Shqiperia e udhekryqeve

Edhe pse jam larg Shqipërisë, fëmijërinë dhe një pjesë të rinisë e kam kaluar atje dhe sado që botën e quaj atdheun tim të madh, është kurdoherë një atdhe i vogël, një qytet, një fshat, një mal,një lumë apo një perëndim dielli ku na shkon mendja herë pas here. Pse Shqipëria e udhëkryqeve? Sepse mbeti udhëkryqeve në tërë historinë e saj, se lanë kurrë të zgjedhë rrugë po e tërhoqën me hir a me pahir në rrugë pa krye.

My Photo
Name:
Location: Berkeley, California, United States

Jam ai që nuk kam qenë Do të jem ai që nuk jam.

Wednesday, October 17, 2007

Mendimi eklektik

Zoti Kastriot Myftari është një penë e njohur në shtypin shqiptar të këtyre viteve të fundit dhe i pranishëm pothuajse përditë në gazetën Sot. Opinionet për të janë të ndryshme, për mirë e për keq. Është e natyrshme që ai të bëjë shumë armiq me hamendësimet, hipotezat, stilin e nganjëherë edhe sharjet e fyerjet. E them që në krye se autori i këtyre rradhëve nuk hyn në listën e armiqve të zotit Myftari. Ai e pëlqen shumë informacionin dhe erudicionin e këtij gazetari por kjo nuk e bën të jetë dakord me shumë nga fjalitë, pikpamjet e opinionet që ai shpreh në lumin e shkrimeve të veta. E mbi të gjitha, ai nuk është dakord me mënyrën e analizës që ai operon.

Ajo që më bëri të ulem e të shkruaj më konkretisht për të ishte shkrimi i tij në gazetën Sot të 17 tetorit, ku ai analizon, sulmon e denigron historianin e shquar, Prof. Kristo Frashëri. Nuk dua të merrem me të gjithë shkrimin po më bëri përshtypje një pasazh i tij: “Për mua, bashkëpunëtorët e pushtuesve fashistë në vende si Shqipëria, Jugosllavia apo Greqia, ku kishte lëvizje komuniste të fuqishme të kontrolluara nga Moska, që rrezikonin të merrnin pushtetin, janë të shfajësuar në krahasim me homologët e tyre në vende ku lëvizjet komuniste qenë të dobëta si Danimarka, Norvegjia, Holanda, Belgjika.” Mbase gaboj dhe nuk kam informacionin e duhur, por është hera e parë që shoh që dikush të marrë në mbrojtje bashkëpunëtorët e pushtuesve fashistë. Pra kolaboracionistët (term i njohur ndërkombëtar ky) në këto vende që përmend zoti Myftari, qënkan të shfajësuar. Pse? Sepse ata nuhasnin rrezikun komunist, na spjegon ai. Në listën e vendeve Danimarkë, Norvegji, Hollandë e Beligjikë, që zoti Myftari thotë se kishte lëvizje të dobëta komuniste, ai nuk ka futur Francën. Nuk e ka futur se ka harruar apo se ajo nuk hyn në vendet me lëvizje të dobët komuniste? Po të jetë kjo e fundit, pra që Franca kishte lëvizje të fuqishme komuniste (gjë që është e vërtetë), ai shfajëson pra edhe kolaboracionistët francezë.

A e di zoti Myftari se qeveria e Vishisë, nuk ndoqi, burgosi e vrau jo vetëm komunistët por edhe çifutët e frimasonët dhe zhvilloi një politikë të egër raciste? A e di ai se kur Franca u çlirua, mareshalli Peten, heroi legjendar i atij vendi u shpall tradhëtar dhe u dënua me vdekje por u fal nga de Goli dhe vdiq në burg? Po ashtu, a e di ai se gjatë luftës në Francë u ekzekutuan nga anëtarët e rezistencës franceze rreth 6,000 kolaboracionistë dhe pas luftës rreth 4,000 të tjerë? Këta qenë si rezultat i ndjenjës së vrullshme anti-tradhëtare të vetë francezëve se vetë qeveria e de Golit dha 1,500 dënime me vdekje për kolaboracionistët e Vishisë. Midis atyre që u pushkatuan qenë kryeministri Pierr Laval, shefi i milicisë Josef Damand e dhjetra të tjer, për të mos thënë se u pushkatuan edhe shkrimtarë që kishin dalë haptazi në mbrojtje të pushtuesit. Jo, zoti Myftari, antikomunizmi nuk mund të shërbejë si shfajësim e përligjie për bashkëpunim me atë që i ka marrë lirinë vendit. Janë ca të vërteta e ca kapituj morali që bota e qytetëruar ka kohë që i ka vendosur në panteonin e mënçurisë së saj.

Në këtë shkrim zoti Myftari bën një batërdi të padëgjuar. Për të përligjur ato që mendon për kolaboracionistët nuk e kursen as Çërçillin apo Britaninë e Madhe. Sipas tij, këtyre u interesonte të digjej e gjithë Evropa. Mendoj se ky arsyetim është shumë naiv e semplist. Nuk përjashtohet ajo që aleatët kundër boshtit nazist në Luftën e Dytë Botërore edhe pse qenë aleatë kishin interesat e strategjitë e tyre jo kurdoherë të nxjerra në shesh. Por strategjia kryesore qe lufta kundër kuçedrës hitleriane që rrezikonte të shkatërronte botën mbarë.

Komunizmi ishte gjithashtu një e keqe e madhe që pllakosi botën më së shumti pas luftës, por mos vallë duhen përligjur Frankoja, Salazari, Pinoçeti, juntat ushtarake sepse qenë antikomunistë? Mos duhen përligjur bëmat e tyre të pashëmbullta gjakatare? Mos duhen përligjur luftrat në Indokinë qoftë kur protagoniste ishte një kampione e demokracisë si SHBA, sepse qenë kundër përhapjes së rrezikut komunist? Bota demokratike sot nuk është e këtij mendimi. Dhe kur them bota demokratike, nuk nënkuptoj qarqe të caktuara brenda apo jashtë qeverive që janë të interesuara që bota të ketë kurdoherë konflikt e luftra, por ato mendje të kthjellta që kumbojnë me thjeshtësi e solemnitet në auditoret e Harvardit, Berklit, Oksfordit, Parisit e Berlinit dhe në mediat e përparuara anembanë botës.

Vetë historia shqiptare ka mjaft gjëra që duhen studiuar e sqaruar por jo nën frymën pasionante të politikës së kohës. Ato duhen qartësuar nga njerëz kompetentë dhe jo nga ata që bëjnë të gjithë historinë e botës me artikuj gazetash e as nga ata që hamendësimet e veta nuk i bazojnë kund. Në dijen njerëzore është i njohur eklektizmi si praktikë e zgjedhjes së doktrinave nga sisteme të ndryshme të mendimit pa përshtatur të tërë sistemin mëmë për secilën doktrinë. Këtë praktikë zoti Myftari e trajton paprerë e me shumë sukses në mjaft shkrime të tij. Ai ka borxh të thotë origjinën prej çifuti të aksh personazhi të sotëm të politkës pa na dhënë asgjë të saktë e konkrete të burimeve të tij. Ai na e sjell presidentin e Iranit, zotin Ahmedinexhad në Shqipëri (që edhe mund të ketë qenë, nuk e kundërshtoj) i cili na i dhuron këtij vendi edhe një pjellë njerëzore që zoti Myftari na e shquakërka pas kaq vitesh në krye të një OJQ-je. Hajde katund, hajde!

Në fund të shkrimit në fjalë, zoti Myftari i turret gazetarit Blendi Fevziu dhe i thotë se ç’mund të presësh prej tij si një ish tifoz i Dinamos (skuadra e ministrisë së brendëshme të Enver Hoxhës) që ju kundërvu “demagogut” Kristo Frashëri në emisionin e tij dhe të mos e linte të livadhiste lirisht. E para ta lidhësh qëndrimin e zotit Fevziu prej faktin që paska qenë tifoz i Dinamos me dyshimin se i qan zemra për kohën e Enverit dhe dashka të lejojë shtrëmbërimin e historisë, është njëlloj si të thuash se ai që ha kumbulla të kuqe, është me prirje komuniste. E dyta, qëndri i i zotit Fevziu është ai i një gazetari jo i atij që i di të gjitha. Pse çfar pret zoti Myftari? Mos pret që intervistuesi të ftojë të intervistuar dhe t’u rrëfejë atyre atë që duhet të thonë? Kjo është sa naive dhe qesharake. Sado i bukur e i gjetur qoftë, mendimi eklektik asnjëherë nuk të shpie larg. Ai është si iluzionet optike në shkretëtirë. Ti turresh pas tij të gjesh oazin e premtuar por gjen vetëm rërë.

(Botuar në gazetën Sot, 19 tetor 2007)

Tuesday, October 16, 2007

Dosjet dhe gjykimi mbi të shkuarën

Komplikimet e çështjes së hapjes apo moshapjes së dosjeve të bashkëpunëtorëve të sigurimit të shtetit, shtyrjet e saj pas kalendave greke, hallakatjet e teorizimet se si dhe për kë duhet të hapen ato, kujet e hamendësimet që është e kot të hapen se ato nuk janë më ato që duhet të qenë e të tjera e të tjera, janë një korr zëçjerrë që shoqëron shpesh tensionet e politikës këto 16 vitet e shkuara të tranzicionit shqiptar. Ato janë amplifikuar apo vënë në surdinë sipas interesit politik të njërit krah apo tjetrit.

Padyshim që dosjet duhet të hapen dhe të hapen sa më shpejt nën mbikqyrjen e një komisioni të rreptë jopartizan. Shqipëria është i vetmi vend i dalë nga shpellat komuniste që nuk e ka bërë këtë deri sot. Dosjet duhet të hapen të tëra, jo pjesë pjesë. Teoritë se po u bë kjo do plasë grindja e lufta në mbarë vendin, janë naive e qesharake.

Komplikimi më i madh për dosjet ka ardhur nga harresa historike që është kaq karakteristike për ne shqiptarët si edhe nga mungesa e një gjykimi të shëndoshë dhe e vlerësimit me kute të ndryshme të pjesëve të të njëjtit objekt apo dukuri. Le të sqarohemi më hollësisht. Bashkëpunëtorët e sigurimit të shtetit janë njerëz që qoftë të detyruar apo vullnetarë, kanë dëmtuar e u kanë rënduar jetën të tjerë njerëzve nën diktaturën komuniste. Edhe në qoftë se nuk kanë dëmtuar njeri, ata mbeten njerëz me njolla morale dhe të tillë nuk duhet të kenë vend në politikën e një vendi dhe në administratën e lartë të shtetit apo parlamentin e tij. E dimë që shumë nga ta qenë të detyruar ta hidhnin atë të shkretë firmë, por gjithsesi, edhe për mosha ende të reja, ajo tregon karakter të dobët e burracakëri. Dhe për këtë, me hapjen e dosjeve atyre nuk është se u pritet koka apo kalben në burgje. Jo, është një e vërtetë që duhet vënë në vend dhe që do të thotë se me atë njollë turpi mbi vete, këta individë nuk mund të dalin në krye të opinionit publik nëpërmjet politikës. Kaq.

Tani le ta shohim nga një prizëm tjetër. Mos vallë më pak dëme se një bashkëpunëtor i thjeshtë i sigurimit të shtetit ka bërë vetë punonjësi i sigurimit të shtetit, hetuesi, gjykatësi, drejtori i drejtorisë, zëvendësministri, ministri, deputeti, sekretari i partisë? E pra le ta themi hapur: ka patur deri anëtarë të thjeshtë të partisë së punës, që pa qenë nevoja të ishin bashkëpunëtorë të sigurimit të shtetit, kanë bërë më shumë dëme dhe kanë rënduar më shumë jetë njerëzish se sa dhjetra ish bashkëpunëtorë që kërkojmë t’u hapen dosjet sot. Mos flasim pastaj për kategoritë e tjera përmbi ta. Nuk dua të them me këtë se të gjithë komunistët ishin të liq e të pandershëm, por ama një gjë duhet ta pranojmë se brez pas brezi, qenë ata që ushqyen e mbajtën gjallë diktaturën. Mos vallë nuk dihet se Enver Hoxha përdorte një tjetër rrjet nga ai i sigurimit të shtetit për të mbajtur nën kontroll të gjithë piramidën e tij djallëzore? E pra, ku i kanë dosjet këta bashkëpunëtorët e rrjetit të tij me të cilët ai zbulonte komplotet e hatashme të borgjezo-revizionistëve? Nuk paskan vallë përgjegjësi ata kuadro që partia enveriste i ngrinte nëpër funksione? A nuk qenë vallë ata ustallarët e vegjël apo të mëdhej që i shtonin jetën hidrës komuniste?

Dhe dihet që komunist bëheshe jo me detyrim, si një pjesë e bashkëpunëtorëve të sigurimit, por me lutje, me kërkesë, bile me miqësi nganjë herë e duke pësuar edhe mundimin e një pune më të rëndë në stazhe për intelektualët. Por të qënët komunist u përtyp fare lehtë në Shqipëri në kalimin në demokraci. Më të zellshmit flakën apo dogjën tesrat me brohorima dhe u turrën me ngut udhës së politikës së demokracisë. Duke qenë një dukuri me përmasa pak a shumë të mëdha, asnjëherë nuk u gjykua se një ish anëtar i partisë komuniste ka një minus të madh në biografinë e vet dhe duhet të paktën t’i kërkojë një ndjesë të thjeshtë të tjerëve që nuk kanë dashur të qenë të atillë. Dhe kurrë nuk u bë dallimi i atij që ka qenë me tesër partia nga ai që nuk e ka patur atë. Ka sot vallë statistika se kush ka qenë anëtar partie e kush jo? Njerëzit lëvizin nga njeri vend në tjetrin, miq të tjerë, komshij të tjerë. Ç’dimë ne për të kaluarën tonë? Asgjë. Gjithëshka e mbulon zhurma krrakërritëse e medias së shkruar, të parë e të thashethënë nëpër tryeza kafesh, trotuare, rrugë, shtëpi rreth skupeve të përditëshme.

Në SHBA edhe sot, kur aplikon për shtetësinë amerikane ka një pyetje ku thuhet: ke qënë apo jo anëtar i ndonjë partie fashiste apo komuniste? Do të ishte interesante të bëhej një sondazh me përgjigjet e shqiptarëve në të. Por kjo është një tjetër subjekt. E rëndësishme është që në këto 16 vjet që jetojmë së bashku në tranzicionin demokratik, ka ndodhur të jemi në një kafe, në një lokal, në një pallat, në një punë, në një lagje, në një qytet etj. me një ish sigurims, ish hetues, ish komunist 24 karatësh që të bënte gjëmën e të nxinte jetën në kohën e tij, që të mos flasim për lloj lloj nomeklaturash komuniste që kanë guximin e shkruajnë në shtyp apo dalin në TV e radio dhe çajnë dërrasa me arsyetime demagoge erëmyk. Dhe asgjë nga to nuk na bën përshtypje. Emo, të kaluara, themi e shkojmë tutje.

Kjo është ajo harresë e pafalëshme historike e shqiptarit. Eshtë e njëjta harresë që e bën atë të votojë për ty edhe kur bën një katrahurë të përgjakëshme popullore, edhe kur nuk i jep dritat e ujin e premtuar, edhe kur e gënjen e mashtron dhe ai e kupton që po e gënjen e mashtron. Duhet një tjetër kulturë qytetare, një tjetër vizion e mënçuri për t’ja dalë mbanë këtij qerthulli ku përplaset gjykimi i mendjes me dobësinë e zemrës njerëzore. Nuk është fjala për një rishkrim të historisë po për një rigjykim të saj. Po u gjykua drejt pastaj ajo nuk shkruhet dot më shtrëmbër. Por a na jep vallë shteti i sotëm aq akses sa duhet ndaj së kaluarës? A është kaq e lehtë e kaq e kollajshme sa ç’është në vendet e tjera të botës së qytetëruar, për të parë një arkivë, për të gjetur një dokument tëndin kur ke qenë student a mësues, a punëtor ferme apo shofer autobuzi dhe kur dikush ka shpifur e ka shkruar një letër për ty? A është vallë e lehtë të gjesh dokumente të komiteteve të partisë ku janë proses-verbalet e mbledhjeve famëkeqe ku gjykoheshin mijra njerëz të tjerë që s’qenë aty? Të gjitha vallë janë djegur e shkatërruar? Nuk e besoj. Shumë mbahen ende të fshehura e përdoren për përfitime imediate politike.

E kaluara duhet matur e arsyetuar me të njëjtin kut. Dhe njerëzit e bëmat e tyre duhen parë me të mirat e të këqiat e tyre, ashtu siç janë të gjitha bëmat e njerëzve e vetë njerëzit. Le të heqim dorë nga prirja prej çilimiu se më interesantja dhe ajo që na bën më shumë dëm, është ajo që na fshihet. Nuk është ashtu. Ne i kemi të hapura fare ato që na kanë lënduar më shumë. Jetojnë me ne dhe zënë kryet e opinionit politik shqiptar. Apo lulëzojnë nëpër afera e biznese me shifra marramendëse. (Fundja mirë bëjnë, por ama të dihen ç’kanë qenë!). Le të hapen apo të mbyllen njëmijë herë dosjet. E kaluara është me ne, në të njëjtën tryezë apo shtëpi apo rrugë. E heqim osh si një të vdekur që s’dimë ku ta kallim. Kështu do ta mbajmë mbi shpinë deri sa ta gjykojmë atë një herë e mirë ashtu siç duhet. Përndryshe ajo nuk do të na lërë të ndërtojmë të ardhmen.

(Botuar në Tema, 23 tetor 2007 dhe Sot, 23 tetor 2006)