Shqiperia e udhekryqeve

Edhe pse jam larg Shqipërisë, fëmijërinë dhe një pjesë të rinisë e kam kaluar atje dhe sado që botën e quaj atdheun tim të madh, është kurdoherë një atdhe i vogël, një qytet, një fshat, një mal,një lumë apo një perëndim dielli ku na shkon mendja herë pas here. Pse Shqipëria e udhëkryqeve? Sepse mbeti udhëkryqeve në tërë historinë e saj, se lanë kurrë të zgjedhë rrugë po e tërhoqën me hir a me pahir në rrugë pa krye.

My Photo
Name:
Location: Berkeley, California, United States

Jam ai që nuk kam qenë Do të jem ai që nuk jam.

Monday, May 29, 2006

Ata që “s’i zë gjumi” për mëmdhenë

Më vënë kurdoherë në mendime shkrimet që lexoj në Panorama nga një analist ekonomiko-politiko-turlisojgjërash me banim në SHBA. Prej tij më vijnë në mend meraqet e mbetura të ikanakëve të shkretë që s’integrohen dot andej nga gjejnë strehë po prapë e kanë hallin që të ndreqin atë qerrata vend që nuk e ndreqën dot sa ishin e jetuan në të. Këta njerëz japin oqeane të tëra këshillash, nga të gjitha problemet, që nga politka e madhe e gjer te gripi i shpendëve. Ky doktori (Ph.D) i Uashingtonit, që thotë se i paska vënë dhe emrin Partisë Demokratike, është analisti më aktiv në jetën politike shqiptare. Fton ca kohë E.Selamin qe te vije ne drejtimin politik të vendit, i shkruan letra të hapura e të mbyllura, deklaron se nuk do të marrë pjesë në qeverinë e F.Nanos, çon e merr fjalë te S.Berisha, pastaj negocion me E. Ramën, parashikon fitoren e Metës, llogarit koalicione, formatime partish e kështu pa fund. Më e fundit është kur i shkruan një letër nipit të tij imagjinar dhe na bën me dije skenarin politik te Shqiperise per nja dhjetë vitet e ardhëshme e na bind se B.Topi do të bëhet kryeministër.

Ca kohë të shkuara, ky analisti ynë përshëndeste me të madhe ardhjen ambasadoreshë të Zj. Harxhi në SHBA, pasi na rrëfente se qe rrekur për ca kohë që në këtë post të ishte një zonjë tjetër. Dikur më parë pata lexuar se si njëra nga nuset e merhumit Hoxha rrëfente po ashtu se kishte bërë gjëra shumë të mira në jetën e saj duke i propozuar për shembull vjehrrit të saj që të ishte një filan fistëk në postin e sekretarit të parë të rinisë. Dhe kjo e zeza nuse harron se në pikpamje de jure, ishte një askush dhe kishte aq të drejtë për të propozuar atë emërim sa ç’kishte, ta zëmë një shoqja e saj që banonte në Brrakë. Po kaq të drejtë ka edhe ky analisti ynë që shkruan e shkruan kaq shumë për hallet e Shqipërisë dhe nuk harron të na tregojë se ka qenë në ballë të proceseve demokratike, i ikur nga Shqipëria në 1992, të propozojë me lloj lloj mënyrash moderne (telefon, e-maila etj.) emërime ambasadorësh, ministrash, drejtorësh etj.

Ç’është kjo mani që i zë këta njerëz? Pse nuk rreken me hallet e atij vendit ku kanë vajtur (sepse edhe atje ka halle)? Pse nuk merren këta me punët e tyre xhanëm, atje ku rrojnë po duket sikur i vetmi merak i stërmerakosur që u ka mbetur janë hallet e asaj të shkrete Shqipëri e cila në fakt, as i shtyu e as i përzuri? Ajo është atje, e hapur për të gjithë, por një takëm i tillë e ka më komode rrojtjen kështu: e vizitojnë atë një herë në ca kohë, kënaqen me ndonjë gjë që u pëlqen, e shajnë për ndonjë gjë që s’u pëlqen dhe shkojnë prapë atje tek qenë dhe japin këshilla, u bien telefonave, kjo të bëhet kështu e ajo ashtu. Kulmi është kur vijnë të marrin ndonjë post ( sakrificë për mëmëdhenë e gjorë), ndonjë zëvendësministër apo drejtor institucioni, duke i lënë strehat ngrehur në Evropë a përtej detit, që kur të mbarojë zullumi (domethënë sakrifica!) të kthehen prapë tek ishin, me një CV që do t’ua kishte zili kushdo. Janë një sërë zëvendës ministrash apo funksionarësh të lartë në qeverinë e re që vrapuan “ku i thërret atdheu” dhe gratë e fçmijët i kanë “përtej detit” si i thonë.

Atë shkrimin për zonjën Harxhi, analisti ynë e mbyllte duke thënë se sido të vejë filli, Zj. Harxhi si ambasdoreshë votën e tij e ka marrë. E ç’votë ke ti o të humbtë vula! Bëji hyzmet vendit ku ha bukë, paguan taksa e ke kërkuar strehim politik se vota jote nuk pi më ujë në një vend nga ti ike vetë e s’të përzuri njeri. Merak për të mund të kesh, po jo merak të stërmerakosur që të të lërë pa gjumë e të bësh turlisoj gjërash që demokracia e qytetërimi i vendit ku rron ti sot, na mëson të mos i bëjmë.


(Botuar në Gazeta Sot, 16 shkurt 2006)

Brezi i humbur

Këtë emër, që thuhet se e përdori së pari poetesha amerikane Gertrud Shtajn për të karakterizuar një grup shkrimtarësh të rinj të shquar amerikanë që të pakënaqur me vendin e tyre erdhën në Evropë e kryesisht në Paris në çerekun e parë të shekullit të 20-të, e mori më pas i gjithë ai brez i të rinjve të dalë të zhgënjyer nga Lufta e Parë e botës. Jeta e këtij brezi, ngërthyer në morinë e dallgëzuar të ngjarjeve të botës që e shpinin atë drejt Luftës së Dytë, është përshkruar në një sërë veprash të mrekullueshme si “Trilogjia e SHBA” e Xhon Dos Pasos, “Lamtumirë armë“ e Ernest Heminguej, “Tre shokët” e Erih Maria Remark, “Getsbi i madh” i Skot Fitxherald e mjaft të tjerë.

Breza të humbur ka patur mjaft në gjithë shtrirjen e historisë njerëzore. Por shpesh herë kam menduar se nuk ka pasur kurrë brez më të humbur se ai i të rinjve shqiptarë të sapodalë nga Lufta e Dytë e botës dhe që në një pjesë të madhe përqafuan me vrull e entusiazëm komunizmin duke e menduar atë si shërim e ilaç për botën e sëmurë. Eshtë brezi i atyre që tani janë mbi 70 vjeçarë, me një pjesë të madhe prejt tyre që u janë shtuar me kohë të shumtëve të kësaj bote.

Ky brez jetoi një rini të shkurtër e të vrullshme, mbushur nga ëndrra për një jetë e një botë tjetër ku të triumfonte barazia dhe vëllazërimi mes njerëzve. Pastaj erdhi për ta një periudhë e burrërimit të plotë kur zunë të shburrërohen sepse panë që gjërat nuk qenë ashtu siç i kishin menduar dhe e ndjenë se nuk mund t’i thoshin ato me plot gojën. Ata që guxuan të vënë në dukje të meta e gabime të udhëheqjes së pagabueshme të partisë, u shpallën armiq e u kalbën burgjeve e moçalishteve të internimeve. Njohja dhe pranimi në vetvete i së vërtetës ishte një proces i gjatë dhe mundues e tepër individual. Pati nga ta që shkuan drejt vdekjes me emrin e udhëheqësit të madh në gojë, duke mos e kuptuar deri në fund se ai ishte një monstër nga monstrat më të rrezikshme të botës, që ja shtrëngonte popullit litarin në qafë duke thirrur: Rroftë populli. Të tjerë, u mbyllën në vetevete, sepse dhe muret kishin veshë, dhe jepnin e merrnin në veten e tyre se pse jeta u mori këtë udhë. Të tjerë, më pragmatistë, e kuptuan se kjo punë, megjithë petkun e ri ishte po aq e lashtë sa historitë e neandertalit, kur duhet t’i hanje kokën tjetrit apo të ta hante ai ty, për një shpellë, për një zjarr, për një pre. Ata ju qepën me thonj e me dhëmbë baobabit të madh të pushtetit duke u kacavjerë trungut e degëve të tij. Të tjerë akoma, që e kishin ditur që në krye nga monstra e Rusisë se ç’fshihej pas parullave komuniste, qenë të deklasuarit, biografiliqtë, që u përpoqën të mbijetojnë, kush duke fshirë nga llagapet emrat e të parëve, kush duke ulur kokë e duke ndërtuar profile të ulta e të parëna në sy. Sigurisht jeta e këtyre të fundit ishte që në krye një skëterrë e vërtetë, me gijotinën e diktaturës që u rrinte e ngrehur mbi krye. Ndërsa ata të tjerët që u kalbën burgjeve e moçaleve komuniste meritojnë më vete mijra e mijra shkrime më vete.

Por jeta si proces biologjik e njëherazi shoqëror, bënte të vetën. Kishte dashuri, ndjenja njerëzore, martesa, lindje fëmijësh, familje. Kishte kënaqësi të vogla e të thjeshta njerëzore, dielli agonte e ngrysej, dita gdhihej e errej, yjet në qiell qenë mahnitës, dallgët e detit puthnin lehtazi bregun sikur s’kishin të bënin me atë jetë, zogjtë këndonin e lulet erëmira çelnin. Të gjitha këto plekseshin me orët e mundimshme të ditëve e netëve, me mundimin e mbijetesës, shtirjen, provokimin, burokracinë, luftën e klasave, bukën me racion, mishin me tallon, zborret, bunkerët që mbushnin fushat e malet, punën që shpesh s’dihej pse bëhej, bashkimin e tokave, bashkimin e kafshëve, bashkimin e njerëzve, paradat pompoze, gjestet trimërore të udhëheqësve ndaj të mëdhejve të botës, ndreqjet e prishjet në Evropë e Azi, festat e koncertet lum-si-ne që hapeshin me Parti-Enver, librat me shumë socializëm e aspak realizëm, pikturat e shtatoret proletare muskuloze. Të gjitha këto kultivuan dyfytyrësinë, njeriun siç ishte dhe njeriun siç hiqej. Njeriu u rrënua dhe u zhbë nga hipokrizitë, nënështrimi, imoraliteti, spiunimi e skamja.

Dhe erdhi një kohë kur të gjitha ëndërrat qenë vërtetuar për të gënjeshtërta. Një pjesë u mbytën nga dëshpërimi për rininë e humbur më kot. Ajo ishte larg tanimë, sa yjet larg, e zhgënjyer dhe e shpërdoruar. Po të kishin patur mundësi ta rronin edhe një herë atë, ashtu të çartur e trima siç qenë një kohë ndaj pushtuesve të vendit, ata do të qenë ngritur tashmë ndaj ëndrramashtruesve kriminalë por jo, ishte tepër von, këmbët u dridheshin, fryma u mbahej, kishin familje, fëmijë. Dhe mbylleshin në vetevete, ndonse detyroheshin të diskutonin në organizata e fronte e të hidhnin votat pro në kutitë e votimit. Fara e dreqit qe mbjellë.Të tjerë e të tjerë dilnin pas tyre, në krye edhe ata me besimin te ëndrra e gënjeshtërt por që pastaj e kuptonin shpejt se jetohej më mirë e nderoheshe më shumë sa më lart të ishte në trungun e degët e baobabit të pushtetit. Dilnin edhe të atillë që s’u gjente shpirti rehat pa e thënë fjalën e pa e drejtuar gishtin, por ata shuheshin shpejt burgjeve e internimeve apo bëheshin pre e aksidenteve të stisura ashtu siç kishte ndodhur me shokë të tyre gjatë luftës që morën plumbin pas shpine kur armikun e kishin përpara.

Dhe vjen agonia komuniste në fund të viteve ’90. Ramiz Alia pati shansin që nga 1985 t’i kthente gjithë këtij brezi të humbur, komunistë të bindur, komunistë të zhgënjyer e antikomunistë, një jetë më të mirë për atë pjesë jete që u kishte mbetur, t’i jepte fund mashtrimit të mëtejshëm shnjerëzor dhe ta kthente drejt brigjeve të sigurta kaiken e lodhur e të shpartalluar shqiptare. Por ai nuk e bëri këtë deri në fund. Të mënçur aq sa ta kuptonin dështimin, ai dhe ata që kishte rreth vetes menduan vetëm për klanin e tyre, vazhduan përsëri lojën demagogjike duke u hequr njerëzorë, duke pranuar ndonjë gabim të vogël, të vockël fare dhe duke pretenduar heroizmat e bëmat e tyre të mëdha. Asnjë fjalë për të vrarët e të shtypurit pa gjyq vetëm pse mendonin ndryshe, asnjë fjalë për ëndrrat e shpresat e vrara, gëzimin e plagosur njerëzor, vjedhjen e pronës, mashtrimin e madh të imponuar, asnjë fjalë për handakosjen gjysmëshekullore. Kasketat e vjetra, mbetën të hutuar nga ai shpërthim i papritur energjish. Të plakur tashmë, të rrënuar e vulnerabël, të ndjeshëm ndaj fatit të fëmijëve e nipërve, një pjesë e tyre u trembën nga kaosi e dhuna, nga arroganca e dëmtimi i asaj prone të gjithkujt e të askujt, ku qe mishëruar mundi e djersa e tyre në vite. Pjesa më e madhe mbetën të grupuar pas PS, e cila e mbushur më së shumti me individë që vinin nga degët e larta të baobabit të pushtetit të mëparshëm, edhe pse pranoi ndryshimet, nuk u shkëput asnjëherë qartazi nga rrënja e saj e herëshme komuniste. Një pjesë e vogël e kasketave të vjetra të pakënaqura që më parë, si dhe biografiliqtë që kishin rrojtur në hije, u bashkuan me PD ku edhe këtu pati gjithnjë e më pak ish dhjetoristë e gjithnjë e më shumë ish nomeklaturistë.

Erdhëm ku jemi sot. Njerëzit e këtij brezi i sheh tek shkojnë udhëve, në qytetet e fshatrat. Plaka e pleq. Me kostume apo rrobe të thjeshta. me veglat jetësore që po i lënë një nga një. Të brengosur nga jeta. Një pjesë e tyre mezi vërtiten me ato pensione qesharake, të tjerë kanë merakun e fëmijëve që kanë mërguar në botë. Shumë shokë e shoqe të tyre kanë vdekur e janë harruar. Ata shohin e dëgjojnë ç’bëhet, bëjnë krahasime me të shkuarën, bëjnë llogari, kjo ishte më mirë, kjo nuk ishte, shpirti s’u gjen rehat. Më intelektualët rrahin të shkruajnë kujtime, të tregojnë brengat e tyre. Të gjitha më kot. Të rinjtë nuk i dëgjojnë. As fëmijët e as fëmijët e fëmijëve. Mendja e tyre që u zbraz nga demagogjia komuniste, nuk mbushet dot tani, ashtu si ajo shishja që s’mbushet dot e zhytur në ujë sepse nuk e lë ajri i boshllëkut brenda saj.

E pra, a nuk është ky brezi më i humbur i botës? A është faji i tyre që u vunë të tjerrin jetën në ingranazhet e demagogjisë kriminale komuniste? Eshtë dhe nuk është. Në një farë mënyre edhe ata ndikuan të merren jetë të pafajshme njerëzish të tjerë, të mbaheshin burgje e të vidheshin prona. Por edhe ata vetë humbën pronën e tyre sado të vogël, jetuan frikën, dyzimin, shpërfytyrimin dhe mbajtën në zemër një peshë të rëndë. Pjesa më e madhe e këtij brezi nxiu jetën e vet duke nxirë edhe jetën e atyre që s’mendonin si ta. Por e parë ndryshe, dijeni ama se janë ata burra e gra të moshuar që siguruan vazhdimësinë e jetës në atë copë vend. Njerëzit e rinj, mendësitë e reja shqiptare që përpiqen të ecin sot përkrah botës moderne, lindën e ushqyen në strehët e tyre, nuk janë prodhim vetëm i pakënaqësisë së burgjeve e internimeve. Jeta e tyre u mësoi pasardhësve të jetuarit ndryshe dhe ata u përpoqën të përçonin tek ata që vinin, vetitë e frymën e tyre më të mirë. Duke lënë mënjanë ata që sado pleq e buzë varrit duhet t’u thuhet e vërteta e krimeve apo tmerreve që kanë bërë drejtpërsëdrejti, a nuk meritojnë ata të tjerët pak më tepër respekt e kujdes në këto vite të fundit të jetës? Mbi të gjitha, a nuk meritojnë pak më shumë ata që u shkoi rinia burgjeve e internimeve, që u ndanë për së gjalli me të afërmit e të dashurit? A nuk meritojnë të bëhet pak më shumë për ta qoftë nga njëra e qoftë nga tjetra parti në pushtet? A nuk meritojnë të dëgjojnë më pak zhurmë e grindje politike, shthurje, kaos e korrupsion? Duke parë përparimin, një sërë do ta kuptonin më kollaj se sa të gënjyer paskëshin qenë. Dhe ata, të vuajturit e vërtetë, të heshtur shpesh herë e të menduar siç janë, do të kishin ca ditë të bardha para se të iknin një herë e përgjithmonë. Ky ishte fati i këtij brezi në këtë botë. Le të përpiqemi t’u japim sado pak dritë ditëve të tyre të fundit, që të mos ikin nga jeta me mendimin më të trishtuar të jetës se jeta gjithsesi qënka e pavlerë.

(Botuar në Koha Jonë, 28 maj 2006)

Tuesday, May 23, 2006

Mbi tymtajën e identitetit kombëtar

Ka kohë që media dhe mjediset intelektuale shqiptare po diskutojnë mbi identitetin kombëtar. Polemika Kadare -Qose hapi shakullin e Eolit për një vërshim diskutimesh, intervistash e pikpamjesh të shprehura rreth subjektit në fjalë. Një tymtajë e madhe është ngritur rreth merakut se sa i koklavitur na qenkërka ky identiteti kombëtar shqiptar. A është kjo, çështja thelbësore që duhet të shqetësojë dhe me të cilën duhet të merret mediumi ynë intelektual? Më duket se jo. Le të bëjmë së pari një vështrim të shkurtër mbi identitetin kombëtar apo siç quhej nga ideologjia komuniste, karakteri kombëtar.

Për të ndërtuar identitetin kombëtar individët e një kombi thërresin në ndihmë kujtesën kolektive të ngjarjeve historike. Shumë nga këto kujtime bazohen në fakte e mite. Kujtesa e përdorur për ndërtimin e identitetit kombëtar përzgjidhet, pra aspektet e mira e të pëlqyeshme të historisë kombëtare mbahen e lartësohen, ato më pak të pëlqyeshme, lihen mënjanë e harrohen. Vini re për shembull se si vëllai i vogël te legjenda e Rozafës, merret si simbol i besës shqiptare, por harrohet se dy vëllezërit e tjerë qenë të pabesë dhe ata nuk qenë serbë apo italianë, por shqiptarë. Po kështu lartësohet me të drejtë Skënderbeu si patriot e mbrojtës i lirisë së trojeve shqiptare (apo të Arbërit) por harrohet se ai më së shumti luftoi me taborret otomane që vinin kundër tij me në krye bashkëkombas të vetët (Ballabani, Moisiu, Hamzai).

Krijimi dhe zhvillimi i identitetit kombëtar, në një masë të madhe si vepër e njerëzve të shquar të kombeve të veçantë ka patur si qëllim kryesor kompaktësimin e njësive të caktuara njerëzore në zotërim të territoreve të caktuara për të mbrojtur sovranitetin dhe integritetin e këtyre territoreve. Kështu, gjatë shekullit të 19-të, mbi bazën e këtij identiteti që gjente ushqim në gjuhën, fenë, artin, mitologjinë, folklorin, kulturën jetësore etj., u ndezën një sërë lëvizjesh kombëtare në Ballkan, në kushtet kur Perandoria Otomane po dobësohej e shpërbëhej. Lëvizja kombëtare shqiptare dhe nacionalizmi i rilindasve shqiptarë ishin mjaft të përligjur nga nevoja e mbrojtjes së trojeve ku banonin shqiptarët për të mos u bërë ato pre e orekseve shoviniste të fqinjëve që mundën të dalin më parë nga zgjedha otomane.

Por identiteti kombëtar dhe nacionalizmi ka shërbyer gjithashtu si një motor i fuqishëm për dikaturat. Kurdoherë kur prijësit e vendeve të fuqishme kanë ndjerë nevojën e zgjerimit nëpërmjet luftrave të përgjakshme e shkatërrimtare, ata kanë thirrur në ndihmë identitetin kombëtar. Edhe diktatorët e vegjël, kanë bërë po kështu duke e gjetur këtë nocion mjaft të përshtatshëm për t’u vetëizoluar duke e konsideruar botën si armike që mezi pret t’i kullufitë vendet e tyre. Natyrisht, vizione të tilla si: vendi ynë e ka çarë rrugën e historisë me shpatë në dorë apo ai i shqiptarit që shkon të matë kufijtë nëpër natë me pushkën e gjatë duken në zhvillimet e reja të sotme anakronike e bile qesharake. Projekte të tilla politike bazuar në parimin: një shtet-një komb dhe një komb-një shtet, janë provuar historikisht të rrezikshme dhe jo praktike dhe as që mund të mendohen më sot në kohën e lulëzimit të të drejtave të njeriut dhe lirisë së lëvizjes. Pikërisht në krijimin e shtetit-komb i ka rrënjët spastrimi etnik. Përzëniet e grekëve e armenëve nga Turqia, të turqve nga Greqia, pas luftës së parë botërore, të gjermanëve nga Sudetet pas luftës së dytë botërore, apo përzëniet e shqiptarëve nga Kosova, të fiseve Hutu e Tutsi nga trojet e tyre në Afrikë, në historinë më të re të botës, përbëjnë drama njerëzore lemeritëse, bazuar në fund të fundit në identitetin kombëtar dhe nacionalizmin.

Pavarësisht nga vijnë dhe si u zhvilluan historikisht, shqiptarët janë sot pjesë e qytetërimit të madh botëror. Janë fare të parëndësishme në këtë pikpamje se ç’fe kanë përqafuar shqiptarët në periudha të ndryshme të historisë së tyre, aq më tepër sot kur liria e besimit fetar është krejt çështje individuale dhe pjesë e lirisë së individit. Eshtë gjithashtu fare e pakuptimtë të diskutosh sa përqind ka Shqipëria kulturë lindore apo islamike dhe sa përqind kulturë perëndimore apo të krishterë. Personalisht unë i vlerësoj e nderoj të gjithë paraardhësit e mij që kanë kontribuar për zhvillimin e kulturës shqiptare e mbarënjerëzore, që kanë ndihmuar që kombi të mos shpërbëhej e trojet e tij të mos përvetësoheshin në kushtet e armiqësive të egra mes vendeve e kombeve. Shqipërisë i erdhi pushtimi i madh otoman nga Lindja dhe ishte e natyrëshme që do të vështronte për shpëtim nga Perëndimi. Po të mos kishte rënë Roma dhe vazhdimi romak të kishte vazhduar me shekuj më pas, një tjetër Skënderbe me siguri do t’i kishte drejtuar diku në Lindje sytë e kombit të tij, në një tjetër rrjedhë të historisë njerëzore.

Më duket se ka një mendësi arkaike në mënyrën se si e trajtojmë sot identitetin kombëtar. Mendojmë se ai është diçka e pandryshueshme, si një substrat i thelbit të kombit kur në botën moderne ai nuk ka të bëjë aspak me këtë thelb. Në fakt identiteti kombëtar është interaktiv apo bashkëveprues midis pjesëtarëve të vendit. Ky koncept ndryshon përherë në vartësi të ndryshimeve sociale, historike e politike brenda kombve dhe në raport me kombet e tjera përqark duke patur një natyrë fare dinamike. Kurse Kadare e Qose e shohin atë si diçka të ngurtë, të formuar një herë e përgjithmonë vetëm se Kadare kërkon të heqë mbishtresat e reja islamike në mënyrë që të dalë në pah fizionomia e vërtetë e krishterë e këtij identiteti, ndërsa Qose kërkon ta ruajë ashtu siç është. Kadare është mjaft i lidhur në veprën e vet me elementë të shumtë që kanë të bëjnë me identitetin kombëtar. Ai u është rikthyer jo pakë herë legjendave, folklorit shqiptar dhe substratit shqiptar në raport me dyndjet e sundimet ndaj tij të vendeve apo kombeve të tjerë. Shpesh herë ai u ka dhënë një dritë e shkëlqim jo real elementëve të traditës shqiptare duke i mbivlerësuar ato në frymën e krijuesve të identiteteve kombëtare kudo në botë. Ai është një shkrimtar që hyri në letërsinë e madhe të botës duke operuar me elementë të identitetit kombëtar ashtu siç janë Kazanzaqis, Andriç apo ta zemë një serë shkrimtarësh të famshëm japonezë. Ndërkohë në penteonin e letërsisë botërore të tjerë shkrimtarë modernë kanë hyrë pa u përzjerë fare me këtë identitet. Të tillë janë Xhojs, Kafka, Paund e të tjerë. Për arsyen e thënë mësipër, Kadare e ka të vështirë të shkëputet nga ky identitet kombëtar me të cilin është i lidhur i gjithë universi madhështor i veprës së tij.

Por a na duhet sot ta theksojmë kaq shumë identitetin tonë kombëtar? Më duket se jo. Ernest Gellner, një nga filosofët më në zë të shekullit 20-të, mendon se kombet dhe vendet moderne janë produkte të shoqërive industriale, në ndryshim nga ato tradicionale. Ato përfshijnë bjerrjen e etnive ekzistuese dhe krijimin e një shoqërie të re bazuar në qytetarinë e mbështetur nga një sistem universal edukimi. Le ta zëmë se një shoqrëi kombëtare ka shtetin e vet, një gjuhë zyrtare, një apo disa fe, sportet e prefereuara, mënyrën e jetesës që e dallojnë nga të tjera shoqëri. Por me modernizimin e jetës, këto elementë bëhen gjithnjë e më tepër të përbashkëta. Gjuhët e mëdha të botës bëhen gjithnjë e më tepër gjuhë të vendeve të vogla, fetë lëvizin e nguliten sipas mbështetjes financiare që kanë organizatat që qëndrojnë pas tyre. Kafja ekspres e picat ndoshta janë më e mirë në Tiranë sot se sa në mjaft nga lokalet e Romës; aty gjen paidhaqe e xhiros si në Athinë, hamburger si në Nju Jork dhe sushi si në Tokio. Ndërkombëtarizimi i shpejtë po e shpërbën e shvleftëson sot gjithandej nacionalizmin e identitetin kombëtar. Këto janë sot dyfeqet me gjalmë të gërxhove të vjetër që nuk e perceptojnë dot se si e ku shkon bota e njerëzimi. Mos vallë do ta na mbushë mendjen dikush se serbët mund të dalin në Lezhë e grekët do të marrin prapë Tepelenën e Korçën? Kjo s’ndodh e s’ka për të ndodhur jo vetëm nga që fryma e re e botës ka vepruar edhe mbi identitetet e nacionalizmat e tyre por nga që s’do t’i linte kurrë bota po të donin të bënin ashtu. Evropa e bashkuar është një realitet fare i prekshëm. Në procesin e sotëm të integrimit në Evropë, ka gjasa që Turqia të jetë anëtare e saj më parë se Shqipëria pasi është përpara saj në procedurat e zhvillimet. Ka kuptim atëhere të diskutojmë për zhvoshkje lëkurash të identitetit shqiptar apo për “ripagëzimin” e shqiptarëve? Le të mendojmë se sa vjet i duhen Shqipërisë të jetë pjesë e këtij komuniteti: 10, 15, 20 vjet? Po pastaj, a do ta kujtojmë vallë atë këngën: Ne në gojë të ujkut hedhim vallen, e të tjera si ajo? A do t’i kujtojmë këto diskutime të gjata mbi vlerat dhe antivlerat e identitetit tonë kombëtar, mbi atë që jemi katolikë, muslimanë, ortodoksë, bektashij, budistë apo bahaistë? Të gjitha janë më kot. Ajo që ka vlerë është njerëzorja e përjetëshme që vjen që nga Platoni, e Dantja deri te margaritarët e kulturës së sotme botërore.

Lufta midis identitetit kolektiv të mesit të shekullit të 19-të (Internacionale do të jetë bota e re...) dhe nacionalizmit, u fitua nga ky i fundit. Ndoshta në këtë luftë ndikoi ajo se identiteti i ri kolektiv që synohej kërkonte të ndryshonte sistemin shoqëror, të rrëzonte kapitalizmin. Sot kur njëri mur i ideologjive antagoniste ra me rropamë duke shkaktuar aq pluhur, rrëmet e tronditje, identiteti kolektiv njerëzor ka një ringritje të re, brenda demokratizimit të botës e jetës. Sigurisht nuk mungojnë prirje për identitete të reja kombëtare në interes të rrymave të ndryshe politike e përpjekjeve individuale. Vini re për shembull se edhe në një vend me demokracinë në lulëzim, si Italia, Umberto Bosi shpik Padanian si mishërim territorial të ëndrrës së tij të identitetit kombëtar. Por ajo që ndodh sot në botën e qytetëruar është se vendin e konceptit të kombit e të identitetit kombëtar po e zë konspeti i qytetarisë dhe identitetit qytetar. A mund të quhet një komb SHBA sot, një vend ku lulëzojnë të gjitha rracat, fetë, gjuhët, kulturat e zakonet? Amerikanizmi origjinal, më mirë nga çdo gjë mund të kuptohet si qëndrim ndaj së ardhmes. Duke e ndjerë vetën superiorë ndaj botës lidhur me industrializimin e ri, shpikjet, teknologjitë, dinamizmin dhe kulturat e reja të jetesës që drejtoheshin të gjitha ndaj përmirësimit të vazhdueshëm të standardit jetësor, amerikanët krijuan një identitet të ri qytetar. “Kombet nuk janë të përjetshëm”, ka thënë një qind vjet më parë filosofi francez Ernest Renan. “Ata kishin një fillim dhe do të kenë një fund.” E vetmja gjë që mbetet është njerëzimi dhe kultura e madhe e tij, është identiteti mbarënjerëzor e ndërkombëtar që po ngjizet me të shpejtë në botën e sotme, në kushtet e një komunikimi mahnitës e difuzioni kulturash e masash njerëzore. Këtë identitet bëjnë mirë të përqafojnë sa më shpejt shqiptarët dhe këtu bëjnë mirë t’i synojnë diskurset e tyre të vlefshme korifejtë e kulturës së vendit.

(Botuar në Koha Jonë, 24 maj 2006)

Wednesday, May 17, 2006

Ku çalon demokracia shqiptare

Që demokracia shqiptare çalon këtë, siç thonë, e di dhe bufi. Po ku vallë çalon?

Në shkrimin e tij në Shekulli, 14 maj 2006, ish presidenti Rexhep Mejdani rreket të gjejë pse çalon demokracia shqiptare. Sipas stilit të tij tashmë të njohur gazetaresk që ngërthen në shkrim një përrallë, histori të jetuar apo barcaletë, në këtë të fundit ai ka një metaforë të fluturës që përpiqet të dalë nga fshikëza e saj dhe kur nuk del dot vetë e ndihmohet nga jashtë, ajo nuk mund të fluturojë dot më. Metafora është vërtet e bukur por mendoj se zoti Mejdani nuk e përqas atë drejt kur ja vesh demokracisë shqiptare. Po të ishte kështu, kot që flasim e shkruajmë sepse fati i demokracisë shqiptare do të ishte me kohë i paracaktuar dhe s’kishte zot që i bënte derman.

Siç na mëson procesi evolucionist darvinian i mbijetesës së më të fortit e më të përshtaturit, flutura që nuk është e zonja të dalë vetë nga lëvozhga është e destinuar të vdesë edhe në qoftë se dikush e ndihmon të dalë që andej. Do të ishte më e drejtë që kjo metaforë t’u vishej individëve politikanë, duke përfshirë këtu edhe vetë ish presidentin, i cili sado mënjanë tani, ka një periudhë të gjatë në jetën politike të vendit, duke filluar që nga anëtar i presidencës famëkeqe të Ramiz Alisë, sekretar i përgjithshëm i PS dhe president i Shqipërisë.

Së pari nuk është fare e vërtetë se pluralizmi dhe demokracia në Shqipëri erdhën si lëvizje nga lart, siç thotë zoti Mejdani. Ato qenë pjesë e natyrshme e procesit të shpërbërjes së Lindjes komuniste të cilën nuk mund ta mbante më në këmbë demagogjia groteske. Por populli shqiptar i cili vuajti nga komunizmi më shumë se cilido vend tjetër ish komunist në Evropë, qe i etur për pluralizmin e demokracinë dhe megjithë pasigurinë e amullinë e përkohëshme që prodhoi tranzicioni, ju dha lëvizjes demokratike me mish e me shpirt. Ndaj nuk qe ky popull ajo flutura e pazonja që s’dilte dot nga fshikëza, por qenë ata që u bënë liderë të lëvizjeve politike, politikanët shqiptarë që më së shumti qenë aktivistë të shquar të jetës politike, shoqërore e profesionale të epokës komuniste. Flutura qenë ata që zvarriten edhe sot e kësaj dite në llumin e përçudnuar të politikës dhe që as kanë shpresë të fluturojnë ndonjë ditë.

Vende të tjera ish komuniste qenë më homogjene në masën popullore që përçoi demokracinë. Tek ne, demarkacioni ishte më i qartë e i prekshëm: ata që kishin vuajtur e hequr vërtet nën komunizmin, ata që kishin përfituar prej tij dhe ata që qenë mes këtyre dy kategorive e që kishin rrojtur jetën e kopesë së bindur. Por pesëdhjetë vjet demagogji komuniste nuk janë pak për të mbjellë në breza farën e së keqes. Te kategoria e tretë kishte mjaft njerëz që u përdorën si vegla të bindura nga diktatura për të mbajtur nën thundër kategorinë e parë. Kjo kategori e të vuajturve të njëmendtë nga komunizmi kishte vërtet të drejtë të ishte e papërmbajtur në rrëzimin e diktaturës dhe ngritjen e shtetit të ri demokratik. Por me këtë vrull e papërmbajtje u bashkuan edhe të dy kategoritë e tjera: e dyta, të afërmit e pushtetit komunist, u turrën sipas strategjisë e taktikave të reja duke ndrruar lëkurën e duke u orvatur të zinin kryet e proceseve dhe duke krijuar biografitë e reja; kategoria e tretë, u turr gjithashtu të gjejë identitetin e saj të ri duke lënë në heshtje mëkatet e saj të miratimit entuziast të komunizmit dhe në mjaft raste shërbimet e fshehta që i kishte bërë diktaturës në dëm të kategorisë së parë. Nxitimi i demokracisë la mjaft procese të pakryera, të papërfunduara që ashtu si në një reaksion zinxhir, penguan të tjera procese më të shumta të kryheshin siç duhet më pas.

Ku çalon pra demokracia shqiptare? Së pari në gardën e vjetër të politikanëve që krijuan një shkollë politike sipas të cilës po edukohen edhe politikanët e rinj që hyjnë në politikë. Shumë nga këta politikanë ruajnë, qoftë edhe në mënyrë të pandërgjegjëshme mendësitë komuniste, u mungon toleranca dhe me shtimin e peshës së viteve mbi supe, të lodhur nga grindjet e paparimta dhe lufta për të mbajtur karriget, nisin të mendojnë shumë e më shumë për rehatllëkun personal, për mirëqënien brenda familjes se sa për flamurin e pasionit altruist që valvitën në krye të proceseve demokratike. Korrupsioni i lartë është zhvillim logjik i këtyre prirjeve, sipas konceptit të njohur: mbamë - të të mbaj. Partitë degjeneruan në instrumente të identifikuara me kryetarët e tyre dhe të përbëra nga një grup i ngushtë njerëzish që kur nuk u plotësohej ambicja e arrivizmi i tyre hapnin luftra e krijonin parti të reja duke u shndruar në parti butaforike që gjithsesi i komplikojnë edhe më tepër lojrat në kumarin politik. Demokracia çalon në partizanizmin, nepotizmin, klanizmin e krahinarizmin e politikës, në përdorimin e mobilizimin e turmave kohë e pa kohë, duke i gënjyer me lugë boshe e duke i ndërsyer si skalione shkatërrimi vetëm e vetëm për të rrëzuar kundërshtarin. Përdorimi edhe sot e kësaj dite i personazhit armik, ndarja në ne dhe ata është e pafalëshme dhe pengesë për demokracinë. Ndërtimi i pakujdesshëm apo qëllimkeq i ligjeve e dëmton mjaft procesin demokratik dhe dëshmon mosseriozitetin e atyre që bëjnë politikën në Shqipëri.

Kategoria e antikomunistëve të ashpër, atyre që vuajtën mirëfilli nën regjimin komunist, e humbi shpejt forcën dhe vrullin e saj, ca nga lodhja e viteve e ca të gënjyer me ndonjë krodhë që morën prej pushtetarëve të rinj. Nga kjo u bënë më trimoshë antikomunistët e butë dhe ata që edhe sot e kësaj dite bëjnë be fshehurazi për Hoxhën e tyre, babën e madh komunist. Demokracia u vendos mbi troje të dobët dhe themelet e saj siç e thamë më sipër u hodhën nxitimthi që gjë bën që në godinën e saj të shfaqen herë pas here të çara të frikëshme. Në përplasjen me demokracinë e re, komunizmi shpëtoi paq e doli thuajse i palagur. Qe një fitore, si të thuash, me pikë, kur ai duhej flakur me knock-out jashtë litarëve të ringut. Ka gjëra që demokracia duhet t’u kthehet me urtësi e qetësisht për të riparuar ato që duhej t’i kishte bërë më parë. Pa u ndrequr drejt problemi i pronave dhe pa u hapur të fshehtat komuniste, dosjet, arkivat, skenarët politikë duke i dhënë gjithkujt qoftë edhe moralisht përgjegjësitë e mëkateve të së shkuarës, nuk ndërtohet kurrë një e ardhme e ndershme. Janë dokrra të gjitha ato që thonë gjoja të urtët: se mos futim zjarrin në popull dhe e yshtim kundër njeri tjetrit. Ky popull është djegur e përcëlluar nga zjarri e tani s’ka ç’e djeg më. Pronat dhe dosjet komuniste janë asat nën mëngë që ka kohë që i përdor politika në Shqipëri për motive krejt të mbrapshta e amorale.

Me një përpjekje gjithnjë e më të madhe për kulturimin qytetar, në kushtet e një difuzioni idesh e komunikimesh gjithnjë e më të dendura globale, me rritjen e mirëqënies ekonomike dhe me një rini që premton shumë për politikën e re shqiptare ka gjasa që demokracia shqiptare jo vetëm të mbyllë të çarat në fasadën e saj por edhe të riforcojë themelet e saj për të mos patur të çara të tjera në të ardhmen. Por politika shqiptare duhet të detyrohet të bëjë një katasis të madh e tërësor. Dhe këtë e detyrojnë shqiptarët që kanë në dorë gurin çudibërës magjik të demokracisë: votën e lirë. Po të dinë ta përdorin mirë këtë votë, demokracia nuk ka për të çaluar më por do të ecë në udhën e saj si të gjitha vendet që kanë kohë që ecin në të.


(Botuar në Koha jonë, 16 maj 2006)

Sunday, May 14, 2006

Tërbimi i injorancës

E kam admiruar shpesh herë gazetaren Mimoza Dervishi për shkrimet e guximshme plot pathos qytetar kur analizon situatat e mprehta politike dhe kur nuk mënon të kritikojë deri në krerët më të lartë të politikës shqiptare për probleme që asaj nuk i duket se shkojnë në drejtimin e duhur. Kjo është detyrë e një gazetari politik dhe këtë besoj nuk e mohon dot as zoti Lefter Maliqi, me dy fakultete. Megjithatë, ky zotni në një shkrim ka ca ditë më parë te Koha Jonë, vë përpara emrit të gazetares fjalëzën “një farë“. Kur kësaj gazetareje që ka shkruar dhjetra e dhjetra shkrime e njihet mirë nga kolegët e lexuesit ju dashka thënë “një farë Mimoza Dervishi...” atëhere ç’mbetet të thuhet për këtë zotin Maliqi, që megjithse me dy fakultete, nuk e njeh njeri. Me siguri për të duhet thënë “askërkushi Lefter Maliqi”.

Eshtë e turpshme që të ngrihet një me nder politikan (apo më mirë politikaxhi) dhe të guxojë të baltosë e të përjargë me fjalë të pështira një gazetare të nderuar. Ai mund të polemizonte me të si një njeri që nuk është dakord me ato që shkruan ajo dhe të parashtronte qetësisht idetë e tij alternative ndaj atyre të gazetares Dervishi. Por zotni Maliqi nuk ka kohë t’i bëjë të gjitha këto. Ai do që t’i zgjidhë të gjitha problemet me një të rënë të pallës.

Po pse gjithë ky inat i madh? Nga i vjen këtij zotnie kjo mëri që e bën të gërryejë ullukët e gjirizet më të thella të vetvetes për të pocaqisur një shkrim që kutërbon tërbimin e injorancës? Ç’i ka bërë gazetarja Dervishi këtij ulëritësi mjeran? Ah, gazetarja na paska sulmuar kreun e tij të partisë. Bah, ç’mënxyrë e ç’mëkat i pafalshëm! Mund t’i kishte sharë e kastiguar edhe të atin, mund ta kishte sulmuar edhe atë vetë, pra zotin Maliqi, këto edhe faleshin, por të guxojë të sulmojë kryetarin e tij të nderuar, kjo nuk durohet.

Vimë kështu te ata mercenarë të politikës që po ndeshen gjithnjë e më tepër nëpër faqet dhe valët e medias shqiptare. Ata janë trima të çartur që e bëjnë me aq duf një shkrim ndaj dikujt njëlloj sikur ta zinin papritmazi e ta rrihnin atë në ndonjë qoshe. Me sa guxim rrëmbejnë penën e i vërviten shtypit këta politikaxhinj që u është mbushur mendja se i dinë të gjitha punët e kësaj bote dhe kujtojnë se meqë llapashiten në llucën politike, patjetër janë edhe gazetarë dhe dinë t’u tregojnë vendin kujtdoqoftë. Por gazetaria nuk është për t’i treguar vendin a apo mbyllur gojën njerit apo tjetrit o të nderuar sharlatanë. Ajo vërtet tregon vende e mbyll gojë, por tregon së pari të vërteta nga e cila trembeni të gjithë ju me të gjithë kryetarët tuaj të partive.

Vetëm injorantët kujtojnë se me që kanë hyrë në politikë mund të bëjnë çfardo profesioni të duan, pra mund të hiqen e dhe mjeshtër të penës e gazetarë. Fjala e shkruar, nga njerëz që dijnë ta shkruajnë mbetet në analet e dijes dhe nuk është si jargavitjet e përditëshme që prodhon politika dhe që harrohet sapo perëndon dielli. Këtë duhet ta ngulitin mirë në mendje kalorësit kordhëtarë të politikës që futen ndonjëherë faqeve të gazetave.

Veç kësaj, shtypi i lirë, sado i sakatepsur të jetë, prapë shkon drejt shtypit të lirë duan apo s’duan ca lakej politikanësh. Nderi politik i një politikani qoftë ky edhe kryetar partie, nuk vihet në vend me ca shkrime arrogante anonimësh por me trajektoren politike të vetë politikanit, kur ato që ai thotë e bën ngjallin simpati e përkrahje në publik. Po të ndodhte kjo me kryetarin e zotit Maliqi, atëhere sulmet e një apo disa gazetarëve ndaj tij zhvleftësoheshin të gjitha e ky zotni sejmeni me dy fakultete do të kursente tërbimin e fjalët pa doganë. Do të kursente edhe kohën për të gjetur ndonjë punë, meqë, siç na thotë, e paska humbur dhe atë që kishte.


(Botuar në Gazeta Sot, 14 maj 2006)

Tuesday, May 09, 2006

Varfëria këmbëkryq

Kur vjen në Shqipëri dhe lëviz nëpër zonën metropolitane Tiranë-Durrës, apo më poshtë në Vlorë apo Sarandë, njeriut i bën përshtypje gjallëria e jetës, standardi i saj, ndryshimet e bëra. Veçanërisht Tirana, e dyfishuar e ndoshta trefishuar këto vite, edhe pse me një përbërëse vanitoze e me një jetesë “jeto çastin”, ka marrë pamjen e shumë qyteteve evropiane. Por po të shohësh jo shumë larg që aty, pakë dhjetra kilometra dhe më tutje akoma në periferi, varfëria është ulur këmbëkryq në provincën shqiptare. Eshtë një varfëri e heshtur e trishtuese që rrallë, vetëm kur prodhon tragjedira lemeritëse e gjen veten në faqet e mediave të shkruara apo elektronike.

Me 2120 USD për frymë në vitin 2004, Shqipëria lë prapa në Evropë vetëm Bosnje dhe Herzegovinën dhe Molldavinë, ndërkohë që të ardhurat mesatare për frymë për botën janë 6329 USD. Por më shqetësues është disproporcioni gjithnjë e më në rritje i shpërndarjes së të ardhurave kombëtare. Sipas të dhënave të OKB, në 2004 në Shqipëri ishte 25 përqind e popullsisë që jetonte nën nivelin e varfërisë. Me 3.2 milion banorë, kjo shifër është mjaft tronditëse, 800, 000 banorë. Mos harroni që me nivelin e varfërisë kuptohet niveli i të ardhurave nën të cilat njeriu nuk është në gjendje të blejë të gjitha mjetet që i duhen për të rrojtur. Pra janë rreth 800,000 njerëz në Shqipëri që nuk e kanë këtë mundësi. Mos prisni që ata t’i gjeni në klubet e restaurantet e Tiranës. Jo, ata janë thellë provincës shqiptare (që ndonjë herë nuk është edhe aq thellë) dhe ku e dhe deputeti i zonës shkel vetëm kur vjen fushata tjetër zgjedhore.

Ardhur nga një e kaluar gjithashtu e zymtë e sundimit komunist, ku një pjese të madhe të provincës i sigurohej një minimum jetese nëpërmjet kooperativave bujqësore jo efektive e që subvencionoheshin nga shteti apo nëpërmjet ndonjë miniere a industrie të dobët, provinca mbeti edhe pa këto burime në vitet e demokracisë. Vërtet në një pjesë të madhe toka u nda përsëri te fshatarët por kjo tokë nuk solli ndonjë dobi të madhe në kushtet e infrastrukturës së rrënuar, investimeve pothuajse zero dhe pamundësisë së tregtimit të prodhimeve bujqësore. Imagjinoni pastaj fatin e dhjetra e dhjetra qytezave punëtore të ngritura në epokën komuniste si Kalimash, Laë, Kam-Tropojë, Bulqizë, Poliçan, Cërrik, Prrenjas, Selenicë, Maliq e të tjerë. Ç’i mban njerëzit në to përveç pamundësisë totale për të shkuar e jetuar gjetkë?

Fshati i thellë i Shqipërisë është rrënuar i tëri. Nuk flas për fshatin pranë Tiranës, Durrësit e qyteteve të mëdha ku katundari i gjorë bën si bën e ja del të shesë në qendrat me popullsi të madhe një qumësht a një gjizë, një fik a një kokër qepë dhe të mbajë frymën me to. Flas për fshatin që të shkosh atje duhet t’i bësh copë amortizatorët e makinës apo të ecësh me orë të tëra në këmbë. E pra, atje jeta ka një ritëm tjetër nga ajo që kemi mësuar të shohim shpesh në Tiranë. Njerëzit i janë nënshtruar fatit dhe shtyjnë ditët në varfëri e skamje. Më kujtohen ende sa rrëngjethëse qenë një sërë reportazhesh të Edison Ypit shkruar me atë klithmën e tij të veçantë e të mrekullueshme. Por janë të pakët gazetarët që i ndjekin këto fate njerëzore, ata që ngrenë probleme që lidhen me një pjesë të madhe të jetës shqiptare. Disa muaj më parë, u desh që një polic i gjorë të vritej, që shtypi të zbulonte e “të qante” varfërinë e mjerimin në të cilin jetonte familja e tij. Gazetarët e kanë më të lehtë t’u vijnë rrotull ngjyrave rozë të Tiranës apo bregdetit, scoop-eve të përçudnuara politike, skandaleve të bujshme, jetës së lokaleve, shou-ve laramane e deri te rindërtimi çikë e nga një çikë i dinjitetit të humbur të ish pushtetarëve e të afërmëve të pushtetit komunist.

Eshtë bërë shumë pakë në 15 vite demokraci për provincën e thellë shqiptare. U premtuan reforma të shumta, zona të lira ekonomike, infrastruktura e mundësi të mëdha por shumë pakë nga planet e premtimet mishërohen në realitetin e sotëm. Në këto vende lindin e rriten njerëz si ti e si unë, si ne të gjithë, që flasin po këtë gjuhë që flasim ne (edhe pse me këtë nivel arsimi e kulture, po ja bjerrim e bastardojmë edhe atë të shkretë gjuhë). Rritet një rini që gjen një hendek të madh e të pakalueshëm midis ëndrrës e mundësive realizuese. Shpesh herë në mediat tona ne përdorim e shfrytëzojmë vetëm pasojat e prodhimet tragjike të këtij hendeku vrastar: një babë që vret vajzën e vet 16 vjeç, një fis i tërë që vritet e pritet për një skroskë, fëmijë të vegjël që ngujohen nga kërcënimi i gjakmarrjes, djem të rinj që enden shtigjeve të kufijve të tokës e detit për të hyrë në profesionin e emigrantit ilegal e mjaft të tjera.

Ndaj kësaj pjese të popullsisë duhet të bëjmë që të drejtohen një pjesë e mirë e projekteve të organizatave ndërkombëtare e donatorëve të ndryshëm sepse edhe nga ndërkombëtarët ka shpesh herë një prirje ku preferohen qytetet e mëdha, bregdeti dhe zonat lehtësisht të kapëshme e që ofrojnë pse jo, edhe kënaqësi e zbavitje për menazherët e mbikqyrësit e projekteve. Provinca e thellë shqiptare kërkon përfaqësues më të denjë e më të përkushtuar në të gjitha strukturat ligjëvënëse e të ekzekutivit, për të luftuar korrupsionin që në zonat e thella gjen strofka më të sigurta e të padukshme dhe për të ofruar ndaj këtyre zonave mundësi zhvillimi e përmirësim të nivelit të jetesës. Çereku i popullsisë shqiptare nën nivelin e varfësrisë është një gur i madh në qafën e vendit. Kjo pasiguri jete që trondit themelet e moralit të familjes e të shoqërisë dhe deformon të ardhmen është një këmbanë e madhe që duhet të tërheqë paprerë vëmendjen e shtetit e të organizatave joqeveritare. Dhe ashtu siç thotë prifti dhe poeti i shquar anglez Xhon Don, mos pyet përse bien këmabanat. Ato bien për ty.


(Botuar te Koha Jonë, 10 maj 2006)

Friday, May 05, 2006

Politikanë lapërdharë

Mes rrëmujës së shtypit shqiptar, i cili është një pasqyrim shpesh herë modest i rrëmujës së jetës politike të vendit, merret vesh se në memorien e celularit të një delinkuenti të arrestuar së fundmi, qënkëshin numrat e telefonave të aq e kaq ministrave, deputetëve, shefave të policisë dhe pushtetarëve të tjerë. Sigurisht ky ish kuzhinier nuk i mbante për koleksion këto numra. Me siguri edhe i përdorte ndonjëherë kur i duheshin. Dhe ato numra nuk i kishte vjedhur apo marrë vesh me agjentë të fshehtë. Të jeni të sigurtë se ja kishin dhënë vetë të zotët e telefonave të atyre numrave. Shikoni se ç’lidhje e pabesueshme dhe e turpshme: një kuzhinier, që ngre një copë lokal me kashtë, pastaj e bën të bukur e me mure dhe pastaj e bën një hotel me ca kate atje buzë detit, jep e merr me telefona me politikanët që qeverisin vendin. Këto numra telefoni nuk janë në celularin e... ta zemë të Timo Fllokos, apo të Inva Mulës, apo të Kujtim Çashkut, apo Ibrahim Madhit, apo të të ndjerit Vath Koreshi e të shumë artistëve e intelektualëve të tjerë. Jo. Janë në një celular kopuku e zuzari nga një bandë kopukësh e zuzarësh që hynë në politikë e u zuri luga thela.

Vras mendjen se ç’bisedohej në këto telefona. Me siguri fillesat kanë qenë ca qejfe e kënaqësi fare të thjeshta që lidhen me të ngrënët e të pirët. Peshku i bërë ashtu e kështu, karkalecat, kallamarët, aragostat... (Pa, pa sa mirë i bën shejtani! Pa le që mban dhe një verë të mirë. Ku e gjen, xhanëm?). Dhe me që politikanët janë një çikë si majmunët, nami hapej shpejt. Ku ta kalojmë fundditën apo fundjavën? O burra, te kashta, pushtetarë e opozitarë, të rinj e të vjetër, katundarë e qytetarë! Me grupe, nga dy a nga tre, pa familjet. Familjet e gjora thonë: Pu, pu mbeti në punë i ziu burrë, i ziu baba! Dhe nuk e kanë gabim. Fundja dhe atje punë bëhet. Mos kujtoni se flitet për shkollat e Rrëshenit apo Skraparit, apo për spitalet e Hasit apo Kurveleshit, apo për rrugët e urat e Dibrës apo të Kolonjës? Apo flitet për art e për kulturë, për një dramë apo ekspozitë, për një libër apo pjesë muzikore? Jo, or jo, flitet për gjëra më të mëdha. Flitet për politikë: si t’ja bëjmë atij filanit, si t’ja gjejmë anën e t’ja hamë kokën, si ta mbajmë pushtetin apo si të vimë në pushtet, me kë të lidhemi e me kë të prishemi? Pastaj muhabeti shkon në ca strategji të mëdha e taktika të vogla mes kënaqësive të thjeshta kullufitëse (bah sa të mirë që e bën këtë peshk ky djalë!).

Por me kohë, kënaqësitë e thjeshta të të ngrënit plotësohen nga kënaqësi të tjera, kodoshllëqe, plane biznesesh, zarfa nën dorë kundrejt premtime firmash e ndërhyrjesh për ndonjë gjë të vogël, të vockël fare që s’i prish punë njeriu, si për një copë tokë, një leje ndërtimi hoteli, një tender të vogël, a ndonjë gjë tjetër. Me që ra fjala, le të kërkojnë për pasaportën e ish kuzhinierit dhe le të varem te sahati i Tiranës po s’ja gjetën që e ka diplomatike. Se i takon de. Kush është diplomat më i madh se ai? Këto janë çudira që nuk çudisin më njeri siç thoshte në një shkrim të fundit z. Kiço Blushi. Kriminelët janë personazhet kryesore të jetës shqiptare. U a shohim surratet (apo maskat) në gazetë e TV. Celularët i kanë plot numra politikanësh, bredhin me makina deputetësh (që s’merret vesh kurrë kush janë), dhe i kanë marrë favoret nga firma e vula pushtetarësh. Dhe të gjithë polikanët thërrasin: Bjerini korrupsionit, luftë trafikantëve, vdekje krimit! Po jeta vazhdon njëlloj. Në vend të kashtës së Durrësit, del një kasolle në Dajt, apo një lajthishte në Librazhd, apo një “tym”në Velipojë, apo një “peshkatore” në Radhimë. Ohu, sa vende të bukura që ka kjo Shqipërizë e vogël. Që të mos zëmë e numërojmë pastaj qejfet e përtej detit e përtejkufirit. Se ja tek është Janina, Bari, Roma, Athina e Selaniku, Shkupi e Viena. Pa përmendur pastaj plazhet e Turqisë e të Spanjës e Londrën e Parisin.

Sigurisht që politikanët janë njerëz me mish e me kocka, e duan edhe qejfin e kënaqësinë edhe komoditetin e jetës, i duan edhe shtëpitë të mira e moderne (bile edhe ndonjë tjetër në mal a buzë detit) edhe gratë ashtu siç janë nëpër filma edhe fëmijët me shkolla të mira jashtë vendit, edhe makinat që të mos i ndjejnë rrugët e këqia nga paratë e të cilave kanë dalë ato makina. As që mund të mendohej të kishte Shqipëria ca politikanë asketë që t’i hante meraku natë e ditë se s’i ndreqnin punët e këtij qerrata vendi. Por edhe të ketë politikanë që të lidhen me fundërrinat e shoqërisë, me xhambazë, kriminelë ordinerë, trafikantë droge e prostitutash, edhe këtë ky vend nuk e meriton. Nuk janë të gjithë të tillë, do të thotë dikush. Ashtu është po vini re se ç’ndodh. Me veprimet a mosveprimet e tyre, këta njerëz kanë bërë që të futen në një thes i miri e i ligu, i ndershmi e i pandershmi, esnafi e lapërdhari. Sepse populli nuk di ku ta vëjë gishtin më parë. Eshtë detyrë e politikanëve të ndershëm të ndahen nga të pandershmit. Duke i vënë këta para opinionit publik, para podiumeve qeveritare, para drejtësisë.

Shikoni se ç’bëhet në botë: Në SHBA vetëm në dy vjetët e fundit janë mbi dhjetë personalitete të larta shtetërore, senatorë, kongresmenë, guvernatorë, të federatës apo shteteve që janë dënuar për afera korruptive. Në Rumani po hetohen një sërë pushtetarësh të lartë, përfshirë ish kryeministrin e vendit. Pak vjet më parë në Francë shkoi në burg ish kryetari i gjykatës kushtetuese. Në Gjermani për një aferë korruptive (bile jo personale por në dobi të partisë) nuk u kursye Kohl, heroi i bashkimit të Gjermanisë. Raste të tjera të shumta mund të përmenden. Pra edhe kur ka korrupsion (sepse nuk ka vend pa të tillë), në vendet që vërtet duan ta ndreqin këtë të keqe, korrupsioni goditet. Në Shqipëri nuk ndodh kështu, por ndodh si në Zambie, Ganë, Nigeri apo Guinenë-Bisau ku korrupsioni bën kërdinë dhe pushtetarët bëjnë sikur e luftojnë atë. Për sa kohë që në politikën shqiptare të vazhdojë loja e cicmicit, vidh vetë e thirrë bashkë me ata që s’kanë vjedhur, kapeni hajdutin, të gjithë politikanët do të kenë vulën e lapërdharit dhe kjo nuk është në të mirë të vendit.


(Botuar në Koha jonë, 6 maj 2006)

Tuesday, May 02, 2006

Kultura - arma e vetme e popujve të vegjël

Në rravgimet e sotme politike botërore, vendet e mëdha janë padyshim faktorë të rëndësishëm qofshin më të zhvilluara apo më pak të zhvilluara. Megjithë barazinë teorike të votave në organizmat botërore që shoqëria njerëzore e planetit ka ngritur për mbarëvajtjen e paqes dhe mirkuptimit, vota e një vendi një miliardësh apo qindra milionësh, peshon ndryshe nga ajo e një vendi fare pakë milionësh. Megjithatë, ka vende të vegjël në botë që janë mjaft të respektuar. Le të përmendim për shembull Finlandën, Danimarkën e Irlandën, me një popullsi aty afër me atë të Shqipërisë. Vende pa resurse të veçanta e të jashtzakonshme natyrore por me popuj të kulturuar e që i kanë dhënë botës emra të shquar në të gjitha fushat e diturisë e të zhvillimit. Ajo që i ka ngritur këta popuj është kultura. Kultura është arma e vetme e popujve të vegjël për të bërë më me peshë fjalën e tyre në botë.

Në fund të shekullit të 19 dhe fillimet e shekullit 20, në Shqipëri u shënua një periudhë e artë e historisë sonë, Rilindja Kombëtare. Njerëzit e mëdhej të dijes, poetë, filosofë, gazetarë, mësues ndezën mbi mëndjen e kombit pishtarët e kulturës, për t’i bërë shqiptarët të rrëmbenin armët ndaj zgjedhës shekullore. Ishte dija dhe kultura ajo që ndërgjegjësuan popullin për rrënjët e origjinës së tij, për begatinë e gjuhës dhe domosdoshmërinë e futjes në jetën e tij të qytetërimit perëndimor.

Sot përsëri Shqipërisë i duhet një shtysë kulturore. Mbetur gati gjysmë shekulli me një kulturë të cungët e të ideologjizuar, imponuar nga diktatura komuniste, shqiptarët kush më pak e kush më shumë u prekën nga demagogjia e kohës. Kultura e vërtetë është armike e diktaturave ndaj këto të fundit nuk mund të prodhojnë e mbështesin veçse pseudokulturë apo shtresëzime të pafuqishme nga të cilat nuk rrezikohen. Çlirimi nga diktatura komuniste e Hoxhë-Aliajt, duke i dhënë individit shqiptar gradë të shumëfishta lirie, i hoqi edhe atë pseodokulturë të imponuar duke e lënë gollomesh. Por liria nuk mund të rrojë e vetme, pa kulturën. Liria pa kulturën vdes si nj[ flutur në shkretëtirë. Ndaj sot kultura është shansi i vetëm i madh që ka ky vend për të arritur atje ku janë “të parët e klasës”.

Ku flasim për kulturë, nënkuptojmë jo vetëm atë bagazh mendor e kulturor që një popull prodhon në lëmin e dijes, letrave, arteve. Këto po se po. Por është fjala për një kulturë më të thjeshtë, kulturën e të qënit njeri i kohës që rron bota, kulturën e të sjellit, të vetpërmbajtjes, të normave morale, të respektit për lirinë tënde nëpërmjet respektit për lirinë e tjetrit. Kjo kulturë të bën të mos thërrasësh rrugëve sikur je në pyll, mos e hapësh CD-në e makinës që ta dëgjojë i gjithë bulevardi, të mos hedhësh bishtat e cigareve apo gëlboqet e pështymave atje ku njerëzit ecin e shëtisin, të mos flakësh plehrat për kollajllëk nga kati i pestë, të mos rrihesh me tjetrin për një çikërrimë, të mos përpiqesh si t’ja hedhësh shtetit, të mos e shpërdorosh kriminalisht kohën e cila të jepet një herë por nuk të kthehet më.

Shqipëria pra ka nevojë sot për një rilindje të re kulturore. Me një popullsi të re, të aftë e vitale për t’ju përshtatur zhvillimeve, ky është shansi i saj historik për të bërë një hap të madh përpara në hierarkinë e kombeve të botës. Në kushtet kur bota është hapur e shkon drejt globalizmit, kur mjetet e komunikacionit dhe teknologjitë e informacionit përsosen vazhdimisht, sot nuk ka shumë rëndësi se Shqipëria e ka universitetin e parë me shekuj pas shumë të tjerëve, se e lanë prapa ata e këta. Ky është një start i ri ku në finish nuk ndikon historia aq sa energjia dhe vrulli i sotëm dhe pasioni për të ardhmen. Me mijra e dhjetra mijra janë shqiptarët që studjojnë e kulturohen në shkollat më të mira e në mjediset e mëdha të kulturës së botës. Ashtu siç dëgjojmë për shqiptarë mjeshtra të krimit, të drogës e prostitucionit, dëgjojmë edhe për shqiptarë që habisin vendasit me aftësitë e talentet e tyre në të katër anët e botës. Kultura do të bëjë që numri i të parëve të bjerë e i të dytëve të shumohet.

Në kapërcyell të shekullit 20, rilindasit e orientuan lëvizjen e tyre drejt kombëtarizmit. Dhe kjo ishte më se e drejtë në ato kohra kur shpallja e identitetit shqiptar ishte një imperativ dhe kur trojet shqiptare kërcënoheshin nga lakmitë shoviniste. Kultura e sotme duhet orientuar ndaj botërores, universales. Mbajtja pas vijave etnike në një kohë kur në fare pak dhjetvjeçarë kufijtë e vendeve do t’i humbasin vetitë e tyre, nuk sjell dobi e vetëm të lë prapa. Eshtë vërtetuar tashmë se hapja e difuzioni me botën nuk e largojnë dot shqiptarin nga rrënjët dhe gjuha e tij. Përkundrazi, i japin dimensione të tjera e vlera më të mëdha. Kjo lëvizje e re për kulturën e re kërkon një veprim masiv mbarëshqiptar. Ajo duhet të jetë platforma e çdo qeverisjeje në Shqipëri, synimi i të gjitha organizatave qytetare dhe e pleksuar ngushtë me çdo masë ekonomike për uljen e papunësisë e rritjen e mirëqënies. Nuk është fjala për ca festivale teatrosh e filmash, panaire librash, ekspozita e ca monumente të ngritura nëpër sheshe. As për konkurset e bukurive Mis Albania apo kafazet e arta. Këto të gjitha kanë vendin e tyre, por fjala është për atë që turma që mbush rrugët sot në Shqipëri, të fitojë atë që populli e quan thjeshtë dhe bukur “zotnillëk”. Pra që njeriu të jetë njeri me dinjitet që nuk endet kuturu si kohabjerrës e bën ç’ti dalë përpara, por që të jetë i orientuar siç duhet në kohën dhe hapësirën që jeton.

Natyrisht kjo lëvizje nuk është e lehtë, komplikuar nga rrëketë e shumta të ndryshme të “kitchit” e kundrakulturës që ende rrjedhin nga çezmat e ndryshkura të botës, nga erërat e hasmërive të vjetra etnike, nga nostalgjirat neveritëse për të kaluarën, nga etja e papërmbajtëshme për t’u pasuruar pandershmërisht, nga pasioni i tepruar për politikën dhe nga varfëria e skamja që e bëjnë gri jetën në një pjesë të madhe të provincës shqiptare. Nuk është e lehtë pra, por ç’gjë e madhe e me vlerë u arrit në këtë botë lehtësisht? Ne nuk kemi naftë që të ngremë si Dubai e Bahreini kullat më të larta të botës, nuk kemi popullsi miliardëshe si gjigandi kinez që të mbytim me mallra tregun botëror, nuk kemi banka, resorte e besueshmëri si Zvicra që të krijojmë atë begati. Kemi vetëm një vend të vogël, të bukur e me plot mundësira që një shpirt energjik e vital si ai i shqiptarit, po të armatosej me dije e kulturë do ta bënte parajsë të vërtetë. Kultura dhe dija pra janë shtigjet ku duhet të ecë populli ynë i vogël. Me sa mall, ëndërrim e dashuri duhet t’i ketë thënë Naimi ynë i madh ato fjalë të mrekullueshme: “Dhe dritë e diturisë, përpara do na shpjerë.”

(Botuar në Koha Jonë, 3 maj 2006)