patriotë jemi vetëm ne. Ata janë të tjera gjëra, me të tjera llagapëra: shovinistë, nacionalistë ekstremë etj. Është vendi këtu të përsëris edhe një herë një shprehje të aforistit të famshëm polak Vladislav Jirzhi Lec që më është dashur ta them shumë herë në shkrimet e mia: “Fytyra e armikut më tmerron më tepër kur shoh se sa e ngjashme është me timen.” A e dini se kush janë ata “trimat” e Shesheljit? Janë ish komunistët e dikurshëm serbë që koha dhe demokracia u hoqi nga dora “parajsën” komuniste që kishin ndërtuar për veten e tyre.

Patriotizmi sot është një koncept gjithsesi i dyshimtë. Sigurisht është gjë e mirë që njeriu të dojë shtëpinë e tij të lindjes, fshatin apo lagjen e tij, qytetin apo vendin ku rrojnë bashkëkombasit e tij. Po kur këto kthehen në një kult e paragjykim, atëhere koncepti i patriotizmit rrënohet e s’ka logjikë ta mbajë. A nuk ishin “patriotë“ ata francezët që hodhën baltë e përshtymë mbi Emil Zola kur ky shkroi të famshmen “J’acsuse”? A nuk ishin “patriotë“ skalionet e nacional-socialistëve gjermanë të Hitlerit që bënë holokaustin dhe i vunë flakën Evropës e botës? “Patriotët më të liq, thotë kleriku amerikan Uilliam Sloni Kofin, janë ata që më të shtrënjtë se e vërteta kanë mosdyshimin absolut, ata që me qëllim që të kursejnë veten nga vuajtja e mendimit, janë të gatshëm t’u shkaktojnë të tjerëve vuajtje të parrëfyeshme.”

A duhet të bërtasin kaq shumë për patriotizmin mbi një milion shqiptarë që jetojnë jashtë Shqipërisë? A nuk duhet që t’i duan ata edhe ato troje ku jetojnë e punojnë? A nuk del edhe atje i njëjti diell ditën dhe e njëjta hënë natën? A nuk duhet t’i duan edhe ata që bashkëjetojnë me ta, të zes a të bardhë, të verdhë a të kuq? A nuk u bëhet edhe atje e shtrënjtë një rrugë, një perëndim dielli, një kope zogjsh në fluturim e një pemë kur lulëzon ?

Dhe së fundi, a nuk janë pra bajate diskutimet e sotme mbi “patriotizmin” kur bota moderne hedh vizione të reja për të ardhmen? “Patriotizmi” është ai që ndez sot zjarret anembanë botës: kurdët në Turqi, Darfuri në Sudan, 9 milion e gjysmë refugjatët që janë pa strehë e atdhe në gjithë Afrikën, konfliktet në Kaukaz, Lindjen e Mesme dhe në Azi. Në vizionin e një bote integruese, të ushqesh “patriotizmin” duhet të jesh alogjik apo të bësh ashtu si ai Baroni Mynhausen i përrallës që kur po mbytej në një moçal, u kap nga flokët e tij, i dha forcë vetes dhe doli nga moçali. Dhe një moçal i tillë do të bëhet çfardo mjedisi ku peshkojnë peshkaxhinj të tillë si ata që përmenda më sipër.


(Botuar në gazetën Sot, 1 shkurt 2008)

Saturday, January 26, 2008

Hakuna Matata

Midis shumë të këqiave që u erdhën shqiptarëve nga diktatura komuniste, e keqja më e madhe ishte përpunimi i thellë i psiqikës së tyre dhe gjendja e parikuperueshme mendore që ka shpënë në një mentalitet delirant e megalloman, të të gjithëve që i dinë të gjitha, të harxhimit kriminal të kohës, të vendosjes së prapthi të prioriteteve, të tundjes në çdo kohë e gjendje të flamurit të qejfit, të vënies së lirisë mbi ligjin e rendin. Hakuna Matata është motoja më e përshtatëshme që u shkon shqiptarëve sot.

Në film-muzikalin e famshëm të kompanisë filmike amerikane Uollt Dizni “Luani mbret” dalë në 1994, Hakuna Matata nuk është thjesht një këngë e kënduar nga Timon dhe Pumba, dy personazhe kafshë që rritën Sumbën e vogël, luanin që do të hamerrej për të atin e që do të bëhej mbret. Hakuna Matata është një filosofi e tërë. Fjalët janë marrë nga gjuha swahili e Afrikës dhe duan të thonë pak a shumë: s’ka problem, nuk ka pse të shqetësohesh, merre lehtshëm. Me më shumë fjalë, ato duan të thonë: Jeta është e shkurtër, jetoje e gëzoje si të mundesh e lërë mënjanë luftën e përpjekjet.

Kjo është një filosofi e pranueshme dhe e pëlqyeshme për periudha të caktuara të jetës njerëzore. Por a duhet që shqiptarët sot t’i bien fyellit vetëm në një vrimë: Hakuna Matata? Vini re ç’ndodh. Ka qindra halle e probleme, pa drita, pa ujë në çdo kohë, me çmimet që rriten jo sipas logjikës normale të tregut por sipas oreksit e makutërisë së biznesit tregtar, me tregun e punës dëshpërues dhe qeveritarët që vjedhin e grinden, grinden e vjedhin. Dhe vjen viti i ri dhe shqiptarët ndezin fishekzaret kineze që kanë mbushur tregun dhe i hedhin lëmshet e zjarrta në qiellin e netëve në prag të Vitit të Ri. Hakuna Matata!

E parë kështu, kjo është filosofia e të kënaqurit me pak, me atë që ke aktualisht, e bjerrjes së forcës për të luftuar e fituar atë që të takon. Në kohën e diktaturës ndodhte shpesh që një masë e vogël që jepte një grimë më shumë për jetët e njerëzve, quhej si një fitore e madhe. Mjafton të shtohej një pako gjalpë më shumë në muaj, dukej sikur qe bërë hataja dhe ishte shumë më tepër se kur nuk ishte fare ajo pako.

Tregojnë një histori nga ajo kohë. Një karrocjer i komunales që mblidhte plehrat me karrocë, kishte kohë që shkonte në këshillin e lagjes dhe bënte kërkesë për shtëpi. Kam tre fëmijë, thoshte, më bëni derman se jam ngushtë. Ohu, sa ka me tre fëmijë, i thoshin. Po kam dhe kalin bre, thoshte ai, edhe atë nështëpi e mbaj. E kështu shkuan shumë muaj dhe pas nja dy vjetësh, ai i madhi i lagjes e takon hallexhiun në rrugë dhe i thotë: Ore ti, pse nuk je dukur andej nga këshilli se do të shohim se mos të bëjmë ndonjë derman. Faleminderit o shoku Filan i thotë karrocieri, po jam mirë tani se e kam nxjerrë kalin nga shtëpia e i kam bërë një kasolle dhe jemi liruar. Hakuna Matata!

Kjo psikologji vazhdon edhe sot. Njerëzit thonë, more mirë s’ka drita po pse nuk i heqin me orar, xhanëm? Ah, tani po, tani që i heqin me orar, të paktën e dimë kur do priten, tani jemi mirë. Ose muhabete të tjera ashtu si nën zë: Edhe kështu që të mos i lësh skafet në det, nuk shkon edhe kjo. Lëri ore, se kështu janë bërë dhe vendet e përparuara të botës, me drogë, me trafik, me prostitucion...Ose të tjera: ç’më duhet mua se vjedh filani. A ka bërë të mira për qytetin. Pa shih se ç’gjëra ka bërë. I lumtë në se vjedh dhe një çikë për vete. Hakuna Matata!

Po deri ku është kjo çika? Sa paska të drejtë të vjedhë një qeveritar, një politikan, një i zgjedhur nga populli? Sa paska të drejtë të gënjejë ai që herën tjetër të mos votojë kush për të? Vota, ky mekanizëm thelbësot i demokracisë duhet parë më seriozisht e jo kaq lehtshëm nga shiptarët. Ajo nuk duhet flakur e zhbërë më kot si një bisht pa vlerë cigareje.

Nuk është mirë që mentaliteti i kënaqjes me pak, me atë që ke, i mungesës së energjisë për të arritur atë që të takon, të përcillet edhe tek rinia e sotme. Të gjithë e thonë me qejf e brohori se në Shqipëri bëhet qejf i madh. Hajde, si kërcet qejfi atje! Kafenetë, kafene, lokalet lokale, ku ka lokale si në Tiranë, celularët ultra, makinat ultra, kazinotë vu, vajza të bukura sa të duash, pa le si vishen njerëzit, të luan mendja e kokës.... Pastaj kur lëviz muhabeti, thuhet edhe se nuk ka drita, nuk ka ujë, nuk ka këtë e atë, se ka pluhur e plehra, se ka lypsarë që të zënë nga mënga, se ka..., se nuk ka..., plot e plot, pa fund. Megjithatë, Hakuna Matata.

Kërcasin orkestrat, orgjit[, ahengjet, oburra në parti (në parti, jo në parti me theks në fund), netët e bardha të Tiranës, rini që pi alkohol dhe duhan (dhe edhe të tjera) e shfrenuar, që i ka zëvëndësuar shkollat e bibliotekat me kafenetë e pubet dhe që terrorizon prindërit për subvencion çdo natë. Nuk është faji i rinisë, sigurisht. Është faji i brezave më të përgjegjshëm të shoqërisë, i politikanëve që e nisën politikën me premtime të mëdha dhe nuk kanë krijuar ende një mjedis normal e shpresëdhënës për të ardhmen e rinisë që hyn në jetë.

Që të mos flasësh pastaj për pak më larg se Tirana. Atje në ato fshatra e zgëqe ku shkon i mirënjohuri Edison Ypi po që edhe ai, nuk ka kohë të qëndrojë gjatë po merr ndonjë llaf më këmbë e shkon tutje. Atje është burimi i skupeve të gazetave dhe gjithë medias: një nënë mbyt veten dhe fëmijët, një bir vret babanë me sëpatë, nj[ vajzë e re var veten ... e lemerira të tjera. Po buja e këtyre skupeve zgjat vetëm një ditë. Kurse jeta mondane e metropolit vazhdon. Figurat e njohura të politikanëve në kapakët e gazetave dhe në ekranet e TV flasin për reforma, dritat do rregullohen, plehrat do rregullohen, rrogat do të shtohen, të gjitha do rregullohen. Hakuna Matata!

Komunizmi ishte sistemi i mediokritetit dhe i punës sa për sy e faqe. Njerëzit duhet të ziheshin me punë, kjo ishte e rëndësishme. Për të mos u lënë kohëtë lirë të mendonin përtej halleve të së përditëshmes. Zënia me punë e njerëzve ishte më e rëndësishme se rezultati i asaj pune. Ashtu të lodhur e të raskapitur, me turne, aksione, zborre ushtarake kishe gjithnjë e më pak mundësi e hapësirë të mendoje pse qe ndërtuar kështu kjo bota jo dhe jo ndryshe. Dhe ata që gjithsesi arrinin ta mendonin këtë dhe e shpinin këtë menndim nga truri në gojë, i priste internimi e burgu.

Por sot, të paktën mendimi është i lirë në Shqipëri. Mund të vrasësh mendjen e të mendosh pse duhet të mbetemi ne si shqiptarë në bisht të përparimit evropian, kur edhe fqinjët po na lënë prapa. Mund të mendosh e të vrasësh mendjen pse nuk shkulet korrupsioni po ka zënë kryet e buxhakut, pse ka 17 vjet që vërtitemi si shportë karavidhesh dhe ndodh gjithëshka si me qilimin e Penelopës që endej e çendej e nuk bëhej kurrë. Ka plot gjëra për të menduar e bërë në Shqipëri sidomos nga brezi i ri i vendit. Vetëm për një gjë nuk ka vend: për të kënduar pafund e si të dehur Hakuna Matata!


(Botuar në gazetën Sot dhe Albania, 8 shkurt 2008)

Janë vallë komunistët patriotët e vërtetë?

Edhe sot e kësaj dite shumë nga nostalgjikët e periudhës komuniste kur vjen fjala, tundin kokën e thonë : "Ishte si ishte Enver Hoxha po patriot ishte ama. Shqipërinë e donte me shpirt dhe të gjitha trojet ku banonin shqiptarë... " Si shumë e shumë të tjera kjo është thjesht një bisht spërdredhës i hidrës së propagandës së pështirë komuniste. Enver Hoxha as e donte e as që i bëhej vonë për Shqipërinë e shqiptarët. Ai donte vetëm veten e tij dhe mbretërinë e vet ngritur brenda diktaturës së proletariatit. Kushdo që ja kërcënonte ato, ai e shpallte armik të idealeve komuniste. Është detyrë e historianëve të nxjerrin në pah arsyet e shkaqet se pse i interesonte atij të theksonte patriotizmin dhe pse i duhej të bënte këtë apo atë lëvizje politike që e hiqte si patriotike. Me dy fjalë, logjika është shumë e thjeshtë: patriotizmi ishte izolim i vendit që aq shumë e dëshëronte një udhëheqës paranojak e mediokër si Hoxha. Parimi i lashtë romak: më mirë i pari në fshat se i dyti në qytet, vlen edhe këtu.

Puna është që me ardhjen e demokracisë në Shqipëri shumë komunistë e ish komunistë e akaparuan patriotizmin si një ide shpëtimtare, si një copë dërrasë mbetur nga kaikja e mbytur e diktaturës për t’u shpëtuar dallgëve e për të dalë në stere. Shumë nga ta janë sot patriotët më të flaktë. Ata edhe pse nuk dalin hapur kundër Evropës e Amerikës, pëshpërijnë nën zë e thonë ndonjë batutë ironike kundër tyre, s’ju ndahet shpirti nga Rusia e thonë ashtu si kot, ëhë është fuqi e madhe ajo, ja ka frikën Amerika. Janë ata që thonë se fajet për të gjitha të këqiat tona na i kanë greku e serbi, ata që rrëmojnë nëpër bykun e tyre të injorancës për të gjetur të veçantat e kombit shqiptar: gjuha, më e lashta në botë, besa, më e madhja në botë, trimëria, më e shkëlqyera në botë, kultura, gjithashtu më e larta në botë.

Po të mos besoni, shihni shkrimin e zotit Koço Danaj në Panorama të 24 janarit. Ky ish aparatçik i vjetër i nomeklaturës komuniste e ka flakur prej kohësh setrën e militantit të diktaturës mëmë dhe ka rrëmbyer dyfekun me gjalmë të pseudopatriotizmit. Në fund të shkrimit, ai që deri dje donte ta bënte komunizmin të përbotshëm dhe këndonte bashkë me korrin e Operas "Internacionale do të jetë bota e re... " tani hedh parullën : "Poshtë internacionalizmi, rroftë Shqipëria ! " Shumë mallëngjyes ky shkrim i zotit Koço. Ai analizon në të nacionalistët serbë të Partisë Radikale të Shesheljit dhe del me konkluzionin se sa më me krenari e fodullëk të sillesh, aq më shumë ndere e lehtësi të bën Evropa. Pra, zoti Koço i mëson shqiptarët: Oburra, bëhuni si patriotët e Shesheljit e dilni kundër Evropës e Amerikës. Aferim zoti Koço! Edhe ai Hoxha yt ngjallet lugat e ngrihet nga varri me këtë thirrjen tënde mallëngjyese e të përqafon me mall.

Po pse o njeri, domethënë ti thua që bëkërkan mirë që sillen ashtu ata gjoja patriotët serbë? A nuk e di ti se ata janë turpi e këllira e Serbisë që ja kanë zënë asaj kokën me derë (apo derën me kokë, si të duash) e s’ja lëshojnë? Ata janë kasketat e vjetra të Millosheviçit, siç janë edhe këtu tek ne ato kasketat e qeleshet e vjetra të Enverit e Ramizit. Atje ata janë me fat se kanë ende shumicën e votuesve, po këtu tek ne janë bërë kashtë e koqe e janë shpërndarë nëpër partitë e shumta.

Është mëndjeshkurtësi e përtej mëndjeshkurtësisë të thuash se fajin për mossukseset e udhën tonë kërmillore drejt Evropës e ka mendimi globalist, globalistët shqiptarë. Çfar sy të tjerë duhen për të parë se fajin na e ka vetja jonë, politika jonë, politikanët tanë, votat tona për ta dhe mbi të gjitha mentaliteti ynë i dembelizmit patriotik me të cilin mbushim kafenetë dhe forumet e internetit.

Nuk është puna t’i biesh dërrasës së gjoksit e të thuash "Rroftë Shqipëria ! " Patriotizmi i vërtetë nuk do thirrje e histerira. Boll me metodat e vjetra me të cilat mallëngjente njerëzit propaganda komuniste. Mos vallë nuk e duan Shqipërinë ata mbi 1 milion vetë që kanë ikur prej saj? Mos vallë ti që ndëjte aty e do më shumë atë? Po nga ta dimë se ti nuk je aty nga halli? Apo se fiton më shumë e më mirë aty me metodat e reja të komunizmit kapitalist apo të kapitalizmit komunist? Jo o këngëtar i vjetër i propagandës komuniste. Edhe ata që kanë ikur e duan Shqipërinë, por duan edhe familjet e tyre, jetët e tyre, botën të gjithë. Mos do ti që të mbyllemi e të hamë bar siç na thoshte ai Hoxha i shpifur dhe t’i bëjmë me duart tona brenda atij një pëllëmbe vënd të gjitha që nga gjilpëra e deri te traktori?

Asgjë e keqe nuk i vjen Shqipërisë nga globalizmi. Ka vetëm përfitim. Nuk ka nevojë sot të mallëngjesh shqiptarët që të rrëmbejnë “pushkën e gjatë“ e të dalin kufijve. Ato i mbron NATO ku ne duam të hyjmë, i mbron gjithë bota e përparuar dhe sigurisht i mbrojmë edhe ne të gjithë po të jetë nevoja deri kur ato kufij të jenë. Se nuk do të jenë edhe shumë kohë. Sepse po shkuam me mendje ndryshe nga kjo, kot që themi se duam të shkojmë në Evropë. Në Evropë sot shkohet me tren apo me makinë që nga cepi më perëndimor i Portugalisë deri tej në lindje, në kufi me Rusinë dhe nuk sheh gjëkundi ndonjë piramidë, portë apo roje kufiri. Kështu duam ne që të jetë Shqipëria brenda Evropës dhe kështu do të jetë do apo s’do ti. Gjuha e kultura shqipe e ka kaluar provën e zjarrit: qindra vjet nën pushtime të huaja, gati një shekull të tërë nën diktaturat feudale e komuniste që u përpoqën ta shterpëzojnë e t’i mësojnë gjuhën e drunjtë. Pra nuk ka asnjë rrezik që ajo të asimilohet por vetëm do të shkëlqejë e ndritëshme, e bukur e modeste bri kulturave të botës me të cilin bëjnë së bashku një qiell që është i njëjti për çdo Homo Sapiens.


(Botuar në gazetën Sot, 29 janar 2008)