Shqiperia e udhekryqeve

Edhe pse jam larg Shqipërisë, fëmijërinë dhe një pjesë të rinisë e kam kaluar atje dhe sado që botën e quaj atdheun tim të madh, është kurdoherë një atdhe i vogël, një qytet, një fshat, një mal,një lumë apo një perëndim dielli ku na shkon mendja herë pas here. Pse Shqipëria e udhëkryqeve? Sepse mbeti udhëkryqeve në tërë historinë e saj, se lanë kurrë të zgjedhë rrugë po e tërhoqën me hir a me pahir në rrugë pa krye.

My Photo
Name:
Location: Berkeley, California, United States

Jam ai që nuk kam qenë Do të jem ai që nuk jam.

Friday, February 23, 2007

Një duet filmik i mrekullueshëm i Istvud

Në arritjet filmike të SHBA për vitin 2006, Klint Istvud vjen njëherësh me dy filma madhështorë për luftën e dytë botërore. Ato janë “Flamujt e etërve tanë“ dhe “Letra nga Ivo Xhima”. Të dy filmat të cilët përshkruajnë një nga betejat më të përgjakshme të luftës në arenën e Paqësorit dhe që plotësojnë në mënyrë të mahnitëshme njëri tjetrin, janë xhiruar i pari në Islandë dhe i dyti në shkretëtirën Mojave të SHBA, me shumë pak skena në vetë ishullin e Ivo Xhimës.

Këto dy filma të Klint Istvudit, aktorit të mirënjohur të filmave me kaubojin e vetmuar e të pabujshëm apo me dedektivin karizmatik Kallahan, nuk janë të vetmit suksese të regjisurës së tij. Ai vjen tek to pas mjaft filmave të bukur e të thellë si “Lumi mistik” apo “Vajza një milion dollarëshe”.

“Flamujt e etërve tanë“ përshkruan luftën për marrjen e ishullit të Ivo Xhimës në shkurt 1945 parë nga pala amerikane, kurse “Letra nga Ivo Xhima” e përshkruan këtë luftë, parë nga pala japoneze. Në këtë luftë të ashpër e cila ka tërhequr edhe më parë vëmendjen e prodhuesve të filmave, humbën jetën në 35 ditë rreth 7 mijë marinsa amerikanë dhe mbi 20 mijë ushtarë japëonezë që mbronin ishullin. Fotografia e njohur “Ngritja e flamurit në Ivo Xhima” për të cilën fotografi Xho Rosental mori çmimin Pulitzer, është edhe sot një nga simbolet e heroizmit në Amerikë.

Pikërisht te tre nga gjashtë personazhet që mbijetuan skenën e ngritjes së flamurit, mbështetet kryesisht filmi “Flamujt e etërve tanë“ bazuar në librin e Xhejms Bradlit dhe Ron Pauers. Klint Istvod e përshkruan heroizmin në mënyrë të thjeshtë e rrënqethëse. Këta djem të dalë nga kriza e madhe ekonomike që cfiliti Amerikën në krye të viteve 1930, qenë njerëz të zakonshëm, pa cilësi të veçanta e të spikatura por që qenë dërguar të mbronin interesat e atdheut të tyre dhe ajo që më së shumti i bënte të kryenin akte heroizmi ishte shoqëria mes tyre dhe dhimbja për shokun e vrarë. Një nga autorët e librit, Xhejms Bradli, e dinte se i ati i tij, Xhon “Dok” Bradli ishte një nga ata që tregonte forografia e famshme e flamurit. Por i jati kurrë nuk i kishte treguar për këtë. Ai bile nuk kishte as edhe një kopje të fotografisë. Vetëm kur ai vdiq, i biri mori vesh se i ati, edhe pse nuk kishte qejf të fliste për luftën, ishte dekoruar dhe kishte qenë pra, një nga heronjtë e saj, ndonse ai thoshte shpesh herë: “Të vetmit heroj qenë ata që nuk u kthyen më“. Duke shkuar para e prapa më kohë, filmi tregon jo vetëm skenat dramatike të zbarkimit të marinësve amerikanë në ishullin dhe marrjen përfundimtare të tij por edhe fatin e mëvonshëm dhe zhgënjimin e herojve që mbijetuan e që lufta do t’i ndjekë pas si një mahi e çmendur gjithë jetën.

Kurse “Letra nga Ivo Xhima” është bazuar në librin e Iris Jamashitës i cili përshkruan letrat që gjenral Kurjabashi, komandanti i mbrojtjes së ishullit (luajtur në film nga i shquari Ken Vatanabe) i ka dërguar gruas e vajzës. Vetë gjenerali kishte bërë shkollën para lufte në Harvard, ai kishte udhëtuar nëpër Amerikë dhe e pëlqente mjaft këtë vend që lufta ja solli ta kishte armik. I gjithë stafi i këtij filmi është pothujase japonez dhe filmi thuhet në gjuhën japoneze. Heroizmi tani flet gjuhën e “armikut”. Dhe në fund morali është i qartë: lufta është e kotë, e padobishme dhe shnjerëzore nga cilado anë që ta shohësh.

Të mahnit thjeshtësia me të cilën Istvud përshkruan këto dy epika të mëdha të luftës. Regjisori artist nuk merret të tregojë se kush është i miri e kush i ligu. Heroizmi është sa te njëra aq te tjetra palë. Ajo që i bashkon fatet e këtyre njerëzve është lufta dhe të qënët njeri, qoftë me veçoritë e karakteristikat e njërit komb apo tjetrit. Shumë kritikë japonezë të filmit thonë se Istvud ka bërë atë që nuk kanë mundur ta bëjnë dot kineastët japonezë mbi filmat për luftën. Ndaj “Letra nga Ivo Xhima” është pritur me mjaft interes nga publiku japonez.

Të dy filmat janë nderuar me mjaft çmime deri tani dhe i dyti, pra “Letra nga Ivo Xhima“ është nominuar për Oskar për filmin më të mirë. Duke i dhënë artistit të madh,aktorit dhe regjisorit veteran Klint Istvud dekoratën e lartë të Legjionit të Nderit disa ditë më parë në pallatin presidencial në Shans-Elize, presidenti francez Shirak tha : “Franca i bën nderime talentit tuaj të madh si aktor, gjenisë suaj si regjisor dhe vendit tuaj në botën e kinemasë“.

Këto filma s’kanë të bëjnë fare me patriotizmin fallco me të cilin pompohen shumë breza njerëzorë në shumë vende të botës. Ata ngrejnë lart paanshmërinë e artistit ndaj nacionalizmave, patriotizmave, politizimeve e mendësive të ngushta për ta mbajtur veten tënde apo bashkëkombasit e tu më të mirë se të tjerët. Një Istvud shqiptar, serb, grek apo çfardo tjetër ballkanas nuk do ta kishte kaq të lehtë për të prodhur dy filma të tillë në mjediset e historitë e trevave të tij. Nacionalistët mustaqethinjur apo edhe ata mustaqepadirsur do t’i turreshin si skifterë për të mos e lënë t’i thoshte gjërat kësisoj. Sepse për ta nuk ka kuptim jeta pa një armik, që është kurdoherë armik, sa do të rrotullohet bota e të rrjedhë koha.

Ky duet filmik është një mishërim i shkëlqyer i artit të vërtetë që nuk njeh kufij, vende e kohë por ka për objekt njeriun dhe vetëm njeriun.

(Botuar në Gazeta Sot, 6 mars 2007)

Saturday, February 17, 2007

Kur vallë do të mësojmë ndonjëherë?

Kushdo e sheh që gjithë politika shqiptare është mbërthyer me thonj e me dhëmbë e fytafyt duke sokëllitur e duke tundur armët lidhur me zgjedhjet e 18 shkurtit. Përsëri i njëjti film që është parë kaq e kaq herë në perden e grisur e të njollosur të kinemasë së laskarosur verore shqiptare: ndërkombëtarët që kërkojnë me ngulm zgjedhje të rregullta, pozita e opozita që nuk merren vesh kurrë, kandidatë që premtojnë parajsën dhe si për kapar shpërndajnë thasë me mjell e ndonjë para nën dorë, postera të mëdha që vihen ditën e grisen natën, lista të dyshimta e të pasakta, ligje që interpretohen në mënyra të ndryshme, akuza e kundërakuza, skandale pa fund, analistë e statisticienë kompetentë që si orakujt parashohin përfundimet. Dhe mënjanë këtyre të gjithëve, populli, ai i urti, pëshpëritësi, i hutuari e i ngatërruari, vulëmadhi e vulëhumburi, që kur u duhet i thonë sovran i gjithpushtetshëm, po kur ja hipin në shpinë ja bëjnë gjak ijet me mamuze dhe s’pyesin në se ai hunguron e hedh shkelma.

Normalisht zgjedhjet vendore, kur populli zgjedh pra njerëzit që janë në krye të drejtpërdrejtë të punëve e halleve, njerëzit e bashkive e komunave, pra që s’kanë të bëjnë as me politika të jashtme të mëdha, as me mbrojtje e strategjira mbarëkombëtare, as me buxhetin e shtetit, duhet të ishin më të thjeshta, më pa zhurmë e rrjedhimisht shumë më të qeta. Populli vallë i bën ato të tilla, të zhurmëshme, të egra, kacafytëse, shpërthyese me një gjasë të përherëshme dështimi? Nuk ta do mendja. Ç’interes ka populli ta bëjë këtë? Ai është tepër i përkorë në kërkesat e veta. Do vetëm ca mundësi më shumë, ca drita e ujë më shumë, ca korrupsion e hajdutëri më pak dhe t’ja lënë veshët rehat me tamtamet e politikës së madhe. Eshtë vetë politika që me planet e saj të ardhëshme, presidencën që vjen më pas, parlamentin tjetër akoma ca më pas e të tjera e të tjera, u hedh atyre barut e benzinë e i ndez kështu siç i ka ndezur.

Si nuk u pa një copë fushatë dinjitoze dhe e ndershme? Si nuk doli kush të thotë një fjalë të mirë për kundërshtarin e tij që deri dje mund ta ketë patur edhe shok e mik e të thoshte: Filani është burrë i aftë e i zoti po ai ka gabuar këtu e këtu dhe unë premtoj që këto gabime, po të më zgjidhni, të mos i bëj, po të rregulloj këtë e atë punë...Por jo, kundërshtari është armiku më i madh i botës deri sa të dy ata vijnë nga parti që janë armike për jetë a vdekje. Nuk guxon kush të dalë kandidat i pavarur. Sepse partia, qoftë blu e qoftë rozë, ja heq mbështetjen dhe e përjashton nga rradhët e saj. Dhe në të përjashtoftë partia, edhe avokati i madh Ngjela të jesh, nuk bën hajër e prokopi më kurrë. E pra, në të tilla zgjedhje, duhej të na bëhej qejfi në se kandidatë do të ishin individë pa përkatësi partiake, që njerëzit i njohin nga afër në komunat e bashkitë dhe u a kanë dalluar virtutet, aftësitë e energjitë. Por jo që jo. Partia është ajo që të ngre e të ul, të jep nder e lavdi apo të rropos e të bën zhul. Partishmëria është lebra më e zezë që Hoxha me komunizmin e tij i ngjiti këtij populli dhe nga e cila ai nuk po shërohet dot kurrë.

E me që i kemi qejf vendet e para, le të themi që jemi vendi i vetëm në Evropë që ende nuk ka mësuar të bëjë zgjedhje të lira e të ndershme. Kush e di sa para kanë harxhuar Evropa e Amerika e shkretë me të dërguarit e tyre, me kurse, leksione e institute, me bursa, forume, uorkshope e konferenca por më kot. Sepse ata të kurseve, leksioneve, bursave, forumeve, uorkshopeve e konferencave janë të njëjtët. Ndërrojnë vetëm markat e kostumeve dhe deodoranteve. Ata i dinë mirë si duhen bërë ato qerrata zgjedhje. Dhe qeshin nën buzë kur u a mësojnë për të disatën herë të të dërguarit e demokracisë. Dhe bëjnë të tyren dhe u a hedhin fajet popullit gjaknxehtë e sedërmadh.

Të gjithë mësuan të bëjnë zgjedhje ndër fqinjët tanë. Mali i Zi ndau një hall të madh që kishte për t’u shkëputur nga Serbia dhe e ndau paqësisht e thuajse pa zhurmë në referendumin e vjetshëm. Po ashtu, Serbia bëri zgjedhje që u quajtën të rregullta e të lira edhe pse ka një klimë politike tepër të acaruar e me probleme. Maqedonia dhe Bosnje dhe Herzegovina po ashtu. Që të mos flasim më tej për Bullgari e Rumani apo për Greqinë ku Demokracia e Re e propozoi vetë për president një socialist si Papulias. Vetëm kjo Shqipëria jonë qënka ndryshe. When will they ever learn (Kur do të mësojnë vallë ata ndonjëherë ?)

Po të shohësh historinë e 10-15 vjetëve të fundit në Shqipëri vë re se zgjedhjet kanë përbërë piketat e asaj udhe lakadredhëse e gaforreske apo karavidheske ku edhe në është bërë ndonjë hap përpara, është bërë për meritë të ndërkombëtarëve që kanë tundur me marifet shkopin e karrotën. Gjashtë muaj para se të bëhen zgjedhjet, qofshin ato të parlamentit apo lokale, i gjithë vendi mobilizohet në luftën zgjedhore. Qeveria nuk punon veçse për zgjedhjet, opozita po se po. Bëhen pra zgjedhjet. Duhet të kalojnë të paktën gjashtë muaj të tjerë që kacafytjet të shuhen disi, zhurma e pluhuri të bjerë dhe zërat e ngjirur të shërohen. Pastaj u vjen radha zgjedhjeve të tjera dhe gjashtë muaj më parë nis përsëri fushata jozyrtare. A nuk ndodhi kështu me këto zgjedhje të rradhës? A nuk ka filluar sherri e lufta për to të paktën që nga gushti i vitit të kaluar? Dhe këtë rradhë konflikti u ashpërsua aq shumë sa që ndërkombëtarët e shkretë e dinë se ç’hoqën me aman e derman për t’i afruar disi duke i zënë për veshi a për gravate politikanët tanë që të merren vesh me njeri tjetrin si ca derra turfullonjës e të inatosur. E pra, në tërë këtë situatë, apo ato të ngjashme me të këto vite, a mundet ndonjë qeveri të bëjë një farë pune për të qënë? E vetmja punë që bën ajo, është: si t’ja bëjë me zgjedhjet e rradhës. Që të mos flasim për ato punërat e tjera që s’dalin në mexhlis e që qeveritë shqiptare i dinë mirë.

Zgjedhjet presupozojnë zgjidhje. Nuk presupozojnë karburant për konflikte të tjera, ngecje, bllokime e bojkotime. Por a do të jenë zgjedhjet që kemi përpara zgjidhje ? Kur vallë do të mësojmë ndonjëherë t’i bëjmë ato siç duhet ? Kur do t’ja lusim e nuk do t’ja vjedhim e rrëmbejmë votën popullit? Ajo që na mbetet të bëjmë këtë rradhë, është të përpiqemi t’i bëjmë ato të rregullta, pa eksese e hundë e sy të skuqur si piperka. Le ta mbajmë mirë në mend: barinjtë tanë të demokracisë po lodhen e mërziten nga ne e do të na lënë udhëve e skërkave nga ku s’do ketë zot të na nxjerrë.

Sunday, February 11, 2007

Anija e Tezeut apo paradoksi i identitetit

Sipas mitologjisë, Tezeu ishte heroi i antikitetit që vrau Minotaurin i cili jetonte në labirintin e tij në ishullin e Kretës. Pas kësaj bëme heroike, Tezeu u kthye në Athinë dhe siç thotë Plutarku, anija me të cilin ai lundroi deri atje, u ruajt me breza të tërë duke zëvëndësuar në të çdo dërrasë të kalbur. Paradoksi modern i Tezeut është ky: deri kur anija do të quhej e Tezeut? Mos vallë do të quhej e tillë edhe kur t’i ishte ndërruar gjithëshka e kalbur? Po më pas kur të kalbej e rikalbej përsëri e t’i zëvendësohej për të disatën herë çdo dërrasë? Arsyetimi që kurdoherë ajo mbetet anije e Tezeut është ky: në qoftë se ndërrojmë vetëm një dërrasë të kalbur të anijes, atëhere pa dyshim atë mund ta quajmë anije të Tezeut. Duke qënë e tillë, për çdo dërrasë tjetër që do të ndrronim më pas, vlente arsyetimi i mësipërm pra kurdoherë, edhe sot po të qe, do të kishim një anije që do të ishte e Tezeut. Arsyetimi i drejtë do të ishte: përderisa shumica e lëndës tek anija ka ndërruar, ajo nuk mund të quhet më anije e Tezeut por vetëm një kopje e modelit të saj. Po të mos qe kështu, në qoftë se dikush i ruan të gjitha dërrasat dhe gozhdët e zëvëndësuara nga anija e Tezeut, për çdo herë që ato janë zëvendësuar dhe dikur i mbledh ato së bashku e bën me to të tjera anije, a nuk do të thoshim se edhe këto janë anije të Tezeut ? Do të kishim në këtë rast jo një por dy, tre, shumë anije të Tezeut kur dihet që në të vërtetë vetëm një është e tillë.

Paradoksi i mësipërm që njihet gjithashtu si paradoksi i identitetit, në mënyrë komode të të pandjerë e të gabuar aplikohet në shumë fusha të veprimtarisë njerëzore. Do të binim kurdoherë në arsyetimin e mbrapshtë të këtij paradoksi sa herë që nuk do të mbështeteshim në zhvillimin dialektik dhe nuk do të kishim parasysh shprehjen e famshme që i vishet grekut të lashtë Heraklitit: Asgjë nuk është e përherëshme përveç ndryshimit.

Anija e Tezeut apo paradoksi i identitetit zë shumë vend edhe në jetën shqiptare. Mendimi ynë për shumë gjëra është i ngrirë e i ngurtësuar: i mirë, i lik, i dashur, i urryer, mik armik... Ne ngatërrohemi në këtë paradoks sa herë që japim mend për gjërat e së përditëshmes, sa herë që gjykojmë individë, parti, organizata, veprimtari apo zhvillime politike ndërkohë që nuk marrim parasysh dialektikën e zhvillimit. Edhe një polemikë e tillë e madhe si ai i identitetit shqiptar përmbante brenda vetes paradoksin e anijes së Tezeut sepse nga shumë këndvështrime e shihte këtë identitet statik e të pandryshuar. Duke e parë këtë identitet siç i interesonte ta shihte diktatura hoxhiste, të tipizuar në individin arbër apo shqiptar trim e bujar, mikpritës e besëmadh, luftëtar syptrëmbur që mbeti gjithë jetën me pallë në brez e me pushkë në sup duke mbrojtur trojet e veta e që kurdoherë të tjerët i binin në qafë atij e ai kurrë nuk i binte në qafë kujt, shkojmë edhe më thellë paradoksit të Tezeut, duke mitizuar edhe atë që edhe në kohën e vet nuk ka qenë ashtu.

Anijen e Tezeut e ndeshim shpesh në gjykimet tona për marrëdhëniet me fqinjët. Grekët janë të liq e të pabesë dhe i kanë sytë te trojet tona që nga koha e luftës së Trojës; serbët janë gjakatarë, lakmojnë bregdetin tonë e na duan të keqen që kur dyndën në Ballkan. Paçka se vitet e shekujt kanë shkuar si lumej ujëshumtë e dërrasat e kalbura të këtyre popujve janë zëvendësuar me të reja ashtu si edhe vetë tek ne. Edhe sa kohë vallë do t’i fshehim zvarritjet, vonesat, dështimet e pakënaqësitë tona pas asaj që bota na i ka me hile, që të gjithë s’na dashkan (edhe ata që na duan, janë larg) e na kanë inat? Bota nuk është një apo dhjetë të dërguar të BE apo OSBE, një apo dhjetë priftërinj, aventurierë apo shovinistë grekë, një apo dhjetë historianë, shtetarë apo ultranacionalistë serbë por shumë e më shumë se kaq.

Po ashtu në gjykimet e përditëshme është e pamundur të mos dallosh mendimin statik e të ngurtësuar shqiptar. Kjo që nga mendimi komunist që ende nuk shkulet e deri tek ai më i riu, demokrati. Brezat e moshuar ende kujtojnë se anija komuniste ishte dhe mbeti po ajo anije ku do të lundronte ideja fisnike e lirisë dhe barazisë. Atyre ende nuk u mbushet mendja se kjo anije u kthye në një burg të madh nga Hoxha e shokët e tij dhe nuk ka të bëjë me utopinë që kanë patur ata në mendje në rininë e tyre. Pra ajo nuk ishte më anija e Tezeut, heroit, por e diktatorit, e vampirit gjakatar. Po kështu janë edhe skalionet e sotme të fortifikuara e mbërthyera si molusqe kokëforta rreth shtyllave të partive të cilat nuk i shohin në dinamikën e tyre të zhvillimit por i mendojnë ashtu siç kanë qenë vite më parë. Në të njëjtën mënyrë të ndryshkur e të pandryshueshme mendohen edhe prijsa të ndryshëm politikë, deputetë e shtetarë qoftë si të pagabueshëm, mendjelartë e altruistë e qoftë si zuzarë, vagabondë e mafiozë.

Ka pra vetëm një mënyrë që të shmangësh paradoksin e anijes së Tezeut dhe ky është të menduarit dialektik. Herakliti ka thënë gjithashtu se nuk mund të futesh dy herë në të njëjtin lumë. Kjo sepse lumi ndryshon dhe nuk është më ai që ishte por tjetër. Sot është koha e vrullshme e teknologjive të informacionit, e internetit, klonimit të qënieve të gjalla, e paisjeve nanometrike, e përparimit të shoqërive e vendeve shumëkombëshe. A mund të imagjinohet vallë se si do të jetë bota pas 20-50 apo njëqind vjetësh? Do të jenë atëhere brezat e rinj shqiptarë, qytetarë të botës e të kohrave të reja, ata që duke e dashur botën të gjithë po aq sa vendin e tyre stërgjyshor, do të vijnë tek ai si Tezeu për të vrarë monstrën Minotaur që ende është gjallë e dredh dheun në labirintet e veta.

Botuar në Gazeta Sot, 11 shkurt 2007

Sunday, February 04, 2007

Mjegulla intelektualiste

Të krijohet përshtypja se të tërë shqiptarët në Shqipëri janë sot intelektualë. Dhe sigurisht edhe të gjithe të ikurit që andej. Këta të fundit bile ca më shumë, se kanë parë botën e madhe. Në kohën e diktaturës komuniste, të quheshe intelektual nuk ishte ndonjë gjë e veçantë dhe e lakmueshme. Dihej që intelektualët për partinë në pushtet ishin streha favorizuese e gabimeve ideologjike dhe e mbeturinave mikroborgjeze. Ata qenë kurdoherë të prirur të “gënjeheshin” të parët nga propaganda borgjezo-revizioniste. Qenë zgjyra në farkën ku farkëtohej çeliku i partisë. A guxonte vallë një copë mësues i thjeshtë fshati të thoshte në atë kohë: Unë jam intelektual? Kurrë. Edhe një inxhinier, e kishte më kollaj e më për mbarë të thoshte se ishte klasë punëtore se sa intelektual.

Ideologjia hoxhiste duke shtyrë urët e zjarrit të luftës së klasave, bënte anëtarë të byrosë politike e ministra mjelëse, karrocjerë, shoferë e saldatorë. Një shkollë injorante si ajo e partisë quhej si kryeshkolla e lartë e vendit para së cilës ulnin kokat me turp të diplomuarit universitarë e akademikët. Diktatura ishte ‘e kllasës’ punëtore, pushteti ishte ‘i kllasës’ punëtore dhe intelektualët qenë ca zuzarë që partia s’kishte ç’të bënte se i duheshin dhe ata, pa ndryshe dinte t’ua tregonte vendin. Intelektualët vinin menjëherë pas të deklasuarve, kulakëve, ‘armiqve’ të popullit, në hierarkinë klasore. E pra si i tillë, termi ‘intelektual’ ishte një emërtim që nuk ngjallte ambicje te njerëzit dhe edhe ata që vërtet e kishin, nuk e lakonin shumë atë që mos ngjallnin xanxat e vigjilentëve të partisë.

Kurse sot pra janë të gjithë intelektualë. Shqipëri intelektuale 100%. Ç’është intelektuali për shqiptarin? Një njeri që ka një copë shkollë të lartë. Dhe një copë shkollë të lartë, me të vërtetë apo me gjasme e gjen sot kushdo në Shqipëri. Bile edhe ata që nuk e kanë tamam atë copë shkollë, ndihen si të tillë sepse lexojnë gazetat, shikojnë TV-të dhe nuk e ndjejnë veten as më pak e as më shumë se ata që llomotisin tërë ditën në to. Edhe ata që janë pa shkollë të lartë kur shohin se dinë më shumë se ata që i kanë këto shkolla, u hipën ambicja e inati të quhen intelektualë. Kushdo mund të shkruajë sot në gazeta, të shajë apo të lavdërojë, të kundërshtojë apo të hedhë idera. Kushdo mund të marrë pjesë në publikimet e pafundme në Cyberspace, të shkruajë në gazetat virtuale, të diskutojë në forume apo të komentojë nëpër blogje. Të gjithë e dinë në se dhe ku duhet ndërtuar apo jo një TEC, duhet shtruar apo jo një tubacion nafte a gazi, duhet bërë ky apo ai plan perspektiv qyteti. Pa le kur është puna për çështje të artit, kulturës apo më tej të vokacionit patriotik të shqiptarit. Këtu intelektualët e sotëm shqiptarë të lënë pa mend. Ata dinë si do vejë fati jo vetëm i Evropës por edhe i botës bile edhe botrave të tjera të sistemeve përtejdiellore. Pra, të gjithë i dinë të gjitha dhe japin mend për të gjitha. Kur se di një gjë, e gugllos atë në Internet dhe u a thua menjëherë bashkëbiseduesve si një mënçuri e dije të rrallë.

Në fakt, kuptimi i vërtetë i të qënit intelektual është larg këtyre perceptimeve sempliste por është gjithashtu jashtë përmbajtjes dhe qëllimit të këtij shkrimi.

E keqja nuk është tek ajo se si e quan veten njeri apo tjetri, por te detyra që merr mbi vete njeri apo tjetri duke mos e vënë në dyshim se i takon ky emërtim. Se të qënurit intelektual presupozon të jetosh si i tillë, të prodhosh si i tillë dhe të kryesh ato detyra që të takojnë si i tillë në tërësinë e shoqërisë njerëzore. Në qoftë se në modë do të ishte ta zemë, fjala ‘fermer’ (se ‘fshatar’ nuk e fut kush në modë), për të qënë i tillë do të thoshte të dije të mbarështroje tokën, bimët, pemët e kafshët. E pra intelektuali mbarështron fushën e dijeve dhe ata që janë intelektualë të vërtetë i zgjerojnë e shtyjnë më tej këto dije.

Nuk është se Shqipëria nuk ka sot të tillë intelektualë të vërtetë. Por ata ende nuk po dalin nga ajo mjegull e amulli e anonimatit, masivitetit dhe mospërfilljes. Pothuajse të tredhur nga diktatura komuniste dhe duke mos e njohur pothuajse në asnjë rast institucionin dinjitoz e krenar të disidencës, intelektualët shqiptarë u mësuan të jenë zëulët e kokëulur. Nga që kishin në qafë shënjat e zgjedhës, ata hynë në zgjedha të reja të biznesmenëve të rinj dhe të partive politike. Komercializmi e tregu i lirë krijuan hierarki të reja vlerash dhe çorientuan të gjithë prodhimet e dijes në Shqipëri. Shumë intelektualë ndjenë se nuk mund të rrojnë dot pa zgjedhat e reja që solli demokracia. Vetë prodhimi intelektual ndonjëherë deformohet e kthehet në kitch apo pseudokrijim pasi me to mund të rrohet më kollaj e gjejnë treg më shpejt në botën e rrëmujshme shqiptare.

Biznesi politik ka thithur një mori intelektualësh të rreshtuar në skalionet partiake që tjerrin demagogjinë dhe konfliktin ndërpartiak e luftojnë për pushtet. Organizmat e ndryshme të shoqërisë civile me jetën e vakët e mundësirat e pakta të ekzistencës, në vend ta ngrinin lart, e moçalojnë mendimin intelektual. Intelektualët që përbëjnë bërthamat e këtyre organizmave nuk arrijnë të bëhen të besueshëm në masën e njerëzve. Shpesh herë kanë qenë mediat ato që nxjerrin në pah inteligjencën e një vendi. Duke u përpjekur të jenë vetë intelektualë të mirëfilltë, gazetarët mund të tërheqin në podiumin e gazetave të shkruara e audiovizuale mendimin e vërtetë intelektual shqiptar. Sepse jo të gjithë intelektualët preferojnë të shkruajnë e të shfaqen. Ka plot nga ta që të përkushtuar ndaj fushës së tyre s’duan t’ja dinë për shtyp e TV. Sigurisht, ata rrojnë më keq se plot sharlatanë të tjerë pseudointelektualë që njohin mirë zanatin e berihajit e të llafollogjive erudite. Ata nuk i njohin e i dinë as komshijtë e tyre dhe thonë: e mo, ai i shkreti që merret tërë ditën me libra e të shkruara. Por janë ata, ‘të shkretët’ që duhet t’u jepet vendi që meritojnë. Mendimi i tyre duhet bërë buka e lajmeve të përditëshme dhe jo bëmat politike e vetë politikanët që e ndjejnë veten madhështorë vetëm pse u kushtohet vëmendje.

E pra, kjo nuk mund të vazhdojë kështu. Duke mënjanuar me takt e duke lënë në brazdën e tyre të hequrit për të tillë, ata, intelektualët e vërtetë duhet ta ngrenë patjetër veten në nivelin e nderuar që kjo kategori presupozon. Një shoqëri demokratike është e mangët pa zërin e vërtetë intelektual, pa zërin e diturisë e të krijimit në të gjitha fushat. Intelektualët duhet ta hedhin tej zgjedhën politike dhe ta kthejnë komercializmin që karakterizon tregun e lirë, me aq sa munden në favor të prodhimit të tyre krijues. Mendimi intelektual duhet të jetë bazamenti i të gjitha projekteve shqiptare, që nga ato politike e deri te ato konkrete, natyra, mjedisi, ndërtimet, zhvillimi, kultura, gjuha dhe marrëdhëniet shoqërore. E ardhmja ndërtohet me intelektualë të mirëfilltë dhe jo mjegull e amulli intelektualiste.

Botuar në Gazeta Sot, 4 shkurt 2007 dhe Metropol, 5 shkurt 2007