Shqiperia e udhekryqeve

Edhe pse jam larg Shqipërisë, fëmijërinë dhe një pjesë të rinisë e kam kaluar atje dhe sado që botën e quaj atdheun tim të madh, është kurdoherë një atdhe i vogël, një qytet, një fshat, një mal,një lumë apo një perëndim dielli ku na shkon mendja herë pas here. Pse Shqipëria e udhëkryqeve? Sepse mbeti udhëkryqeve në tërë historinë e saj, se lanë kurrë të zgjedhë rrugë po e tërhoqën me hir a me pahir në rrugë pa krye.

My Photo
Name:
Location: Berkeley, California, United States

Jam ai që nuk kam qenë Do të jem ai që nuk jam.

Wednesday, September 28, 2011

Mitomanët e regjimit të kaluar, sharlatanë të regjimit të sotëm

Koha kalon dhe vitet ikin. Dëshmitarët e gjallë të regjimit të fundit diktatorial në Shqipëri janë gjithnjë e më të pakët. Shumë nga ta jetuan e vdiqën të heshtur edhe pse e kuptuan se gjithsesi kishin pjesën e tyre të fajit në katrahurën hoxhiste. Por jo të gjithë të ndershmit e kësaj bote janë heronj. Kurse me një sërë nga të gjallët e mbetur ndodh një dukuri e zakonshme e njohur në histori: mitomania. Ndër më të shquarit prej tyre duket se është Spartak Ngjela i cili po promovon tashmë librin e tij të bëshëm.

Me siguri libri do të ketë ilustrime më të shkëlqyera të mitomanisë së tij por edhe aq sa botohen në gazetën Panorama lidhur me dasmën e djalit të ish kryeministrit të regjimit hoxhist, janë të mjafta për të dëshmuar mitomaninë delirante të këtij individi.

Spartak Ngjela është pinjoll i një prej familjeve më të priviliegjuara të diktaturës komuniste e cila u hoq nga kjo listë vetëm pas 1975 kur i jati i tij u burgos dhe e ëma u internua, pasi u erdhi rradha në skemën djallëzore të kryediktatorit dhe pasi kishin dëshmuar e miratuar më parë fatet e nxirosura të shokëve të tyre në ison brohoritëse të udhëheqësit dhe pasi kishin zbatuar me fanatizëm luftën e klasave.

Pinjolli i kësaj familjeje u rrit në të ashtuquajturin "bllok" ku sot dëfren e bën hare rinia; ai i bënte pushimet në vilat e caktuara në plazhe (atje ku një nga djemtë e ish kryeministrit vrau në harbimet e tij me skaf djalin e vetëm të një familjeje të thjeshtë shqiptare) dhe me siguri i doli e drejta e shkollës së lartë atje ku donte, pra në juridik, ndërsa dhjetra e qindra moshatarëve të tij edhe më të aftë se ai, nuk u dilte për arsye biografie asnjë e drejtë studimi.

Ky njeri, i cili në memuaret e tij na thotë se ndiqej nga sigurimi i shtetit dhe shihej nga Partia si një rrezik i madh, na caktohet me detyrë në prokurorinë e Durrësit (?!!). Aferim! Partia e vuri "armikun" që t'i vinte minat sistemit të drejtësisë. Sa Parti e mençur! Dhe pas kësaj, e dërgon edhe në Itali e Francë, këtë armik të betuar të sistemit. Hajde shakara hajde. Përralla nga e kaluara. Dhe çfar përrallash se!

Duke treguar për dasmën e djalit të madh të ish kryeministrit, zoti Ngjela na shfaqet si një kryeministër homolog nga një vend tjetër, si "kryemiku" i dasmës, tek i cili i ka sytë e mendjen gjithë kohën babai i dhëndrit e kryeministri gjakatar i vendit. Ngjela na paska deklaruar atje se është "kantian" dhe se "marksizmi nuk ka logjikë". Dhe numri dy i diktaturës e mban veten dhe nuk paska ditur ç'ti thotë.

E vërteta është se burgimi që pasoi Ngjelën pas dënimit të të atit, nuk është asfare për shkak të bindjeve të tij politike. Ai do të kishte bërë burg edhe po të brohoriste për komunizmin e Hoxhën ashtu siç do të kishte mbetur i lirë e i privilegjuar po të mos goditej familja e tij. Por burgu është burg, nuk është plazh apo zbavitje dhe që Ngjela ka vuajtur e meriton respekt e keqardhje për vuajtjen e tij, as kjo nuk ka dyshim. Respekt e aq më tepër mirënjohje nuk meriton mitomania e tij dhe sharlatanizmi politik i sotëm kur për të mbetur në tavën e privilegjuar të politikës ai ka bërë e bën pelivanllëqet e akrobacitë më të çuditëshme. Ngjela, ky dijetar i vetëshpallur anglo-sakson dhe armik i egër i marksizmit, duke bërë tani së fundmi deklarata për rrëzimin me dhunë të pushtetit s'bën gjë tjetër veçse përqafon marksizmin e anatemuar.

Pse vallë njerëz të tillë nuk hiqen mënjanë politikës e të dhënurit mend? Sepse janë mësuar me privilegjin e jetën e favorizuar që fëmijë dhe s'mund të heqion dorë prej saj. Burgu është vetëm një përjashtim. Shokët e miqtë e tij të klanit "bllok", kush vuajtur e kush pa vuajtur nga plani okult hoxhist, një pjesë i ruajtën privilegjet nëpërmjet skemave ekonomike bazuar në themelet e hedhura më parë dhe fshehur pas emrave të tjerë bedelë. Një pjesë tjetër po ridel në politikë nëpërmjet fëmijëve e nipërve që tundin tani flamurin e demokracisë. Po Ngjela ka një rrugë origjinale për të ruajtur edhe sot privilegjet e fëmijërisë: mitomaninë dhe sharlatanizmin.

Rruga që ka zgjedhur ai është punë e tij mund të thotë dikush. Por në fakt ajo është gjithashtu punë e brezave që vijnë të cilët nuk duhet ta shohin kurrsesi historinë e së kaluarës nëpërmjet lenteve të "historianit" Ngjela dhe miteve të tij. Kjo bëhet edhe më e rëndësishme po të kemi parasysh se ky Ngjela nuk është edhe i vetëm trim në luftë; ai ka shumë të tjerë që mitomaninë e sharlatanizmin i shprehin në forma të përkryera duke trallisur e hutuar edhe më popullin e shkretë që kurdoherë vuan por që megjithatë i vihet kapelja që meriton koka e tij.

Botuar në Gazeta Idea, 11 tetor 2011

0 Comments:

Post a Comment

<< Home