Shqiperia e udhekryqeve

Edhe pse jam larg Shqipërisë, fëmijërinë dhe një pjesë të rinisë e kam kaluar atje dhe sado që botën e quaj atdheun tim të madh, është kurdoherë një atdhe i vogël, një qytet, një fshat, një mal,një lumë apo një perëndim dielli ku na shkon mendja herë pas here. Pse Shqipëria e udhëkryqeve? Sepse mbeti udhëkryqeve në tërë historinë e saj, se lanë kurrë të zgjedhë rrugë po e tërhoqën me hir a me pahir në rrugë pa krye.

My Photo
Name:
Location: Berkeley, California, United States

Jam ai që nuk kam qenë Do të jem ai që nuk jam.

Tuesday, January 30, 2007

Fjalimi mbi Gjendjen e Bashkimit (State of the Union Address)

Kanë kaluar më shumë se 217 vjet nga 8 janari i vitit 1790 kur presidenti i parë i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Xhorxh Uashington mbajti fjalimin e tij të parë vjetor në një takim të përbashkët të Dhomës së Përfaqësuesve dhe Senatit. Ishte një fjalim që përshkruante gjendjen e bashkimit shtetëror, baza e një vendi dhe kombi të ri. Atë kohë, eksperimenti i demokracisë amerikane ishte ende në shpërgëjtë e vet.

Që nga ajo kohë, presidentët e SHBA kanë mbajtur e ruajtur traditën që t’i drejtohen Kongresit duke përshkruar gjendjen e bashkimit. Ata kanë përdorur rastin për të paraqitur objektivat dhe axhendën e tyre nëpërmjet ideve të gjera apo detajeve të posaçme. Me shpikjen e radios dhe të televizionit, mesazhi vjetor presidencial u bë një komunikim jo vetëm ndërmjet presidentit dhe Kongresit por edhe midis tij dhe publikut amerikan. Në këtë ngjarje të shënuar të jetës politike të këtij vendi, ftohen të marrin pjesë jo vetëm figurat më të shquara politike por edhe individë nga fusha të ndryshme që me atë ç’kanë bërë i kanë shërbyer me devocion bashkëatdhetarëve dhe vendit.

Këtë fjalim tradicional, në mbrëmjen e 23 janarit, presidenti aktual i SHBA Xhorxh W. Bush e nisi duke u shprehur se qe i nderuar dhe i privilegjuar që ta fillonte fjalimin me fjalët “Zonja kryetare”, kjo sepse kryetare e Kongresit amerikan pas zgjedhjeve të nëntorit të vitit të kaluar është demokratja Nensi Pelosi. Tashmë presidentit republikan i duhet të pajtohet me faktin se dy vitet e fundit të karierës së tij presidenciale do t’i duhet të drejtojë me një Kongres e Senat ku mbizotërojnë demokratët të cilët mund të kontrollojnë shumë nga legjislacionet që administrata do të donte të vinte në jetë.

Në pjesën e fjalimit që kishte të bënte me vendin, ekonominë, kujdesin shëndetësor dhe energjinë Bush u përpoq të risigurojë amerikanët se ai e kupton fare mirë pakënaqësinë e një pjese prej tyre me drejtimin ku shkon vendi. Ai parashtroi një sërë nismash që kanë të bëjnë me kujdesin shëndetësor, arsimin, kreditë për studentët, gjyqësorin dhe problemet energjitike. Përsëri, si një vit më parë, ai theksoi rëndësinë e përpjekjeve për karburante alternative që do të zëvëndësonin naftën. Presidenti kërkoi reduktimin e përdorimit të benzinës në SHBA me 20% në dhjetë vjetët e ardhëshme. Kjo do të bëhet duke përdorur gjithnjë e më shumë biokarburantet. Emigracioni ishte një tjetër problem i rëndësishëm trajtuar prej tij. “Ne duhet ta zgjidhim statusin e imigrantëve të paligjshëm të cilët janë tashmë në vendin tonë, pa dashaligësi dhe pa amnisti, " tha ai.

Sigurisht pjesa e fjalimit mbi luftën në Irak ishte ajo që pritej më me interes nga shumë. Bush i qëndron mendimit se lufta në Irak thith një pjesë të madhe të energjisë dhe resurseve të vendit, por ajo duhej bërë për hir të sigurimit kombëtar. "Për çfardo të keni votuar, " ju drejtua ai kongresmenëve, ju nuk keni votuar për dështimin. Vendi ynë po ndjek një strategji të re në Irak dhe unë kërkoj nga ju t’i jepni asaj një shans të punojë. " Në debatin e gjerë që ka përfshirë politikën amerikane lidhur me ç’duhet bërë me Irakun, mendimi i Bushit është që të shtojë një kontingjent tjetër disa dhjetra mijra ushtarësh amerikanë atje me theksin në mposhtjen e burimeve terroriste dhe trainimin e ushtrisë e policisë irakene për t’i dalë zot paqes e rregullit të vendit. Ndërkohë, shumë nga demokratët bile edhe mjaft republikanë, janë për tërheqje të menjëherëshme të trupave amerikane nga vendi i Lindjes së Mesme.

Në fund të fjalimit të tij, duke vënë në dukje potencialin njerëzor të SHBA, presidenti Bush përmendi një serë njerëzish të pranishëm në sallë veprat e të cilëve, siç tha ai, pasqyronin karakterin e popullit amerikan. I tillë ishte Dikembe Mutombo, një nga shtetasit e rinj amerikanë, lojtar i shquar i basketbollit i NBA i cili nuk e harroi vendlindjen e tij në Kongo, Afrikë por ngriti atje një spital. Xhuli Eigner-Klark ngriti një kompani origjinale, The Baby Einstein Co. që ofron një mënyrë të re të mësuari të fëmijëve me dashurinë për muzikën dhe artin. Në pesë vjet biznesi i saj arriti në 20 milion dollarë shitje dhe pasi u ble nga Walt Disney Co., biznesi u rrit në 200 milion dollarë. Eigner-Klark përfaqëson frymën e madhe të sipërmarrjes në Amerikë, tha presidenti. Uesli Otri ishte një njeri i thjeshtë që priste me dy vajzat e tij disa javë më parë trenin në një stacion në Harlem. Ai pa një njeri që ra poshtë te binarët, u hodh me të shpejtë dhe e vuri atë nën vete midis binarëve ndërsa treni që vinte i kaloi mbi kokë. Dhe ai njeri thotë se nuk është hero e nuk ka bërë ndonjë gjë të veçantë kur dhjetra bij e bija amerikane japin jetën në luftë në emër të Amerikës. Një nga këta heroj është rreshteri Tomi Riman i përmendur gjithashtu nga presidenti. Ai luftoi me heroizëm e kurajo dhe nuk u tërhoq nga pozicioni edhe i plagosur duke mbrojtur shokët e tij nga sulmi terrorist.

Si pjesë e traditës së fjalimit të gjendjes së bashkimit, për publikun amerikan transmetohet menjëherë reagimi i opozitës ndaj këtij fjalimi. Këtë vit, demokratët kishin ngarkuar me këtë detyrë senatorin e sapozgjedhur të Virxhinias, Xhejms Ueb cili foli nga dhoma e takimit në Kapitol Hill e sulmoi ashpër administratën e Bushit kryesisht për menazhimin e dobët të luftës në Irak. Në ekonomi, ai përshkroi një ndarje të madhe e polarizim midis të pasurve e të varfërve. Ai tha se klasa e mesme që historikisht ka qenë shtylla kurrizore e vendit dhe shpresa më e madhe për një shoqëri të fortë në të ardhmen, po humbet vendin e saj. Duke përfunduar ai i bëri thirrje presidentit të marrë masat e duhura si në dobi të popullit amerikan ashtu dhe në të mirë të marrëdhënieve me botën. "Në qoftë se ai nuk bën kështu, do t’ja tregojmë ne rrugën. "tha ai.

Të bën përshtypje vetëpërmbajtja, serioziteti dhe kultura me të cilën kryehen këto veprimtari të shquara në SHBA. Askush nga opozita nuk u zu në gojë si hajdut, trafikant, kondrabandist, nuk ju përmend familja etj. Po kështu opozita nuk e shau presidentin hajdut, mafioz , kriminel etj. Gazetarët dhe pas fjalimit, dhanë me maturi e mençuri mendimet e tyre pa u bërë merak se a do t’i vinte mirë njerit apo tjetrit nga ato mendime. Në të gjithë veprimtarinë u theksua bipartizanizmi si një kusht i domosdoshëm për ta shpënë përpara këtë vend. Në Shqipëri, aspekte të ndryshme të jetës e kulturës amerikane imitohen me vrull e në masë. Pse vallë nuk ndodh kjo me kulturën politike ?

Botuar në Gazeta Sot, 30 janar 2007

Tuesday, January 16, 2007

Pak llogari për energjinë elektrike

Si për ironi të fatit, pikërisht kur Komisioni Evropian paraqet për miratim nga krerët e BE Stretegjinë e re të Energjisë, Shqipëria ndeshet me krizën e vet të zakonshme e thuajse të përvitëshme të dritave. Evropa mendon për jetëgjatësinë e globit, flet për një “revolucion pas-industrial” të energjisë, për të kaluar sa më shumë në energjinë e burimeve të përtëritëshme, duke ulur në maksimum emetimin e gazrave që shkaktojnë efektin e serës dhe kontribuojnë në ngrohjen e përgjithëshme globale e cila është kërcënimi më i madh që i është shkaktuar ndonjëherë planetit tonë. Ndërkohë, shqiptarët nuk e kanë mendjen te këto. Ato janë tepër larg. Ata kanë një hall më të thjeshtë: duan drita. Por edhe këtë të shkretë kërkesë e kanë sipas mënyrës shqiptare: e dua sot dhe e dua kështu e ashtu. Dhe nuk e vrasin më mendjen kur këtë energji e kanë.

Problemi i dritave dhe i energjisë nuk është i ri në Shqipëri. Komunizmi i Hoxhës mburrej se bëri elektrifikimin e gjithë vendit. Dhe me të vërtetë, shtëpitë edhe në fshatrat më të thellë e kishin nga një llampë elektrike. Por vetëm kaq aman. Televizorët dhe paisjet elektrike shtëpiake qenë pë një kohë të gjatë vetëm për të privilegjuarit e regjimit dhe kontrolloheshin me autorizime e leje të posaçme. E gjithë Shqipëria, po të lësh mënjanë konsumin e fabrikave dhe uzinave, harxhonte energji elektrike sa një fshat i madh (jo qytet) i Evropës. Mburrja e rregjimit për elektrifikimin është absurde e qesharake, sepse nën cilindo regjim, fshatarit shqiptar do t’i vinte një herë ora të kishte një dritë elektrike në vend të qiriut e pishës. Por ama një meritë ky rregjim e pati (për të mos thënë se merita është e popullit që i ndërtoi ato) për ngritjen e një sistemi jo të pakët hidrocentralesh që furnizonin vendin me energji elektrike. Natyrisht një konsum me racion e fare të pakët të energjisë elektrike, i dilte plotësisht Shqipërisë së asaj kohe.

Turpi më i madh i shtetit shqiptar që erdhi pas viteve 1990, është se e la Shqipërinë me po atë sistem energjitik që trashëgoi nga periudha hoxhisto-ramiziste. Jo vetëm kaq, por ky sistem është vjetëruar me të gjitha paisjet dhe strukturat e tij natyrore. Dihet që me kalimin e viteve hidrocentralet nuk kanë rendimentin e fillimit, rezervuarët e tyre mbushen me llum e sedimente, një pjesë e madhe e burimeve ujore degëzohet në përdorues të ndryshëm gjatë rrugës, paisjet plaken e amortizohen dhe sistemet e transmetimit humbasin së koti gjithnjë e më tepër një energji shtesë. Nuk është se gjatë këtyre 16 vjetëve nuk janë bërë riparime, rinovime e riorganizime të të gjithë këtij sistemi. Ato janë bërë me para të shumta të buxhetit të shtetit e me kredi të marra nga institucionet financiare botërore apo donacione të vendeve të ndryshme. Po t’i hysh llogarive ato do të na nxirrnin miliona euro të shpërdoruara pa efikasitet, bile edhe të vjedhura e të grabitura.

Në vitin 2003 prodhimi i energjisë elektrike në Shqipëri arriti nivelin e vitit 1996, 5.7 miliard kwh. Po këtë vit, vartësia e Shqipërisë nga importi i energjisë ishte rreth 60 %, sipas të dhënave të International Atomic Energy Agency (http://www.iaea.org/inis/aws)

Dhe nuk është se shqiptarët harxhojnë pa hesap energji elektrike. Sipas po kësaj agjensie, Shqipëria harxhoi në vitin 2002, rreth 1400 kwh për frymë. Ndërkohë që vendet e tjera po këtë vit kanë harxhuar: Maqedonia, rreth 2700, Serbi-Mali i Zi, rreth 3000, Kroacia, rreth 3000, Bullgaria, rreth 3700, Bosnja dhe Herzegovina, rreth 1600, Rumania, rreth 2000 dhe Greqia rreth 4200 kwh për frymë. Pra jemi të fundit në Ballkan për konsum të energjisë elektrike për frymë. Po të shkojmë më tej, do shohim se Italia po gjatë këtij viti konsumoi rreth 5200, Franca rreth 6600, Gjermania rreth 6000 dhe SHBA rreth 12000 kwh për frymë energji elektrike.

Le të bëjmë një matematikë të thjeshtë. Sipas të dhënave të Austrian Energy Agency (http://www.eva.ac.at/index.htm), Shqipëria ka importuar në vitin 2003, 7.775 TJ (tera xhoul, tera - 1012). Duke ditur që 1 kwh = 3.6 x 106 xhaul, 7.775 TJ të importit të energjisë elektrike për çdo vit na përkthehen në 2.16 x 106 kwh. Dhe duke marrë çmimin e 1 kwh rreth 70 euro (nga shtypi shqiptar), na del se për këtë import të energjisë elektrike janë shpenzuar rreth 150 milion euro. Në qoftë se këtë shifër e shumëzojmë me dhjetë, duke pranuar se gjatë dhjetvjeçarit të fundit kemi patur afërsisht të njëjtin import energjie, na del se kemi shpenzuar rreth 1 miliard e gjysmë euro vetëm duke blerë energji këto dhjetë vjet. Dhe po të mendojmë se çmimi i ndërtimit të një hidrocentrali është afërsisht 1 milion euro për 1 Mw, me shumën e mësipërme mund të ishin ndërtuar në këto dhjetë vjet më shumë se tre hidrocentralet e mëdhej ekzistues të Shqipërisë (Fierza me 500 Mw, Komani me 600 Mw dhe Vau i Dejës me 250 Mw). Kurse po ta kthejmë në rrugë, me raportin 1 milion euro - 1 km rrugë, do kishim ndërtuar 1,500 km rrugë të klasit të parë në tërë Shqipërinë.

Nga gjithë sa u tha më lart, del mungesa e një strategjie të mirëfilltë, konkrete. Dhe nuk është se strategji nuk janë përpiluar. Në vitin 1996 nga Komiteti Kombëtar i Energjisë, u paraqit Strategjia Kombëtare Shqiptare e Energjisë, në bazë të së cilës u muarën dhjetra kredi nga institucionet finaciare ndërkombëtare dhe përsëri gjendja e energjisë elektrike të Shqipërisë është kjo që është. Gjithëshka pengohet nga politika e madhe dritëshkurtër, nga konflikti politik, lufta e vazhdueshme mes pozitës e opozitës. Të vjen çudi kur sheh drejtorë të KESH-it, ministra e kryeministra të dalin e të thonë se faji është i këtij apo i kësaj. Të vjen edhe për të qeshur kur ish funksionarë të mëparshëm të dikastereve të lidhura me energjinë dalin e ftojnë në TV shou ashtu si në beleg balozët e qëmotit, funksionarët e rinj, a thua se ata vetë, të mëparshmit e kanë bërë punën e tyre siç duhet. Askush nuk jep dorëheqjen. Të gjithë justifikohen. Dhe justifikimet gjenden kurdoherë.

Korporata Energjitike Shqiptare (KESH) u ngrit në vitin 1992, si organizmi shtetëror që prodhon e shpërndan energjinë elektrike. Kjo strukturë prej mamuthi ka shërbyer si një mbështejtje e fuqishme e partive në pushtet dhe duke qënë shtetërore ka lejuar vetë shtetin së pari që të konsumojë energji elektrike e të mos paguaj në kohën e duhur. Mos privatizimi pjesë pjesë i KESH është një gabim i pafalshëm i shtetit shqiptar. Në Strategjinë e re të Energjisë të Komisionit Evropian që u përmend në krye të këtij shkrimi, theksohet shprehimisht se nuk mund të qëndrojnë së bashku si njësi efikase edhe prodhimi edhe shpërndarja e energjisë. Por shteti shqiptar e shtyn e zvarrit pa fund privatizimin si të KESH-it ashtu edhe të organizamave të tjera shtetërore. Pushtetarëve u duket vetja më të sigurtë e më të fuqishëm kur ndjejnë pranë tyre praninë e mamuthëve të tillë si KESH, Telekom e të tjerë. Moszgjidhja e çështjes së pronës dhe ngadalësia e privatizimit janë dy elemetët më thelbësorë në stanjacionin shqiptar të viteve të fundit.

E pra ç’bëjnë shqiptarët këto ditë pa drita? Sigurisht qahen e ankohen. Por ditët kalojnë shpejt, vjen pranvera, Fierza mbushet prapë, ditët zgjaten dhe gjaku i njerëzve përtërihet. Lokalet e Tiranës turfullojnë nga zhurma e hareja. Harrohen ditët pa drita, harrohet që dimri vjen prapë e prapë dhe prapë e prapë Shqipëria do të jetë në po atë gjendje po nuk u bë ajo që duhet. Vijnë votime e ikin votime, por shqiptarët nuk i mendojnë më dritat, ashtu të kapluar nga inate të tjera, mllefe të tjera, halle të tjera e qejfe të tjera. Ç’fat që i ra kësaj klase politike shqiptare me këtë popull që ka!

Botuar në Gazeta Sot, 17 janar 2007

Saturday, January 06, 2007

Të ndërrojmë lojën, jo thjeshtë lojtarët

Ne nje shkrim dy ditë më parë ne Uashington Post, senatori i Ilinoisit, Barak Obama, ylli i ri në ngritje i Partisë Demokratike të SHBA dhe një nga kandidatët e mundshëm për president në 2008 apo më pas, ngre me mjaft mençuri e kompetencë çështjen e një etike të re në jetën politike amerikane në vazhdën e luftës kundër korrupsionit.

Sipas sondazheve të opinionit publik, korrupsioni ishte një temë e lakuar gjerësisht në zgjedhjet e fundit për në Kongres e Senat, në Amerikë. Ishin pikërisht aferat korruptive ato që bënë që shumë nga kongresmenët apo senatorët ekzistues të humbisnin karriget. Por do të ishte gabim të mendohej se ky mesazh popullor, pra ai i luftës kundër korrupsionit, ka për qëllim vetëm një parti apo një politikan. Ai drejtohet në të dy krahët. Prandaj, thotë Obama, nuk është e mjaftueshme të ndrrojmë thjeshtë lojtarët por ne duhet të ndryshojmë lojën. Ai propozon që projekt-ligji mbi etikën duhet të jetë më i plotë. Ne duhet të ndalim çfardo praktike, thotë ai, që do të bënte që një person i arsyeshëm të besonte se një punonjës publik bëhet borxhli ndaj një lobisti. Kjo do të thotë ndalim i plotë në dhurata e dreka e darka, udhëtime të sponsorizuara apo me avionë privatë. Dhe veç kësaj, shton ai, duhet të heqim politikën e partizanizmin nga hetimet e etikës dhe të lëmë gjyqësorin të bëjë punën e vet edhe mbi ne.

Mjaft interesant është gjithashtu në këtë shkrim një propozim i Obamës lidhur me një komision të etikës, të pavarur e jo-partizan që do të shërbente si institucion mbikqyrës i publikut amerikan mbi Kongresin. Komisioni do të kishte në përbërje ish gjykatës dhe ish anëtarë të Kongresit nga të dy partitë dhe do të lejonte çdo shtetas të raportonte shkeljet e mundëshme etike nga ligjebërësit, punonjësit e stafeve të tyre apo lobistët. Ne, mendon ai, duhet të rivendosim besimin e popullit amerikan në procesin etik duke siguruar se interesi vetjak politik nuk mundet më t’i pengojë politikanët në zbatimin e rregullave të etikës. Një tjetër përfundim i Obamës është se nuk mund të ndryshohet mënyra e punës e qeverisë pa ndryshuar së pari mënyrën se si punon kongresi.

Dhe të gjitha këto thuhen për një vend si SHBA ku drejtësia nuk kursen askënd nga ata që provohet se kanë futur garuzhden në pellgun sa të ëmbël aq dhe të hidhur të korrupsionit. Janë mjaft kongresmenë e senatorë të këtij vendi që vuajnë dënime me burg anembanë Amerikës. Të tillë janë Rendi “Djuk” Kaningham, Xhejms Trafikant, Mario Biaxhi e të tjerë. Një numër të tjerësh janë në procese hetimi.

Të vjen çudi se në 16 vjet jete parlamenti në Shqipëri, asnjë deputet nuk është proceduar apo dënuar gjatë mandatit të tij parlamentar dhe ndoshta vetëm një, në mos gabohem, është dënuar pasi ka pushuar së qënuri më deputet. E pra, zërat në popull kanë qenë të shumtë, mediat, kush më pak e kush më shumë, sipas interesave të tyre, i kanë trumbetuar apo fshehur aferat korruptive të deputetëve dhe magjistratët kanë qenë të zënë për të ruajtur karriget e tyre në ato kurthe e prapaskena që u ngre politika, krimi i organizuar e tarafet mafioze.

Korrupsioni është mjerimi i vendeve të vogla e të varfëra si ky i yni. Ndaj ligjet për të përfshirët në korrupsion veçanërisht kur ata janë ligjebërës apo punonjës të lartë shteti, duhet të jenë më të ashprat. Ligji është prita ku duhet të ngecë korrupsioni. Por ligjet tek ne ende vazhdojnë të bëhen të mangëta, të paqarta, jo largpamëse dhe që të nesërmen kanë nevojë për shtesa, amendamente e spjegime. Kjo sepse ato bëhen në një atmosferë të ngarkuar politike ku shpesh herë as që mendohet për prita ndaj korrupsionit apo për rend të vërtetë demokratik, por për stërkëmbsha për kundërshtarët politikë, për lobe interesash të çastit apo të ardhëshme. Mbi të gjitha, zhvillimi i një gjyqësori të ndershëm, të paanshëm, guximtar e larg partizanizmit politik do ta bënte korrupsionin të strukej si një kone e rrahur e të mos lehte si qen i tërbuar anembanë jetës shqiptare.

Një ligj i plotë mbi etikën parlamentare do të pengonte shumë politikanë shqiptarë, qejflij të jetës mondane të bridhnin kazinove e resorteve të botës me paratë e lobistëve që në Shqipëri përfaqësohen nga lloji më agresiv e më i paskrupullt. Do të pengonte shumë nga ahengxhinjtë politikanë shqiptarë të hanë e pinë lokaleve me paratë e atyre që presin t’u hapin ndonjë shteg ku të kalojë fitimi i madh i paligjshëm apo bërë i ligjshëm në mënyrë të paligjëshme.

Por a mund të mbikqyret parlamenti tek ne ashtu siç propozon Obama? Kjo është e dyshimtë pasi kjo lloj mbikqyrjeje lidhet me një moral të lartë publik qytetar, me një kulturë demokratike të ushtruar gjatë. Një komitet i tillë mbikqyrës do të bëhej shpejt një mollë sherri për të përfshirë në të “të mijtë“ apo “të tutë“, të majtë apo të djathtë, të kuq apo blu sado apartiakë të hiqeshin apo shiteshin ata. Ende në Shqipëri nuk është krijuar institucioni i ndrshmërisë civile ku personi të nderohet për fjalën e veprimin e mençur pavarësisht se kjo fjalë apo ky veprim mund të mos i shkojë për hosh atyre që kanë pushtetin. Një komitet i tillë do të kthehej në një organizëm të ngjashëm me KQZ, KKRT e të tjera ku anëtarët i nxjerrin sytë njeri tjetrit për hatër të zotërve që i kanë vënë në ato poste.

Do të ishte me vend që krahas gjithë të tjerave, të përshpejtojmë formimin qytetar të shtetasit shqiptar, mpiksjen e një kulture demokratike gjithnjë e më të fuqishme e aktive. Eshtë detyrë e shoqërisë civile t’i vërë shpatullat këtyre objektivave. Për fat të keq, shoqëria civile e cila u hodh e vrullshme e plot energji në jetën pluraliste shqiptare, në shumë raste ka ardhur duke u bjerur, u familjarizua me pushtetin, u plak dhe interesat ju degraduan në ato më së shumti personale. Energjia e shoqërisë civile duhet përtërirë e shtuar paprerë dhe këtu mund të bëjnë më tepër të rinjtë e shkolluar që hyjnë e dalin në Shqipëri dhe përvojat demokratike të vendeve të tjera.

Ndoshta gjëja më e keqe që ka ndodhur në Shqipëri këto vite është zhgënjimi i publikut dhe mosbesimi te shteti e politika. Kjo ndodhi jo vetëm pas aksidentesh të rënda në jetën politke shqiptare por edhe si pasojë e zallamahisë së përditëshme, e premtimeve boshe, e armiqësisë së egër partiake, e meritokracisë së pamerituar. Eshtë e domosdoshme që ky besim i shtetasit shqiptar tek shteti i tij, tek politikani i tij, deputeti i tij, të rikthehet. Pa të, të gjitha proceset zgjedhore në Shqipëri do të jenë të mangëta, të manipuluara e jo përfaqësuese. Po të vazhdohet kështu, publiku do të mblidhet gjithnjë e më tepër në vetvete, do të mendojë fare ngushtësisht e personalisht dhe do t’u japë dorë shtetarëve të zhvillojnë lojën e tyre të qejfit e akraballëkut. Ja pse është e rëndësishme që ky besim tek publiku duhet rikthyer. Dhe besimi rikthehet, siç thotë Obama, duke ndryshuar lojën dhe jo lojtarët që e luajnë këtë lojë. O popull, je ti pra që e vendos lojën që duhet luajtur.

Botuar në Gazeta Shqip, 6 janar 2007